Apel publik Institucioneve të Kosovës dhe partive shqiptare në Mal të Zi

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” me seli në Pejë e Tuz ka përcjellë me shqetësim gjendjen shumë të rëndë të shqiptarëve në Malësinë e Madhe, që është krijuar atje me vite nga një politikë jo e drejtë e pushtetit të Malit të Zi. Kjo gjendje është bërë edhe më e rëndë pas 9 shtatorit të vitit 2006 kur ndodhi aksioni famëkeq “Fluturimi i shqiponjës”, i përcjellë me dhunë të paparë e me arrestime të shqiptarëve nga forca speciale malazeze, që po shprehnin haptazi urrejtje ndaj simboleve, gjuhës dhe çdo gjëje shqiptare. Për këtë gjendje Shoqata jonë ka alarmuar përmes shkresave publike, por edhe përmes protestave artistike e konferencave për media në Prishtinë, në të cilat intelektualë e familjarë nga Malësia kishin prezantuare me tmerruese gjendjen reale e shumë të rëndë në Malësi. Gjithë këto përpjekje në kërkim të një zëri zyrtar të institucioneve të Kosovës e Shqipërisë që të vihen në mbrojtje të të drejtave elementare të malësorëve nuk solli ndonjë angazhim konkret të këtyre institucioneve. Nga ana tjetër, po vërejmë sot e gjithë ditën, institucionet e larta malazeze pa humbur as edhe një minutë u hodhën në mbrojtje të kërkesave të një Shoqate malazeze dhe dërguan mesazhe të qarta të kërkesave, po bëjnë edhe vizita në Kosovë duke kërkuar publikisht nga krerët e institucioneve të Kosovës që kërkesa e asaj shoqate malazeze të përfillet dhe që pakicës malazeze, e cila dikur vetë ishte tjetërsuar në popull serb, t’i bëhet vend në Kushtetutën e Kosovës.

Shoqata jonë s’ka pse të mos thotë me një zë të përvajshëm i lumtë qeverisë malazeze dhe institucione të larta shtetërore atje. Ata me të dëgjuar zërin e një Shoqate të tyre për malazezët u hodhën në ofensive dhe paraqiten kushte ndaj Kosovës. Por, në të njëjtën kohë Shoqata jonë shton zërin e kritikës ndaj heshtjes, edhe pas këtyre kërkesave të Malit të Zi. Institucionet e Kosovës e kanë borxh ndaj Malësisë dhe gjithë ndihmës që ajo e bijtë e saj i kishin dhënë vendit e popullit tonë në ditët më të tmerrshme, që të bëhen zë i saj dhe ta bëjnë një vizitë kthyese në Mal të Zi dhe pas takimeve me popullin shqiptar atje të shtrojnë kërkesat që qeveria e Malit të Zi të respektojë të drejtat e shqiptarëve atje, që janë popull autokton në trojet stërgjyshore. Qeveria jonë e ka të drejtën, e tani pas vizitës së Rifat Rastonderit dhe kërkesave malazeze, që të kërkojë edhe sqarime pse po mbahen në burg pa as një faj 10 malësorë. Qeveria jonë duhet të kërkojë lirimin e tyre dhe të kërkojë nga Gjukanoviqi marrëveshje të ndërsjellë dhe garanci se ajo qeveri do të respektojë tani e gjithmonë të drejtat e garantuara me Konventa ndërkombëtare shqiptarët, që jetojnë me shekuj në t rojet e tyre etnike atje. Nëse institucionet e Kosovës edhe tani e tutje vazhdojnë me heshtjen dhe mos angazhimin në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve në Mal të Zi, atëherë Shoqata dhe gjithë Malësia dhe malësorët kudo janë në botë do ta konsiderojnë se Kosova nuk jep pesë para për ata që dikur dhanë gjithë sa mundën e çka kishin për ta ndihmuar agun e lirisë te ne. Shoqata jonë këtë apel do ta drejtojë për në kryeministrinë e Kosovës përmes adresës, hajdar.beqa@ks-gov.net që është e shefit të Kabinetit të dy zv. kryeministrave të Kosovës, z. Hajdar Beqa dhe lusim intelektualët dhe Shoqatat e Ansamblet kulturore nga Malësia e diaspora që me apele të ngjashme e në këtë adresë t’i drejtohen edhe ata këtij institucioni të lartë të Kosovës.

Shoqata i drejton apel publik edhe partive shqiptare në Mal të Zi që të bashkohen dhe me kërkesën e përbashkët e me një zë të vetëm ta vizitojnë Kosovën dhe në takimet me krerët e institucioneve këtu të kërkojnë zëshëm e publikisht që Kosova të angazhohet në takime zyrtare me malazezët për vënien në jetë të kërkesave legjitime të shqiptarëve atje dhe për mbrojtjen ligjore e kushtetuese të të drejtave të garantuara për malësorët, që janë popull autokton në trojet e tyre. Nëse nuk bëni kështu atëherë Shoqata jonë do të drejtojë një apel popullit të Malësisë dhe shqiptarëve në SHBA e kudo në botë që të vë në pikëpyetje votën e tij ndaj jush. Ju, parti shqiptare keni kërkuar dhe keni marrë votën e Malësisë dhe prandaj keni obligim që të bëhen zëri dhe mbrojtësi i saj.

Shoqata e Vëllazërisë Kosovë – Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”
Zëdhënësi i saj : Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE