Populli sfidon liderët

Zgjedhjet e 29 marsit për shqiptarët në Mal të Zi ishin nje sfidë tjetër, një sfidë ndaj të gjithë atyre që mendonin se votat e shqiptarëve do të shpërndahen duke rrezikuar fitimin e përfaqësuesve shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi. Ndodhi ajo që as optimistët më të mëdhenj nuk e prisnin – fituan katër nga pesë vendet e mundshme në parlament. Votuesit shqiptarë votuan me një vetëdije të lartë kombëtare, duke dëshmuar se shqiptarët janë politikisht të pjekur dhe se ata dinë të sjellin vendime të rëndësishme politike.
Atë që liderët tanë politik nuk arritën dot ta bëjnë – koalicionin gjithshqiptarë, e kurorëzoi në mënyrën më të mirë të mundshme për momentin, populli ynë. Ai veproi me mençuri, duke vlerësuar atë që ishte për tu vlerësuar dhe duke ndëshkuar atë që ishte për tu ndëshkuar, tek liderët politik dhe partitë politike. Kësaj rradhe nuk votuan me eufori, të udhëhequr nga premtimet parazgjedhore apo mashtrimet e “dhuratave të Babadimrit”. E kuptuan se vota e tyre kushton më shumë se kaq, se është në pyetje përfaqësimi i denjë si dhe jeta e tyre dhe e fëmijëve të tyre.

Ajo që reflektoi dhe rezultoi me sukses, ishte konkurrenca brendapartiake, ndërpartiake si dhe ajo regjionale. U dëshmua se, jo vetëm në ekonomi por edhe në politikë, konkurrenca është ajo që i shtyn të gjithë pjesëmarrësit të angazhohen maksimalisht për fitore. Në një garë atletike, pjesëmarrësit do të vrapojnë më shpejt, sa më shpejt që vrapon i pari.
Kësaj rradhe kishim një fushatë më tolerante dhe më korrekte. Kësaj fryme i kontribuan më të rinjtë.
Lë për të dëshiruar përpilimi i listave, ku kriter kryesor është ai – “qytetar”, “katundar”, “musliman”, “katolik” etj., duke lënë anash atë që është më me rëndësi – aftësitë, autoritetin e atributet tjera të kandidatëve, pra CV-të e tyre. Ende është më me rëndësi prej nga je sesa kush je. Kjo është e keqja e të gjitha të këqiave sepse subjektet politike duhet të jenë pionierë të ndryshimeve pozitive, e jo promotor të ndasive, duke hapur edhe më thellë hendekun ekzistues.
Me siguri me kalimin e kohës gjeneratat e reja do t’i tejkalojnë këto, duke favorizuar mbi të gjitha aftësitë e kandidatëve, e jo përkatësinë e tyre, çfarëdo qofshin ato.

Ky fenomen duhet të na brengos të gjithëve, duke na obliguar për një angazhim më të madh në eliminimin e kësaj dukurie negative që për fat të keq vjen duke u thelluar. Subjektet politike dhe liderët e tyre kanë për detyrë të angazhohen në eliminimin e saj, e jo ta ushqejnë e ta kultivojnë atë, duke ndërtuar mbi të karrierën e tyre politike.
Pra, kjo nuk don vetëm kohë, por edhe vullnet të mirë të të gjithëve, e sidomos të liderëve politik. Populli këtë e din mirë, por ata të udhëhequr me karrierizëm nuk zgjedhin metoda për realizimin e qëllimeve egoiste sipas parollës “qëllimi arsyeton mjetin”.
Një dukuri tjetër negative që është prezente te subjektet tona politike është mosrespektimi, gjegjësisht injorimi i grave dhe vajzave, sado të afta të jenë ato. Edhepse ato përbëjnë mbi 50% të votuesve, janë të shkolluara e të ngritura, duke treguar gjatë tërë shkollimit dhe punës aftësi që shpeshherë i tejkalojnë ato të meshkujve, numri dhe rangimi i tyre është vetëm formal. Është për të ardhur keq për mentalitetin e të gjithë atyre aktorëve që pajtohen me këtë gjendje në subjektin e tyre politik, por edhe për ato femra qe pajtohen me një rangim të tillë.
Kjo vazhdon ta përcjellë femrën që nga fillet e pluralizmit si një hije e zezë që nuk po i shkëputet dot, edhepse shumë prej tyre japin kontributin e vet që nga fillimi i proceseve demokratike, atëherë kur shumë meshkuj nuk e kishin atë guxim.
Në subjektet politike shqiptare asnjë femër nuk është në vendet udhëheqëse e vendimmarrëse. Megjithatë e dimë mirë se kemi femra të shkolluara, të afta e të ngritura, femra që e meritojnë një vend të tillë dhe me të cilat duhet të krenohemi. Si duket, femrat janë zezaket e viteve ‘60 të Amerikës, se sot e dimë ku kanë arritur ata. Për çdo ndryshim së pari dhe më së vështiri është të ndryshosh veten. Ne këtë e arritëm, por kemi edhe shumë punë për të bërë, pra të ndryshojmë 50 % tjetër, mentalitetin e meshkujve.
Femrat vazhdojnë të punojnë por gjithnjë prapa skene, duke përkrahur të tjerët dhe duke ushtruar misionin më të shenjtë – rritjen dhe edukimin e fëmijëve, shkollimin e frymëzimin e tyre për të ecur me hapa sa më të mëdhenj drejt diturisë, duke i vetëdijësuar se vetëm të ditur e të mençur mund t’i kontribojmë vendit dhe kombit tonë të shtrenjtë.

Megjithë të metat e shumta, të cilat shpresojmë që do të korrigjohen në zgjedhjet e ardhshme, është për tu admiruar vullneti politik i popullit shqiptar, i cili, megjithëse i shprehur si shumë e opsioneve të ndara – tregon unitet dhe premton një të ardhme më të mirë për të gjithë ne.

Shefika Beqaj Gjoni
Autore e projektit të Revistës së parë për femra në gjuhën shqipe

KOMENTOJE