Peja ishte kthyer për dy ditë në një skenë madhështore, në të cilën aktorë, intelektualë, këngëtarë dhe veprimtarë të çështjes kombëtare kanë shpalosur fragmente krenarie për qëndresën e popullit tonë në shekuj e dekada. Manifestimi “Gjuha shqipe në trojet etnike 100 vite pas Kongresit të Manastirit”, që i tëri i dedikohej trojeve etnike, e në veçanti Malësisë së Madhe, ka bërë bashkë qindra qytetarë në kinoteatrin “Jusuf Gërvalla” të Pejës. Ata kanë përcjellë me admirim filmin artistik “Abetare nëpër shekuj”, i punuar me skenarin dhe regjin e Rrahman Jasharajt. Të 50 aktorët e angazhuar kanë skalitur bukur personazhet, që po interpretonin. Ky film i realizuar nga kjo Shoqatë dhe Televizioni “Tele-Net” është, si e kanë thënë në festën e promovimit, kreu i Shoqatës Ukshin Jashari e Sali Lukaj, është një dhuratë artistike për Malësinë. Ata shpresojnë se filmi do të arrijë të vëllezërit tonë në SHBA dhe përmes Shoqatës “Malësia e Madhe” do të shpërndahet mes shqiptarëve atje dhe nga shitja simbolike do të krijohen mjete për të ndihmuar disa prej familjeve të vëllezërve tonë që po mbahen padrejtësisht në burgun e Shpuzit.
“ Erdha në festën e promovimit të këtij filmi me nxënësit e dy paraleleve të Gjimnazit dhe u admirova me punën që kanë bërë veprimtarët e Shoqatës, që mbanë gjallë lidhjet me trojet etnike. Ky film ishte një orë e bukur e historisë dhe para nxënësve u shpalosen momentet tragjike, por edhe krenare të kombit tonë nëpër shekuj. Ajo që na bëri të rrëqethemi ishin pamjet, që u prezantuan aq realisht, të gjendjes së rëndë në Malësi dhe arrestimet e burgosjet e vëllezërve tonë nga policia malazeze me gjithë atë brutalitetin dhe dhunën, që ata kanë përdorë në atë aksionin famëkeq”, është shprehur për malësia.org, profesori i gjimnazit “Bedri Pejani” të Pejës, Halil Berisha. E kanë lavdëruar punën e Shoqatës dhe filmin edhe shumë intelektualë të Pejës e Kosovës dhe kanë uruar që kjo projeksion filmik të shfaqet kudo në trojet etnike sepse ka arritur të prezantojnë përpjekjet dhe vuajtjet e shqiptarëve kudo në trojet etnike nëpër shekuj e dekada.
Edhe dita e dytë e Manifestimit ishte madhështore
Në ditën e dytë të Manifestimit për alfabetin dhe Malësinë e trojet tjera etnike pjesëmarrësit janë gjendur në konakun vëllezërve Lukaj, të cilët gjithmonë kanë qenë shtyllë e aktiviteteve të Shoqatës. Interesimi i pjesëmarrësve është shtuar pasi në tryezën shkencore të ditës së dytë po merrte pjesë edhe veprimtari i njohur i kombit dhe lideri i “Vetëvendosjes” , Albin Kurti. Ai është gjendur mes mr. Arben Hoxhes, prof.dr. Xhavit Aliçkaj, prof. Rexhep Abazit, veprimtarit e gazetarit Ali Daci dhe poetit nga Vuthajt Hasan Gjonbalaj.
Prof.dr. Aliçkaj duke u prezantuar me kumtesën e tij, si anëtar i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”, ka shpalosur fragmente që nga koha e Gjon Buzukut. Ai ka ndërlidhur kohët e shekujt duke kujtuar gjithë ato angazhimeve të penave e kokave të ndritura të kombit kudo në trojet e etnike për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare. Aliçkaj ka alarmuar se edhe tani 100 vite pas Kongresit të manastirit gjuha shqipe i ka shumë keq punët në Kosovën Lindore dhe në truallin e Dedë Gjo Lulit.
Anatëri i Institutit Albanologjik të Kosovës, mr. Arben Hoxha ka larmuar për rrezikun që po sjell tendenca e disa qarqve për të krijuar një komb të ri shqiptar e për të dalë në opinion me tendencën për përçarje rreth gjuhës shqipe e mbase, si tha ai, edhe për të shkuar më larg duke i kthyer dialektet e nëndialektet. Hoxha ka fajësuar për këtë gjendje heshtjen e qarqeve intelektuale dhe punën shumë të pakët që po bëjnë qeveritë shqiptare për ruajtjen e kultivimin e të vërtetës së shqiptarët janë një komb dhe kanë një gjuhë.
Prof. Rexhep Abazi ka sjellë para pjesëmarrësve të kësaj tryeze shkencore fragmente tronditëse për gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në Presheve, Medvegjë e Bujanovc. Abazi ka alarmuar për rrezikun e zbrazjes së atyre trojeve nën presionet që po u bëhët nga ushtria dhe policia serbe atje. “ Shkolla dhe çdo gjë shqipe po frymojnë vështirë atje. Numri i nxënësve e mësimdhënësve shqiptar është në rënie dhe kjo është gjë shumë e keqe dhe tronditëse”, është shprehur Abazi.
Poeti nga Vuthajt, Hasan Gjonbalaj në këtë tryezë ka kthyer kujtesën e para shumë vitesh dhe ka kujtuar edhe 90 vjetorin e shkollës shqipe në Vuthaj. Ai duke folë për gjendjen aktuale në ato troje etnike nuk ka mundur të fsheh emocionet. “Gjithnjë e më pak po dëgjohet fjala dhe kënga shqipe në trojet shqiptare të Plavës dhe Gucisë”, ka alarmuar Gjonbalaj.
Është përcjellë me interesim edhe kumtesa e Ali Dacit. Ai ka bërë një shpalosje argumentesh që nga dekadat e kaluara për rë ardhur në momentin aktual në Dacaj dhe fshatra të tjera të Rozhajës. “Dikur në shumë fshatra të kësaj ane jehonte kënga dhe dëgjohej fjala e bukur shqipe. Shkolla gumëzhinte nga zëri i bukur i nxënësve shqiptar, por tani atje kjo këngë e kjo gjuhë dëgjohet gjithnjë e më rrallë. Është e tmerrshme dhe njeriu ndjehet keq kur mësimdhënësi shkon në klasë dhe aty është vetën një nxënës shqiptar”, ka treguar Daci.
Duke përmbyllur pjesën tematike të ditës së dytë të Manifestimit, veprimtari i njohur i çështjes shqiptare dhe lideri i Lëvizjes “ Vetëvendosja”, Albin Kurti ka kujtuar data e ngjarje me rëndësi për kombin. Ai ka veçuar se, dikur sistemi komunist, e më vonë edhe sisteme të tjera në disa pjesë të ish Jugosllavisë, kanë punuar në mënyrën më të programuar kundër gjuhës shqipe dhe çdo gjëje shqiptare. “ Jugosllavia e Titos me politikën më perfide shpërndau shqiptarët , që mbeten padrejtësisht ishin ndarë nga trungu i Shqipërisë nënë, në tri republika. Tani më shpërbërjen e asaj kreatore, shqiptarët kanë mbetur disi larg njëri- tjetrit. Është e tmerrshme kur në trojet shqiptare ende nuk punohet me të njëjtën abetare e as me të njëjtat tekste letrare. Keq e shumë keq është gjendja në trojet etnike shqiptare të administruara në Mali i Zi e Serbia, por keq e ka punën çështja shqiptare edhe në Kosovë sepse vazhdojë tendencat për decentralizime e për t’i larguar shqiptarët nga njëri-tjetrit e për t’i bashkuar e afruar serbët sa më afër. Shqiptarëve u është vënë këmba mbi kokë dhe vazhdohet të kërkohet nga ta tolerancë. Ka edhe tendenca për krijim të kombit dhe gjuhës së re dhe kjo ngjan në tendencat e dikurshme serbe që shqiptarët dhe gjuhën e kulturën e tyre ta ndanin e përçanin. Shqiptarët duhet ta ruajnë e kultivojnë kudo janë idealin për bashkim e unitet kombëtar, në të kundërtën do të jenë gjithmonë të rrezikuar nga asimilimi dhe zhbërja”, ka thënë Kurti. Pas kësaj dita e dytë e Manifestimit ka vazhduar me pjesën artistike. Janë prezantuar me këngë e melodi tipike shqiptare nga të gjitha trojet etnike Ansambli “ Selman Kadrija” nga Burimi e Azem Lukaj dhe aktorët Shpejtim e Qëndrim Jashari.
Pjesëmarrësit e manifestimit kanë lavdëruar punën dhe angazhimet që po bën Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” dhe kanë apeluar që të vazhdohet me bashkëpunimin vëllazëror me të gjitha trojet etnike shqiptare. Ishte ky një Manifestim shkencor e kulturor në shenjë përkrahjeje
e respekti për Malësinë e madhe.
Rrahman Jasharaj