Lidhja Demokratike në Mal të Zi është parti politike e qytetarëve të lirë, të organizuar vullnetarisht me qëllim të pjesëmarrjes aktive në jetën politike, shoqëroro-ekonomike dhe kulturore, duke shprehur dhe avancuar specifikat nacionale të popullit shqiptar në trojet e veta shekullore, sot në Malin e Zi, me qëllim të përfaqësimit politik …dhe mbrojtjes së të drejtave e interesave të tyre.
Përfaqësuesit e shqiptarëve, nga vatrat e tyre shekullore sot në Mal të Zi: nga Rozhaja, Plava dhe Gucia, Malësia – Tuzi, Kraja – komuna e Tivarit, nga Ana e Malit e Ulqini, u mblodhën më 9 shtator 1990 në Tuz, në Kuvendin themelues dhe formuan partinë e parë politike të shqiptarëve në Malin e Zi. Kryetari i Kuvendit themelues ishte aktivisti i njohur dhe atdhetari zotëri Lekë Lulgjuraj. Partia është organizuar sipas principit territorial e demokratik. Parimet themelore që përmbajnë dokumentet programore të partisë pasqyrojnë interesat politike, ekonomike e nacionale të qytetarëve, të cilët LD në MZ i përfaqëson në mënyrë legjitime – të shqiptarëve.
Si Parti e qendrës së djathtë, LD në MZ synon të zhvillojë dhe të mbrojë interesat nacionale të shqiptarëve, demokracinë, të drejtat individuale dhe kolektive, liritë e njeriut dhe prosperitetin ekonomik, si dhe të mbrojë rregullin dhe shtetin juridik e demokratik, të bazuar në ekonominë e tregut dhe respektimin e pronës.
LD në MZ angazhohet: të mbrojë interesat nacionale me anë të përfaqësimit autentik, të drejtat dhe liritë e njeriut, si dhe të drejtat nacionale kolektive të shqiptarëve në Malin e Zi dhe të qytetarëve të tjerë, të bazuara në orientimet programore të LD në MZ-së, duke respektuar dokumentet dhe marrëveshjet ndërkombëtare; të ndërtojë demokracinë, duke respektuar të drejtat e njeriut të mbrojtura me standarde ndërkombëtare, të bazuara në bashkësinë e njerëzve të lirë dhe të ndërgjegjshëm, të cilët bashkëpunojnë, respektojnë njëri-tjetrin dhe marrin përgjegjësi të përbashkëta të ndërtojë shtetin juridik me raporte të balansuara dhe pushtete të ndara qartë, si garant për jetën, lirinë dhe të drejtat e qytetarëve, të garantuara me kushtetutë dhe ligje demokratike; të garantojë të drejtat e pronës private, paprekshmërinë e saj dhe të drejtën e pronarit që ta administrojë, trashëgojë dhe kompenzimin e saj me vlerë të plotë të tregut.
Veprimtaria polike e LD-së, në të gjithë rrafshin politik të Malit të Zi, ku gjendet tash gati dy dekada, në kushte të pushtetit krejtësisht të centralizuar, ka qenë e kufizuar, çka bukur shumë e ka zvogëluar mundësinë e realizimit të synimeve programore të Partisë. Gjatë tërë kësaj kohe, raporti i pushtetit aktual ndaj shqiptarëve dhe të drejtave të tyre e territoreve ku ata jetojnë, ka qenë herë i hapur, herë i mbuluar, herë i ashpër e i fuqishëm e herë i butë, por injorues, madje edhe diskriminues, në kundërshtim me parimet demokratike dhe parimet e gatitshmërisë për vendosjen e besimit reciprok të vërtetë e të drejtë ndërnacional, si kusht dhe garant për ndërtimin e shoqërisë përparimtare dhe stabile, të drejtave dhe shanseve vërtetë të barabarta.
Si dëshmi për tërë këto i sjellim disa shembuj: Centralizimi i pushtetit, i cili ka filluar në vitin 1992 e po vazhdon edhe sot, si p.sh. me aprovimin e para pakkohësh ( më 26.03.09) të Ligjit për Pasurinë Shtetërore, ku nga deputetët shqiptar unë isha kundër (paraqita 11 amandamente, por si zakonisht shumica qeveritare DPS-SDP-UDSH, i refuzoi) me të cilin shteti në mënyrë arbitrare vë të drejtën e pronësisë pothuajse mbi tërë pasurinë e komunave, si p. sh. të ndërtesave të shkollave, madje edhe të ndërtesës së Shkollës Fillore, që pas termetit të 1979 ishte donacion i Italisë, Shtëpia e Shëndedtit donacion i Rumanisë komunës së Ulqinit, madje e tërë ish pasuria joperspektive e ish ushtrisë etj. etj. ; Politika dhe praksa okupatore e koloniste përmes të ashtuquajturit privatizim duke mos pyetur
pushtetin lokal…; Anulimi, dy herë, i Vendimit të KK Ulqinit për Emërtimin e Rrugëve dhe Shesheve nga Gjyqi Kushtetues, vetëm sepse ato ishin në gjuhën shqipe dhe ishin emra nga kultura shqiptare…; Aksioni policor „Fluturimi i shqiponjës“, arrestimi dhe tortura ndaj qytetarëve të
pafajshëm shqiptarë të Malësisë; Mosrealizimi i të drejtës për vetëqeverisje lokale në territorin e Malësisë; Pastaj rasti i Valdanosit, mënyra e administrimit të të mirave detare, shfrytëzimi i „Plantazhave“, projekti i Parkut Nacional „Prokletije“ në komunën e Plavës, me të cilin po tentohet që edhe në të ardhmen të mbahet tampon zona në mes shqiptarëve në trojet e veta, sot në Malin e Zi dhe shtetit amë Shqipërisë, dikur me ushtarë të armatosur, tash me polici, e nesër me renxherë të armatosur, moslejimin e regjistrimit të partive politike shqiptare në gjuhën shqipe, mos lejimin e përdorimit të flamurit kombëtarë në institucionet shtetërore e komunale me rastin e festave kombëtare shqiptare (Ditës së Flamurit, Ditës së Mësuesit etj) si dhe shumë shembuj të tjerë, të cilët dëshmojnë më së miri raportin e këtij pushteti ndaj shqiptarëve në Malin e Zi.
LD është qartë e përcaktuar për privatizim të drejtë, pa të cilin nuk mund të ketë shoqëri demokratike dhe përparimtare, por jo plaçkitës e kolonizues..
LD në MZ gjithsesi edhe më tej do të angazhohet për realizimin e qëllimeve të veta, të cilat shkojnë drejtë definimit final të statusit të shqiptarëve në Malin e Zi. Në këtë drejtim, prioritet i veprimtarisë sonë politike edhe më tej do të jenë:
Decentralizimi i pushtetit
Jetësimi i komunës së Tuzit me të drejta të plota dhe në kufinjt natyrorë të Malësisë
Përfaqësimi autentik në të gjitha organet dhe nivelet e pushtetit në MZ
Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të pakicave, duke zbatuar mekanizmat, praksën pozitive dhe standardet e njohura ndërkombëtare
Arsimimi në gjuhën amtare shqipe në të gjitha nivelet
Administrata në gjuhën shqipe, dokumentet personale publike
Institucionet nacionale: fakultetet, bibliotekat, institutet…
Anulimi i Ndërmarrjes Publike Shtetërore për Administrimin e të Mirave Detare, të cilën ne me të drejtë e quajtëm „të këqiat detare“
Kthimi i pronës së marrë dhe të nacionalizuar ose kompenzimi i drejtë i saj ish-pronarëve (Valdanosi, ish-Ekonomia ushtarake në Shas, në Malësi, pyjet në Plavë e Rozhajë etj.)
Shfrytëzimi i „Plantazheve“ me qëllim zhvillimor të territorit në të cilin ato gjenden
Lirimi i përmendoreve të kulturës dhe majave të maleve nga tentativat e përvetësimit nga kisha pravosllave serbe (në ishujt në liqenin e Shkodrës, heqjen e kishes së metaltë nga maja e malit Rumi, mbetjet – themelet e muranat e Shën Mërisë – Kishës së Krajës nga shek. i 10-të etj.)
Ndryshimin e planit hapësinor dhe anulimi i Parkut Nacional „Prokletije“
Kundër korrupcionit, krimit të organizuar dhe gjendjes monopoliste në vend
Kundër diskriminimit
Në fund duhet shtuar se anomalia e gjithë kësaj bëhet edhe më e madhe kur dihet kontributi i padiskutueshëm i shqiptarëve në rrjedhat demokratike, antiluftë e pro referendum në këto hapësina.
Mehmet BARDHI
Autori është bartës I LISTËS SHQIPTARE: Lidhja Demokratike në Mal të Zi – Mehmet Bardhi dhe Alternativa Shqiptare – Gjergj Camaj, në zgjedhjet parlamentarte të 29 marsit 2009 në MZ.