Dëshirë e shuar nga tekat e një zyrtari të ambasadës në Shkup

Nga dëshirat më të mëdha të anëtarëve të Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe Martin Dreshaj” mbetët që të bashkëpunojë sa më afër me gjithë vëllezërit tonë kudo janë në trojet etnike, por edhe në diasporë. Dëshirë e madhe e secilit është që të takohet nga afër me këta vëllezër e të bisedojë ashtu shtruar për gjithë hallet, sfidat, por edhe për arritjet. Një dëshirë e tillë dukej se do të realizohej, së paku për njërin prej tyre, kur u erdhi ftesa zyrtare për pjesëmarrje në festën e shënimit të 98 vjetorit të Kryengritjes së Malësisë së Madhe. Ishte drejtuar kjo ftesë me plot respekt nga Komuniteti Katolik Shqiptar – Shën Pali për zëdhënësin e Shoqatës “Martin Dreshaj” dhe ndiheshim të gjithë të nderuar. Kryesia e Shoqatës bëri të pamundurën në këtë kohë kur në Kosovë të gjithë janë ngritur në këmbë për t’u pajisur për dokumente udhëtimi me shenjat dalluese të shtetit të tyre. U paguan edhe taksa shtesë vetëm e vetëm që çdo gjë të jetë e rregulluar me kohë. U caktua edhe termini për intervistë në Ambasadën në Shkup. Ishin mbledhur edhe më shumë dokumente nga ato që kërkoheshin. Ato tregonin se zëdhënësi i shoqatës është i punësuar. Se është mësimdhënës tani e 27 vite, se është zëdhënës dhe nga anëtarët më aktivë të Shoqatës, ka punuar shumë kohë si gazetar në mediat e Kosovës dhe për të siguruar edhe më shumë argumente bindëse se do të kthehej pas vizitës të vëllezërit tonë ai kishte marrë edhe dëshminë e saktë se është edhe kryetar i Sindikatave të Arsimit Fillor të Kosovës. Të gjitha këto bashkë me ftesën nga vëllezërit tonë u vlerësuan nga kontrollet në ambasadë si dokumente plotësisht valide. Zëdhënësit iu shtua bindja se vërtetë fjalët që i kishin thënë gjithë ata që kishin parë ftesën dhe dokumentet tjera po bëheshin realitet. Koha e zgjatur për ta ftuar në sportelin 3 të ambasadës nisi t’i krijojë dyshime për rrjedhën përfundimtare të intervistës. Zyrtari i këtij sporteli bashkë me përkthyesin më në fund filluan me pyetjet. Fillimisht pyetjet kishin të bënin me angazhimet e zëdhënësit në Kosovë dhe gjithë deklarimet e tij ai i mbulonte me dëshmi e dokumente zyrtare e valide. Pas kësaj nisen bisedat, që për zëdhënësin ishin të papritura dhe që ndjellin dyshime se ai do të mbetej pa vizë nga shkaku i tekave të këtij zyrtari. E pyeten për shkëlqesinë e tij, Anton Kçira dhe se a jeni takuar ndonjëherë me njëri-tjetrin. Zëdhënësi qetazi u përgjigj se ka lexuar shumë për shkëlqesinë e tij dhe se krenohet pse mu Ai është nënshkruar në ftesën. Pas kësaj zyrtari i sportelit 3 shkoi edhe më tutje dhe mënyra si shtronte pyetje e bënte atë me elemente të tekanjozit. Pyeti për Malësinë dhe për Kryengritjen e madhe atje në vitin 1911. Zyrtari i Shoqatës duke u ndier i lirshëm i tregoi këtij zyrtari përmes përkthyesit se ishte ajo kryengritje e madhe e shqiptarëve për liri e pavarësi të trojeve dhe se i ka prirë atdhetari i madhe Dedë Gjo Luli duke ngritur flamurin kombëtar shqiptar një vit më parë se të ndodhte akti tjetër madhor i ngritjes së flamurit shqiptar në Vlorë. Duket se ky shpjegim me ndjenja i zëdhënësit ndikoi çuditshëm të zyrtari i sportelit 3, i cili duke përmendur Ligjet rigoroze të SHBA-ve për shkuarje atje, u shpreh ftohtë se vizita nuk mund të realizohet. “Kam bindjen se ti nuk do të kthehesh nga atje”, tha ai duke përmbyllur këtë intervistë. Zëdhënësi me qëndrim dinjitoz, por mjaft i pikëlluar pse ia shuan pa të drejtë këtë dëshirën e madhe për takimet me vëllezërit në SHBA dhe pjesëmarrjen në festën e krenarisë së përbashkët, ia ktheu: “Unë kam njëmijë arsye të vazhdoj të jetojë në Kosovë. Pata vetëm një arsye të udhëtojë në SHBA e ajo ishte që të takohem me vëllezërit që më kanë ftuar e të kujtojmë bashkë pjesë të lavdisë së kombit tonë. Ju pa të drejt po ma mohoni këtë mundësi dhe nuk keni bërë mirë”, tha ai dhe doli nga ambientet te sporteli 3. Ky vendim i paarsyeshëm i këtij zyrtari pikëlloi gjithë kryesinë dhe anëtarët e Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ata me keqardhje pse ndodhi kështu i drejtohen plot respekt gjithë Komunitetit Katolik Shqiptar – Shën Pali, dhe vëllezërve tonë në SHBA e diasporë me lutjen që të jenë në këtë festë të madhe, por edhe në gjithë momentet tjera unik e të bashkuar dhe t’i dërgojnë vazhdimisht sinjale të dashura Malësisë për t’i treguar se ajo nuk është as e harruar e as e vetme. Shoqata falënderon shkëlqesinë e tij Anton Kçira për gjithë angazhimet e tij fetare e atdhetare dhe për ftesën. Falënderon edhe vëllain tonë Fran Gjoka për angazhimet dhe i kërkon falje për shqetësimet që i kemi krijuar. Falënderojmë Shoqatën Atdhetare “ Malësia e Madhe” për ndihmën dedikuar aktiviteteve tona të përditshme. Falënderon nga zemra edhe vëllain Gjon P. Dedëvukaj për përkrahjen e madhe. Respekt edhe për gjithë vëllezërit tonë kudo janë me betimin se Shoqata jonë do të vazhdojë me angazhimet për ura të reja bashkëpunimi mes vëllezërve dhe trojeve tona etnike. Këtë do ta dëshmojmë edhe në këtë prill në Manifestimin Tradicional “Zëri i Vëllazërisë”. Urojmë që zyrtari i sportelit 3 të Ambasadës dhe përkthyesi i tij të lexojnë pak për historinë e lavdishme nëpër shekuj të popullit tonë dhe të kuptojnë se Kryengritja e Malësisë e vitit 1911 është ngjarje e krenarisë së kombit tonë . Është angazhim sublim kundër pushtuesve e në mbrojtje të lirisë, jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të popujve tjerë liridashës.
Flamuri ynë kombëtar Trimat i rriti,
Në Malësi Dedë Gjo Luli e ngriti…

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE