Shetitje njëditore e studentëve të fakultetit të mësuesisë

Më datën 09.06.2009 Fakulteti i Mësuesisë në Podgoricë organizoi një shetitje me karakter edukativ dhe argëtues.

Iniciator i këtij organizimi ishte profesori Fran Vulaj, së bashku me studentët, të cilët i përkrahi edhe dekani dr. David Kalaj, i cili mbuloi edhe shpenzimet.
Vizituam shumë vende të mahnitshme dhe interesante. Ndalesat e para ishin tek Ubla e Krajës dhe tek kisha e Shën Marisë me historinë e të cilave na njoftoi shkurtimisht profesor Ali Gjeçbritaj. Më pas vazhduam me vizitën tek shkolla fillore “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Ostros ku na mirëpritën drejtori i shkollës Beqir Berjashi dhe stafi punues, të cilët na njoftuan me historinë dhe rëndësinë e kësaj shkolle për popullaten shqiptare të këtyreve trevave. Ata na njoftuen edhe me punën dhe ambientet e shkollës të cilat te ne lanë përshtypje shumë të mira.

Destinacioni i radhës ishte qyteti i vjetër i Shasit, ku na priti profesori i historisë Basri Lika, dhe ashtu sëbashku vizituam kompleksin e vjetër të këtij vendi me një numër të madh të kishave të rrënuara me një histori tepër interesante dhe tërheqëse. Gjthçka lënte të kuptonim se Shasi dikur kishte qenë qendër kulturore dhe peshkopale. Fatkeqësisht ashtu siç shihej madhështia e dikurshme e këti vendi, edhe më të qarta ishin tentativat djallëzore të dikujt që, këtë histori të gjallë iliro-shqiptare, t’a tjetërsonte dhe shtrembëronte ashtu siç u konvenon atyre! Nga po e njëjta pozitë qartë shihej edhe Liqeni i Shasit, të cilin për mungesë kohe nuk patëm mundësi ta vizitonim prej më afër.

Pastaj, vazhduam në qytetin e vjetër të Ulqinit ku na priti dhe na shoqëroi profesor Haxhi Shabani, ku poashtu u njoftuam me historinë e pasur të këtij vendi dhe bëmë një vizitë të shkurtër tek Kalaja e Ulqinit dhe muzeumi i saj. Mbi historinë e këtij qyteti të lashtë bregdetar na njoftuan punonjësit pranë muzeumit Gazmend Kovaçi dhe Anton Lulgjuraj.

Përpos studentëve, me ne në këtë shetitje ishin edhe profesor dr. Vuksan Kalaj, profesor Fran Vulaj, profesor Anton Gojçaj, sekretari i fakultetit Beqir Gjokaj si dhe asistentja Lilana Lekoçaj.

Falenderim i veçantë në emër të studentëve i shkon dekanit tonë dr. David Kalaj si dhe profesorit Fran Vulaj i cili njëkohësisht ishte edhe organizator i kësaj shetitjeje të bukur dhe të paharrueshme njëditore, e cila për gjatë kohë do të mbesë në kujtimet tona më të bukura.

FOTOGRAFITË KOMENTOJE