Marrëdhëniet diplomatike me Malin e Zi, javën e ardhshme

Republika e Kosovës pritet që javën e ardhshme të vendos marrëdhënie diplomatike me Malin e Zi dhe thellim të bashkëpunimit dhe raporteve me këtë shtet, tha tw premten pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë, zëdhënësi Memli Krasniqi.
Institucione efektive dhe zero tolerancë ndaj krimit, vendosje e marrëdhënieve të mira diplomatike dhe ndër fqinjësore si dhe integrim me hapa të sigurt në strukturat dhe institucionet e rëndësishme euro – atlantike, ishin mesazhet e kryeministrit, Hashim Thaci, me të cilat filloi mbledhja e rregullt e Qeverisë.

Duke e konsideruar se vendi ynë po ecën mirë në këto çështje, kreu i ekzekutivit, Hashim Thaci, kërkoi nga kabineti qeveritar që të jenë aktiv dhe të suksesshëm në punën e tyre.
Qeveria edhe njëherë reagoi ndaj thirrjes që u ka bërë presidenti serb, Boris Tadiq, serbëve lokal të Kosovës, për mos dalje në zgjedhjet e 15 nëntorit të këtij viti.

Zëdhënësi i ekzekutivit, Memli Krasniqi, tha se ky qëndrim i Beogradit zyrtar nuk e befason askënd sepse në esencë ka destruktivitet dhe qëllime të këqija.
Në mbledhjen e Qeverisë, u propozua që drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës të jetë, Behxhet Haliti. Ndërkaq, vlerësimi për menaxhimin e financave publike, u vlerësua i mirë në krahasim me vitet e kaluara.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe Strategjia dhe plani i veprimit kundër krimit të organizuar, për çka Qeveria u përkushtua për zero tolerancë ndaj kësaj dukurie negative. /RTK/

KOMENTOJE