Institucionet e Kosovës do të organizojnë protokollin më të lartë shtetërorë me rastin e vizitës së nënpresidentit amerikan Joe Biden që do t’i bëjë vendit tonë, ka thënë kryeministri i vendit Hashim Thaçi.
Ai ka deklaruar se Biden është një mbështetës i fuqishëm i Kosovës tash e 20 vite se dhe është i familjarizuar me çështjen e Kosovës.
Këto deklarata kryeministri i ka bërë gjatë një vizite zyrtare që i ka bërë Ferizajt. Ai me këtë rast ka thënë se Ferizaj është shembulli më i mirë për qeverisje lokale.
Kryeministri i shoqëruar nga kryetari i Komunës së Ferizajt, Bajrush Xhemaili ka parë prej së afërmi projektin e ndërtimit të shkollës “Tefik Çanga” si dhe ndërtimin e rrugës “12 Shtatori”.
Me këtë rast nikoqiri i kryeministrit, Bajrush Xhemaili ka thënë se është i inkurajuar nga kjo vizitë dhe është shprehur i kënaqur me ndihmën qe Qeveria i ka ofruar komunës të cilën ai udhëheq. /ktv/
Vizitës së nënpresidentit amerikan, Joe Biden në Kosovë që do të nisë të enjten po i kushtohet vëmendje e madhe.
Institucionet e vendit kanë bërë përgatitjet për një pritje madhështore për mikun e popullit të Kosovës.
Në këtë kontekst, shefi i diplomacisë kosovare, Skendër Hyseni e vlerëson këtë vizitë si historike për vendin.
Në një intervistë për RTV21, Hyseni tha se vizita e Bidenit do të jetë një rikonfirmim i mbështetjes së fuqishme amerikane për Kosovën dhe do të dëshmojë praninë e mëtejme të saj në këtë pjesë të Ballkanit. /rtv21/
