Veprimtarë të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” kishin vendosur që gjithë aktivitetet e tyre në kuadër të shënimit të 100 vjetorit të Kongresit të Manastirit t’ia dedikonin Malësisë së Madhe e në veçanti vëllezërve që po mbahen padrejtësisht në burgun famëkeq të Shpuzit. Respekti i madh ndaj këtij trualli trimëror kishte bërë që të tejkaloheshin mundësitë dhe me forca të përbashkuara, një dramë e shkruar nga Rrahman Jasharaj, u kthye nga ai në skenar filmi, që flet për rrugëtimin e Abetares nëpër shekuj, por edhe për vuajtjet, katrahurat, vrasjet në trojet etnike, për t’u ndalur pastaj në gjendjen e rëndë aktuale në Malësinë e Dedë Gjo Lulit.
“ E kishim nisur si dramë dhe mendonim ta shfaqnim në kuadër të Manifestimit tonë “ Gjuha shqipe 100 vite pas Kongresit të Manastirit” bashkë me një tryezë shkencore, në të cilën do të debatohet për gjendjen e rëndë të gjuhës shqipe në disa prej trojeve etnike, por respekti dhe dashuria vëllazërore ndaj Malësisë e duke e ndjerë për obligim që në një formë a tjetrën ta shpërndajmë në vise e shtete të vërtetën për të kaluarën shqiptare, por edhe për të tashmen plor trishtim e vuajtje në disa troje etnike, vendosem ta kthejmë atë dramë në skenar filmi dhe me punë e përkushtim të shumë anëtarëve të shoqatës dhe miqve të saj e xhiruam në bjeshkët e bukura të Rugovës”, tregon për këtë nismë të guximshme të Shoqatës , kryetari i saj Ukshin Jashari. Ai ka lavdëruar Televizionin “Tele Net”, gjegjësisht përgjegjësin e këtij televizioni , Shaban Muriqi dhe stafin tjetër të këtij mediumi.
“ I treguam Shabanit për idenë tonë, bashkë me nënkryetarin e Shoqatës, Sali Lukajn , me Rrahmanin dhe veprimtarin Frashër Rraci. Ai na dëgjoi me vëmendje dhe kur mori vesh se ky projekt është dhuratë për Malësinë, u përgjigj pozitivisht dhe bashkë me kameramanët e tij e stafin tjetër nuk na u nda për asnjë ditë sa kanë zgjatur xhirimet. Ai na ndihmoi edhe me gjëra të tjera”, tregon Ukshini.
Shaban Muriqin e takojmë në bjeshkën e fshatit Shtypeq i Madh. Kishte ardhur t’ju sjellë bukë e gjëra freskuese aktorëve. Ai bisedon me kërshëri me kameramanin e televizionit të tij, Besfortin dhe gëzohet kur dëgjon fjalë të mira për xhirimet.
“Me kënaqësi pranova të punoj me gjithë teknikën tonë në mënyrë vullnetare sepse ndjej respekt dhe obligim ndaj vëllezërve në Malësi. Uroj që ky film, që po realizohet sipas skenarit dhe regjisë së Rrahmna Jasharajt, të jetë ashtu si po planifikojmë ne dhe atëherë do të jetë vërtetë një dhuratë e bukur për vëllezërit tonë në Malësi”, shprehet Shabani. Pak më tutje e gjejnë edhe Sali Lukajn. Ai është nënkryetar i Shoqatës dhe po bisedonte me Lukajt tjerë për skenat e para. Ai në këtë projekt, bashkë me Ukshinin, Frashërin e Rrahmanin kanë shumë detyra e obligime. Saloja të gjitha i bën me përpikëri e për këtë i ndihmon edhe i vëllai Enveri.
“Kemi vënë në dispozicion të realizimit të filmit gjithë mundësitë tona ne Lukajt. E nisem ne veprimtarët e Shoqatës këtë projekt pa as edhe një centë në fondin e xhirimit, por ja, dikush diçka, dikush ushqimin e pijet, dikush makinat për t’i sjellë aktorët deri në bjeshkë dhe ja puna po ec mbarë. Jam krenar për këtë dhe me filmin do t’i dërgojmë edhe një mesazh vëllazëror Malësisë”, ka thënë Sali Lukaj.
Mes aktorëve e gjemë edhe një nxënëse të gjimnazit. “ Ka vite që jam aktore e Shoqatës dhe kam qenë shpesh edhe në Malësi. Atje kam shumë shoqe. Jam krenare që u bëra pjesë edhe e këtij filmi, i cili prezanton udhëtimin e mundimshëm të Abetares nëpër shekuj. Ky film prezanton të kaluarën tonë plot dhembje, vrasje e lot. Prezanton qëndresën e popullit nëpër shekuj. Ky film prezanton edhe pamje rrëqethëse nga aktualiteti në Malësi. Kemi fragmente të burgosjeve të vëllezërve tonë dhe prandaj do të mbetet ky film si dëshmi e një kohe plot furtuna nëpër trojet etnike”, shprehet Qëndresa Jasharaj. Pjesë e këtij projekti është bërë edhe ish luftëtari i lirisë dhe tani sekretar i OVL të UÇK-së , Pren Marashi. Ai tregon se ka pranuar me kënaqësi ftesën për t’u bërë pjesë e projektit. “Jam krenar që interpretoj këtu një ushtar të UÇK-së, i cili bashkë me bashkëluftëtarët e tij luftojnë në mbrojtje të nxënësve dhe popullit nga sulmet vrastare të pushtuesit serb”, tregon Marashi.
Ukshin Jashari na tregon se në Shoqatë janë pajtuar që filmin e xhiruar t’ia besojnë anëtarëve të Shoqatës “Malësia e Madhe” në mënyrë që ata ta shumëzojnë atë dhe ta sheshin me çmimin modest e në shërbim të çështjes humanitare duke dedikuar të hollat e mbledhura nga shitja për familjet e malësorëve të burgosur, të cilat janë në gjendje më të rëndë ekonomike.
Promovimi i këtij filmi në Kosovë do të bëhet më 13 nëntor në kuadër të Manifestimit “ Gjuha shqipe 100 vite pas Kongresit të Manastirit”, për t’u vazhduar pastaj më 14 nëntor me tryezën shkencore, në të cilën janë të ftuar të marrin pjesë intelektualë e veprimtarë nga Malësia dhe trojet tjera etnike.
Rrahman Jasharaj