Nuk bëhet Bashkimi Kombëtar me fyerje e sharje po me angazhimin e të gjithëve

Kohëve të fundit është kthyer bukur shumë në opinion çështja e Bashkimit Kombëtar. Për këtë akt sublim është punuar e po punohet edhe sot e gjithë ditën në forma të ndryshme nga shumë atdhetarë kudo në trojet etnike dhe mes shqiptarëve atdhetarë në diasporën tonë. Nuk besoj se ka mes shqiptarëve individë që nuk e duan bashkimin e kombit dhe të trojeve, e dhe nëse ka të tillët janë fare të pakët. Mirëpo bashkimi nuk bëhet me shkop magjik , por do punë e angazhime të sinqerta. Bashkimi i kombit nuk bëhet kurrën e kurrës me sharje e ofendime. Duhet të jemi të kujdesshëm të gjithë shqiptarët sa herë përmendim , çoftë edhe në një fjali të thjeshtë, bashkimin e kombit, të mos vjellim fjalë të rënda ndaj individëve a partive. Të mos e shajmë brutalisht e tërësisht as të kaluarën dhe personazhet e saj, por as edhe të sotmen. Nëse mendojmë të punojmë për idealin sublim të bashkimit duhet të mbjellim e shpërndajmë dashuri e respekt mes shqiptarëve. Duhet gjetur në shkrimet tona elementet e krenarisë së përbashkët. Si të fillojmë të shajmë një etapë kohore apo njërin subjekt politik këndej a andej truallit shqiptar e kemi prishur punën krejt. Nuk mund të mëtojmë në bashkimin e kombit tonë duke ofenduar, po duke bërë apele e duke dhënë shembuj të mirë të bashkëpunimit e lidhjeve vëllazërore mes shqiptarëve kudo janë ata. Një përpjekje të bashkimit të vëllezërve të një kombi e ka bërë tani e sa kohë Shoqata e Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Ajo ka punuar në kushte tepër të rënda materiale në fillim sepse ishte kuptuar nga ndërkombëtarët si një organizim me frymë nacionale dhe që përpiqet të ngrit ura bashkimi mes shqiptarëve nga trojet etnike. Kjo Shoqatë ka bërë angazhimet e para duke arritur që në një sofër, në një valle e në të njëjtat takime t’i bëj bashkë zyrtarë e anëtarë të të gjitha partive shqiptare që veprojnë në Pejë e Dukagjin. Penjtë e atdheut kjo Shoqatë ka vazhduar t’i lidh edhe me Medvegjën, Malësinë e Madhe, Kosovën Lindore e së fundi edhe me Shkodrën dhe Tiranën. Kjo Shoqatë ka mbajtur edhe protesta në mbrojtje të Malësisë dhe ka kritikuar publikisht institucionet e Shqipërisë dhe Kosovës pse nuk po bëhen zë mbrojtës i atij trualli shqiptar. Ka kritikuar ashpër Shoqata, por nuk ka sharë e fyer. Anëtarët e Shoqatës po vazhdojnë me angazhimet në emër të unifikimit dhe bashkimit të kombit.

Ata e kanë thënë dhe e kanë marrë si detyrë që të punojnë bile një orë të çdo dite në këtë shërbim. Po punuan të gjithë shqiptarët nga 1 orë në ditë në emër të kombit dhe pajtimit e bashkimit të tij atëherë del se janë bërë 7 milionë orë pune në ditë dhe kjo nuk do të ishte pak. Por, nuk është veprim në emër të bashkimit të preket në pika të dobëta e të nxiten përçarje. Në rrugëtimet për ngritje të urave të reja të bashkimit na ka rënë të takohemi edhe me përkrahës fanatikë të cilës do parti dhe të cilit do liderë. Po të mihim në elementet e ndarjes atëherë Shoqata do të mbetej e vetmuar dhe në vend të duartrokitjeve për punën e mbarë do të na shoqëronin me fishkëllima. Kishte raste edhe kur individë të caktuar pas bisedave zyrtare me ta për aktivitetet kulturore e kombëtare,në bisedime të lirshme, e lavdëronin me shpirt Enver Hoxhën, të tjerë e shanin nga fundi i barkut. Të tjerë që e lavdëronin Ramën, të tjerë Sali Berishën, Thaçin, Ramushin, Pacollin…. Ka edhe nga ata që nuk qanin kokën për asnjërin. Ky është realiteti shqiptar dhe po u futem mes këtyre ndarjeve me sharje e ofendime do ta bëjmë shërbimin më të keq dhe në vend të bashkimit do të mbjellim e do të korrim ndarje e përplasje. Të gjithë këta njerëz duhet t’i shohim si pjesë të kombit tonë dhe duhet bjerrë e hedhur vetëm ata që i kanë shërbyer, e ndoshta edhe sot e gjithë ditën po i shërbejnë armiqve të kombit tonë dhe pushtuesit serb. Te e fundit bashkimin e kombit nuk e bëjnë lumenjtë e lisat po njerëzit e kombi ynë është ky që është . Kushdo mendon për bashkimin e kombit me këta njerëz, me këta 7 milionë frymë duhet ta bëj këtë akt sublim sot a nesër. Qofshin këta të mirë të gjithë, apo të këqij një pjesë , s’kemi se çfarë bëjmë se jemi këta që jemi. Bashkimi kombëtar bëhet me këta njerëz, por vetëm duhet sinqeritet dhe kujdes. Duhet t’i lëmë fyerjet e sharjet e të angazhohemi të gjithë duke e pyetur së cili vetën e tij: “Çfarë bëra sot për kombin, atdheun dhe bashkimin e tij”? Nëse nuk bëjmë kështu dhe nuk nisemi nga vetvetja po vazhdojmë me sharje e fyerje atëherë nuk e kemi kryer obligimin tonë dhe borxhin që kemi ndaj amanetit sublim të atdhetarëve që dhanë çdo gjë në përpjekjet për realizimin e këtij akti sublim. T’i lëmë sharjet e fyerjet, pra, dhe të punojmë tok në emër të këtij ideali sublim dhe bashkimin e kombit do ta kemi.

Rrahman Jasharaj

KOMENTOJE