Preshevë, 26 dhjetor (presheva.com) – Me urdhër të prokurorisë për krime të luftës, policia e Serbisë ka arrestuar 10 pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me dyshimet se kanë kryer “krime në tre lokacione të komunës së Gjilanit”, thuhet në komunikatën e prokurorisë në Beograd.
Policia e Serbisë sot herët në mëngjes ka nisur aksionin për arrestimin e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Preshevë.
Të arrestuar janë: Agush Memishi, Nazif Hasani, Ahmet Hasani, Faton Hajdari, Samet Hajdari, Kamber Sahiti ,Burim Fazliu, Sylejman Sadiku, Ferat Hajdari dhe Fatmir Sahiti – ky i fundit mbetet per gjykim në prokurorinë komunale nè Preshevë.
Sipas njoftimeve të mediave serbe,” udhëheqësit e grupit të Gjilanit” Ali Hajdari, Rexhep Aliu dhe Shaqir Shaqiri jetojnë në Gjilan dhe policia serbe nuk mund t’i arrestojë.
Sipas mediave serbe, ky aksion është ndërmarrë në bazë të kallëzimit penal për krime lufte kundër popullsisë civile në Gjilan. Ministri i brendshëm i Serbisë Ivica Daçiq ka deklaruar se aksioni ka filluar sot herët në mëngjes dhe se ka të bëjë me krimet kundër popullsisë civile serbe dhe joshqiptare në rajonin e Gjilanit, ku janë vrarë 59 civilë. Sipas Daçiqit, janë arrestuar 10 persona dhe janë bastisur 17 objekte.
Sipas burimeve tona, në aksionin e sotëm të xhandarmerisë, arrestimet janë bërë në fshatrat Norçë, Rahovicë dhe Miratoc si dhe në rrugën e Gjilanit për rreth autostradës Preshevë-Gjilan.
Arrestimet e sotme ndaj shqiptarëve kanë shkaktuar shqetësim te shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe mënyra e arrestimit të tyre ka ndjellë frikë dhe ka penguar shumë nxënës të mos shkojnë në shkollë.
Minstri serb i punëve të brendshme dhe njeherësh shef i SPS-it qeveritar e dikur bashkëpunëtori më i ngushtë i Sllobodan Milosheviqit, Ivica Daçiq, tha se ndaj tyre do të shpallet “flet- arrest ndërkombëtar”, por duke shtuar se ata nuk ndodhen në “territor të një shteti tjetër” dhe se do të kërkohet ndihmë nga UNMIK-u për arrestimin e tyre.
Ndonëse ende nuk ka reagime nga Prishtina zyrtare, vet ndjekja e krimeve te supozuara- të kryera ne territorin e Kosoves, patjetër që paraqet vazhdimin e pretendimit të Beogradit zyrtar për jursidiksion dhe, rrjedhimisht, sovranitet edhe në territorin e Kosovës.
Baki Rexhepi
Foto PressOnline