Projekt Ligji kontestues për shkak të statusit

Kryetari i LDnëMZ Mehmet Bardhi thotë se ligji mbi organizimin territorial duhet të sigurojë decentralizim më të madh të pushtetit

Lidhja Demokratike në Mal të Zi angazhohet për decentralizimin e pushtetit, për ç’gjë do të duhej të kontribuonte mjaft Ligji adekuat mbi organizimin territorial të Malit të Zi, ka vlerësuar kryetari i kësaj partie, Mehmet Bardhi.
“Ligji i cili merret me ndarjen territoriale të komunave do të duhej të sigurojë organizimin demokratik të territoreve të caktuara të cilat kanë disa specifika të veta, që nga ato ekonomike e deri tek ato nacionale”, ka thënë ai për agjencinë Mina.
Sipas tij, LD në MZ konteston Projekt Ligjin mbi organizimin territorial në radhë të parë për shkak të statusit të komunës së Tuzit.
“Nuk do të dëshironim që ajo të jetë komunë urbane, por statusi i saj duhet të jetë ndryshe. Ajo është tani komunë urbane e cila është komunë, kurse në realitet nuk është”, ka sqaruar ai.
Ai ka thënë se me Projekt Ligj janë parashikuar risi që kanë të bëjnë me zgjedhjen e kryetarit të Komunës, të cilat LD në MZ i përkrah.
Bardhi konsideron se marrëdhëniet demokratike në Mal të Zi nuk janë ende të zhvilluara në atë masë në mënyrë që kryetarin e komunës ta zgjedhin drejtpërdrejt qytetarët.
“Atë duhet ta zgjedhin strukturat përkatëse në mënyrë që të mund të shkarkohet më lehtë nëse nuk i plotëson të gjitha detyrimet ligjore”, ka thënë ai. /kohapress

KOMENTOJE