Reagim në artikujt e botuar me 17 dhe 18 prill botuar në Vijesti – Vilson Sinishtaj

Në artikullin “Diaspora Trazi Promjene” botuar në “Vijesti”, gazetari Kajosevic përmes tjerash paraqet vlerësimin tim personal mbi gjendjen politike në Malësi sikur të ishte kërkesë formale nga diaspora.
Dua të përsëris dhe një herë, vlerësimi im personal, në lëmin në të cilën unë kam diplomuar, nuk është tentim imi të flas në emër të diasporës.
Sa i përket angazhimit tim në shoqatën “Malësia e Madhe” dua të theksoj se si sekretar i saj, do të kisha prezantuar shkrimin si të ishte opinion i shoqatës, por unë e prezantova si shkrim timin personal.

Në diasporë veprojnë shumë organizata joqeveritare të cilat në mënyrë të vet kontribuojnë në përmirësimin e gjendjes politike, ekonomike dhe shoqërore në trevat shqiptare në Mal të Zi.
Në SHBA veprojnë: Malësia e Madhe – Detroit, Lëvizja Atdheu na Bashkon – New York , Dega Don Gjon Buzuku – New York, Fondacioni Dom Simon Filipaj – New York, Fondacioni Plavë e Guci – New York, Fondi Humanitarë Malësia – New York, Shoqata Ana e Malit – New York, Shoqata Atdhetare Kraja – New York, Shoqata Dedë Gjo Luli – New York, Shoqata US Ulqini – New York, U.K.A. – Chicago, UAAF – New York, Shoqata e Intelektualëve të Pavarur – Michigan.
Përveç këtyre organizatave që janë të formuara në shumicë nga njerëz të trojeve nën Mal të Zi, për interesat tona punojnë dhe disa organizata tjera që kanë përmasa mbarë shqiptare. Mua më mbetet të dyshoj se qëllimi i gazetarit ishte për të vlerësuar punimin tim, por më tepër për të krijuar tensione apo ndarje në mes të diasporës dhe vendlindjes apo në mes të OJQ në SHBA.

Gjithashtu më trazon fakti se gazetari e injoron faktin se në artikullin e referuar unë flas për gjendjen në Malësi dhe jo për trevat tjera shqiptare dhe çka është edhe më me rëndësi e paraqet atë që shkrova unë si kërkesë formale e jo iniciativë për të formuar kërkesa.
Unë mendoj se në shkrimin tim ishte shumë e qartë se unë vetëm thirrja që të gjithë Malësorët të kyçen në mënyrë aktive të krijojnë një kërkesë formale që në një të ardhme tu paraqitet partive politike shqiptare që veprojnë në Malësi. Ato që u paraqiten si kërkesa në artikullin e botuar në Vijesti ishin vetëm shembuj të pa definuar që mund të definoheshin në një të ardhme.

Në shkrimin “Izbori su pokazali da nam se vjeruje” Z. Nimanbegu dhe Z. Sinishtaj thonë se janë të befasuar nga konstatimet e mia se gjendja në Malësi është alarmante.
Së pari dua të ju uroj gjithë partive shqiptare që fituan besimin që të jenë përfaqësues të popullit në parlamentin republikan. Gjithashtu dua ta përsëris se vlerësimi im ishte vetëm sa i përket Malësisë dhe jo të gjitha trevave shqiptare në Mal të Zi, sikur raporton artikulli në Vijesti.

Sa i përket Malësisë unë mendoj se edhe Z. Nimanbegu dhe Z. Sinishtaj nuk mund të jenë të kënaqur me rezultatin, siç raporton e përditshmja malazeze. Duke marr para sysh se nga rreth 8.600 me të drejtë vote dhe nga afro 6.000 që morën pjesë në vota, opozita shqiptare mori vetëm rreth 2.200 vota kurse partia në pushtet DPS mori rreth 2.300 vota. Gjithashtu UDSH, parti aleate e pushtetit aktual morën rreth 1.200 vota. Këta numra në opinion tim janë alarmant, duke na renditur neve dhe juve si opozitë politike edhe në nivelin lokal, sa i përket Tuzit. Duke qëndruar në bindje se populli askurrë nuk është fajtor, atëherë më mbetet të them se partitë shqiptare në opozitë duhet të jenë më të begatshme si nga kuadrot ashtu edhe nga mardhënjet me popullatën.

Sa i përket komentit se mos jemi duke testuar reagimet publike, unë dua ta përsëris faktin se unë as nuk dërgova kërkesë formale dhe as artikull në ndonjë gazetë Malazeze por tentova ta hapi një temë diskutimi në malesia.org me qellim që të përmblidhen kërkesat e vendit dhe diasporës për partitë shqiptare.
Kjo nuk duhet të kish befasuar asnjë politikan shqiptarë në Mal të Zi duke marr para sysh se ajo kërkesë për kontribut ishte dërguar në postat elektronike të të gjitha partive politike shqiptare në MZ pa përjashtuar partitë që i përfaqësojnë Z. Nimanbegu dhe Z. Sinishtaj.

Vilson Sinishtaj

KOMENTOJE