SH.K.A-të nga Malësia kremtojnë 6 prillin Ditën e Kryengritjes së Malësisë

Ngjarje e tillë, padyshim është Kryengritja e Malësisë, që siç thotë studiuesi Romeo Gurakuqi, e dridhi diplomacinë botërore të kohës dhe iu imponua asaj si temë e pashmangshme e diskutimit.
6 prilli, dita e ngritjes së parë të flamurit kombëtar në një territoz zë çliruar pas ngritjes që ia bëri Gjergj Kastrioti, më 1443 u bë inspirim poetik e patriotik për të gjitha gjeneratat e mëvonshme.
Thirrjen e kësaj ngjarjeje e ndjeu Këshilli organizativ i SH.K.A të Malësisë që na mblodhi sonde këtu.
Shqiponja dykrenore e flamurit kombëtar është ulur sot ndër ne. I ndezi zemrat dhe ndjenjat tona. Për këtë është përkujdesur Ansambli folklorik Shqiponja me recitalin e rastit.

Është bërë tashmë traditë që për ngjarjen e festës, ta ngre dikush dollinë. Ta thonë fjalën e përgaditur të rastit. Kësaj radhe ky nder i ka takuar studiuesit të asaj që mund të merret ende nga goja e malësorëve, pa i lënë anash faktet historike që për çdo ditë po e pasurojnë bibliografinë e Kryengritjes së vitit 1911.
Ftojmë folësin e rastit z. Fran Camaj që tu drejtohet,

Fjala e rastit e Fran Camajt në manifestimin që SHKA-të nga Malësia organizuan me rastin e 6 Prillit- Ditës së Kryengritjes së Malësisë

PËR NJË MALËSI TË BASHKUAR

Të nderuar zonja e zotërinj,
Jemi tubuar sot këtu për të shënuar, padyshim, ngjarjen më të rëndësishme në historinë shumëvjeçare të Malësisë së Madhe dhe njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë së përgjithshme të popullit tonë. Fjala është për 6 prillin e vitit 1911, kur luftëtarët e lirisë, pas 12 ditë lufte të përgjakshme, arritën të ngritin Flamurin kombëtar në majë të Bratilës legjendare, pranë Deçiqit- Olimpit të Malësisë.
Kështu pra, kryengritja, e filluar më 24 mars, e cila u përhap menjëherë në tërë Malësinë, u kurorëzua me ngritjen e simboli të atdhedashurisë, qëndresës, rezistencës dhe të flijimit. Por kjo nuk do të thotë se atë ditë Malësia u çlirua përfundimisht. Përkundrazi, lufta do të vazhdojë me intensitet të shtuar dhe do të zgjerohet në të gjitha viset tjera shqiptare. Kryengritja, pra, ishte fillimi i fundit të sundimit otoman në këto troje. Edhe pse Malësia jonë u çlirua vetëm përkohësisht dhe Kryengritja u shua me gjak, jehona e saj ishte e madhe, si në vend, ashtu edhe në mbarë Evropën dhe botën.
“Sulltani dërgon rishtas në Shqipni Turgut Pashën. Ky urdhënon t’i dorëzohen armët. Malësorët s’i binden urdhnit. Mjerisht ushtarëve tanë tashti u bjèn mbas shpinet Et’hem Pasha. Lekët lëshojnë shtëpi e tokë, por jo zemër as trimni. Europa bindet, shkruan aso kohe poeti i madh kombëtar, Patër Gjergj Fishta. Në këtë mënyrë malësorët trima i treguan pushtetit otoman se askurrë nuk do të pranojnë të jetojnë nën sundimin e tij, kurse atyre që lakmonin tokat shqiptare, u rekomanduan që t’i shuajnë orekset, se shqiptarët nuk pranojnë zëvendësimin e një pushtuesi me tjetrin.
Shpirti i kryengritjes së vitit 1911, edhe kësaj radhe, qe “Heroi i Traboinit”, Dedë Gjo’ Luli, ky burrë energjik, me karakter të fortë, që nuk bëri kurrë asnjë lëshim në kurriz të të drejtave të malësorëve dhe të shqiptarëve në përgjithësi, madje edhe atëherë kur iu nënshtrua kërcënimeve dhe joshjeve nga më të veçantat , shprehet studiuesi Raspa Vinçenzella.
Avni Rrustemi nga Roma më 1923, kur mori lajmin se e kishin zgjedhur anëtar nderi të Komitetit “Dedë Gjon Luli” për ndërtimin e përmendores së heroit tonë, shkruan: “Gëzohem që u muar inisiativa për t’i ngrehun nji monument Burrit pa frikë e pa njolla të malësive tona, që kështu të jehojë emni i të njohunit në brezat e ardhshëm. Shkrimet dhe thëniet e tilla dhe të ngjashme janë të panumërta, jo vetëm për Dedë Gjon Lulin, por edhe për të gjithë udhëheqësit dhe luftëtarët e tjerë të Kryengritjes dhe të luftërave tjera të shumta, që nuk janë ndërprerë askurrë në të gjitha kohërat. Andaj nuk është nevoja të zgjasim shumë me histori, por ndiej nevojë të theksoj se ai popull, i cili nuk i nderon dhe nuk i përkujton njerëzit e vet të mëdhenj, që kanë shënuar një periudhë të caktuar të historisë, që nuk nderon ngjarjet dhe personalitetet më me vlerë nga e kaluara, ai nuk mund të ketë të ardhme të lumtur.
Natyrisht, kjo nuk do të thotë se duhet të jemi robër të së kaluarës, por duhet të mësojmë nga ajo, në mënyrë që të ardhmen tonë ta bëjmë më të bukur dhe më të lumtur. Andaj organizimet e këtilla, sado modeste qofshin, kanë peshë të madhe.

Të nderuar vëllezër e motra,

Malësia gjatë periudhave të ndryshme historike, edhe pse shumë herë e robëruar, e plaçkitur, e djegur dhe e pjekur, gjithmonë ka dhënë trima e burra kuvendit, njerëz të armës, por edhe të penës. Ata askurrë nuk kanë kursyer asgjë për të ardhme më të mirë të popullit tonë. Për këto dhe ideale tjera kanë flijuar shumë, madje edhe jetën e vet dhe të familjeve të tyre.
Por, të them të vërtetën, ata janë flijuar për një Malësi të ndryshme nga kjo që kemi sot. Për një Malësi pa ndasi fetare e fisnore, pa urrejtje e përçarje, pa smirë e zili, për Malësinë e të gjithëve, sepse ajo nuk mund t’i takojë as një individi, e as një grupi. Ajo është e të gjithë malësorëve. Andaj është detyrim i të gjithë neve, që së bashku, të angazhohemi për prosperitetin e përgjithshëm të Malësisë dhe ta ruajmë atë dhe popullin e saj. Ata që nxisin ndasi e urrejtje, ata janë dhe gjithmonë do të jenë të ndarë e të urryer. Ata vuajnë dhe do të vuajnë, sepse urrejtja dhe smira nuk i lënë të qetë, madje as në gjumë e as në varr kur të shkojnë. Andaj nga ky vend u kisha porositur, në veçanti jú të rinjve: Mos i merrni mbrapa ata që nga lakmia për kolltukë e kuletë, janë verbuar dhe shohin vetëm interesin e vet; Prindër të nderuar- edukoni fëmijët në frymën e dashurisë dhe të respektit midis njerëzve, sepse nga ju ata marrin edukatën e parë familjare; E jù punëtorë të arsimit: Mos harroni se për fëmijët mësuesi është njeriu më i përsosur. Ata në shumë raste u besojnë juve edhe më shumë se prindërve të vet; Meshtarë e hoxhallarë: Shfrytëzoni besimin që ka populli tek ju dhe predikoni dashurinë në mes njerëzve, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Tregojuni atyre, me shembullin tuaj, se as ungjilli as kurani nuk preferojnë ndasi e urrejtje. Përkundrazi; Të gjithë jù vëllezër e motra: Kujtoni at akt të madh të Patër Gjergj Fishtës , i cili më 23 tetor të vitit 1913 shpalosi flamurin kombëtar në kishën e Gjuhadollit, duke e lidhur atë, me kandila (drita), me xhaminë e qytetit të Shkodrës, për të treguar unitetin mes shqiptarëve, për t’u thënë pushtuesve se pavarësisht feje, të gjithë jemi shqiptarë. Kujtoni edhe këto vargje të tij dhe analizoni domethënien e tyre:

Si t’krishtên, si muhamedan,
Shqypnin s’bashkut t’gjith e kan,
E prandej t’gjith do t’qindrojmë,
Do t’qindrojm’e do t’luftojmë,
Kem m’u bâ kortarë-kortarë,
Priftën, fretën, hoxhallarë.

Dhe në fund, zonja e zotërinj, të gjithëve u kisha bërë apel që të hiqni dorë nga marrëdhëniet dhe botëkuptimet fisnore. Me marrëdhënie dhe botëkuptime të tilla nuk mund të shkohet në Evropën e civilizuar, ku padyshim, edhe ne si komb, e kemi vendin. Natyrisht se, edhe përkundër të gjitha sfidave, këtë rrugë nuk do të mund të na e ndalojë askush. Për këtë jam më se i bindur.

Faleminderit!

“E kam da me dalë komitë
Marre Hotit mos i qitë
Dhe me u fikë me ropt e mi
Për këtë truall e këtë Shqipëri”

Kështu drejtohet i madhi Dedë Gjon Luli sipas vargjeve të hotianit tjerë të madh Palokë Traboinit. E si shprehen sot ata që e mbajnë me krenari emrin e heroit tonë kombëtarë Dedë Gjon Lulit?
SHKA Dedë Gjon Luli….

Të shtatë kajlat janë çue n’kamë:
Kah ka ra, medet kjo gjamë?
N’atë Malësi, n’atë Rapshë të Hotit
Dedë Gjon Luli burrë si motit
Me i çetë Lekë, bisha shkorretit
Ka nisë pushkën me asqer t’Mbretit.

Kështu dikur Rapsha e Hotit, e sot para jush na vinë disa rapshianë tjerë me këngë dhe valle, të bindur se ato kurrmë nuk do t’i zavendësojë krisma e pushkës e batares.
SHKA Rapsha….

Marash Junçaj: Këngë për Dedë Gjon Lulin
Rajmonda Marku
Lindon Camaj

Besa mikpritësve të atyre që përpiluan Memorandumin e Greçës, tingëllon edhe sot e ghithë ditën si “një fyell ndër male” me zërin aq karakteristik të fyellit të bariut, me rrahjet e tupanit të kushtrimit, dhe me jehonën e këngës përkrye krahu.
SHKA Besa nga Trieshi….

Na përkujton mbrëmjet e pagjumë të Atë Anton Harapit në qelën e Kishës së Grudës duke përpiluar kërkesat e prijësve të Malësisë drejtua fuqive të mëdha. Të atij Patër Antonit, që u vu në krye të demostratës së Malësorëve në Shkodër.
SHKA Gruda….

Miq të nderuar, adhurues të Malësisë legjendare e trime,ky ishte programi i përgaditur nga shoqëritë kulturo artistike nga Malësia për nderë të përvjetorit të datës së madhe të 6 prillit 1911. Mirutakofshim në rastet tjera.
U përshëndesin Rajmonda Marku dhe Nikollë Berishaj.

FOTOGRAFITË KOMENTOJE