Faleminderit George W. Bush!

Sot presidenti i 43-të i Shteteve të Bashkuara George W. Bush mbyll mandatin e tij të dytë presidencial, duke ia lënë vendin presidentit të 44-t, zotit Barak Obama. Dita e sotshme natyrisht që përfaqëson një ditë solemne dhe historike për kombin amerikan, pasi për herë të parë në historinë e këtij vendi një afroamerikan hyn në Shtëpinë e Bardhë si president i SHBA-ve. Sot një president del nga Shtëpia e Bardhë për t’ia lënë vendin një presidenti tjetër, që hyn në Shtëpinë e Bardhë, lëvizje këto që shënojnë fundin e epokës “Bush” dhe fillimin e epokës “Obama” nga ana tjetër, duke kompletuar edhe dy anë të së njëjtës medalje. Njëra anë e medaljes ofron sfidat për Presidentin e ri Barak Obama, që po hyn në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa ana tjetër ofron qetësi për Presidentin George W. Bush, që po del nga Shtëpia e Bardhë. Duke filluar nga sot, vëmendja jo vetëm e amerikanëve, por edhe e mbarë politikës botërore nuk do të përqendrohet më te Presidenti Bush, por te pasardhësi i tij në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Barak Obama dhe sfidat jo të lehta që e presin atë gjatë 4 vjetve të ardhshme. Duke filluar nga sot, Presidenti George W. Bush i takon fondit të historisë së Shteteve të Bashkuara.
Natyrisht që gjatë 8 vjetve të Presidencës “Bush”, si për çdo president të një vendi demokratik, janë shkruar mjaft artikuj dhe shkrime, janë bërë mjaft analiza, komente dhe kritika. Gjatë presidencës së tij 8-vjeçare Presidenti Bush u përball me sfida të vështira, të cilat sollën edhe vendimmarrje të vështira në kushte të vështira, shpeshherë edhe në kushte lufte. Edhe në fjalimin e lamtumirës të para disa ditëve Presidenti Bush theksoi se sot disa gjëra edhe mund t’i bënte ndryshe, çfarë tregon edhe reflektimin e tij ndaj gabimeve të veta. Gjithsesi, vendimmarrja më e vështirë mbetet ajo që ndërmerret në kushte të vështira, vendimmarrje që gjithmonë ka risk të lartë nga njëra anë, por edhe profit të madh nga ana tjetër, nëse gjërat shkojnë mirë. Fatkeqësisht, gjërat në SHBA, sidomos gjatë vitit të fundit, nuk kanë shkuar edhe aq mirë, gjë që natyrisht ngarkon me përgjegjësi edhe Presidentin Bush dhe administratën e tij.

Gjithsesi, qëllimi i këtij shkrimi nuk është analiza e Presidencës “Bush” dhe efektet e saj brenda apo jashtë Shteteve të Bashkuara, sesa rikujtimi i disa momenteve shumë të rëndësishme të Presidencës “Bush” lidhur me Ballkanin dhe sidomos me çështjen shqiptare, për të cilat Presidenti Bush ka një meritë të jashtëzakonshme. Çështja më e rëndësishme për shqiptarët e Ballkanit, por edhe për stabilitetin e Ballkanit ishte çështja e statusit përfundimtar të Kosovës, çështje e cila gjeti zgjidhje më 17 shkurt 2008 në saje të përkrahjes pa rezerva të Shteteve të Bashkuara, të Presidentit Bush dhe të administratës së tij. Nëse Kosova sot është e pavarur, merita kryesore u takon pa diskutim SHBA-ve, gjë që ne shqiptarët këtë duhet ta kemi shumë mirë parasysh dhe të mos e harrojmë kurrë. Edhe ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008, ndonëse ishte në një vizitë zyrtare në një vend afrikan, Presidenti Bush ishte ndër të parët që e përshëndeti dhe bekoi pavarësinë e Kosovës. Shteteve të Bashkuara ishin ndër të parat që njohën zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Natyrisht që qëndrimi i Presidentit George W. Bush ishte në vijimësi të qëndrimeve të paraardhësve të tij në Shtëpinë e Bardhë, respektivisht presidentëve Klinton dhe Bush Senior. Çështja e dytë shumë e rëndësishme për shqiptarët, por edhe për Ballkanin ishte çështja e anëtarësimit të vendeve të “A-3”-shit (Kroacisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë) në NATO dhe posaçërisht Shqipërisë, për të cilën Presidenti Bush dha një mbështetje të jashtëzakonshme. Shqipëria do të bëhet anëtare e NATO-s në prill të këtij viti falë mbështetjes strategjike të ofruar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj të NATO-s. Gjithashtu gjatë Presidencës “Bush” Mali i Zi (ku sipas statistikave zyrtare rreth 7% e popullsisë janë shqiptarë) fitoi pavarësinë, gjë që solli edhe zgjerimin dhe respektimin e të drejtave të shqiptarëve. Po ashtu gjatë Presidencës “Bush” të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë janë zgjeruar dhe sanksionuar konform standardeve dhe konventave ndërkombëtare.
Presidenti Bush ishte presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë, duke parë dhe prekur realitetin shqiptar proamerikan si dhe mikpritjen shqiptare. Në përfundim do të thosha se Presidenti Bush ka qenë i suksesshëm në politikën e tij në Ballkan, duke treguar edhe një mbështetje të jashtëzakonshme ndaj shqiptarëve të Ballkanit. Presidentë të tjerë do të hyjnë e do të dalin nga Shtëpia e Bardhë në të ardhmen, por Presidentit George W. Bush do t’i takojë një vend i veçantë në memorien e kombit shqiptar si presidenti i parë amerikan që vizitoi Shqipërinë dhe mbështeti fuqishëm dhe pa asnjë lloj rezervë të drejtat e shqiptarëve në Ballkan. Prandaj ne shqiptarët duhet t’i jemi mirënjohës gjithmonë dhe në këtë ditë solemne për Amerikën t’i themi: “Faleminderit George W. Bush!”.

Aleksandër Biberaj

KOMENTOJE