Berisha – Meta, 2009 – 2013 nga Valon Kurtishi

Lajmet e fundit nga Tirana flasin se dje përfundimisht u arrit marrëveshja për formimin e qëevrisë së re Berisha me mandat 2009-2013. Aleanca e re politike mes të djathtëve të qendrës dhe një partie të qendrës së majtë do ta ketë emrin “koalicioni i integrimit”, duke pasqyruar kështu në mënyrën më të mirë të mundshme, stadin zhvillimor ku gjendet Shqipëria sot në prag të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Sipas marrëveshjes në fjalë, LSI mer 3 poste ministrore, atë të punëve të jashtme, ekonomisë dhe shëndetësisë, postin e zëvendëskryeministrit, një nënkryetar të Paarlamentit si dhe disa poste të tjera në pushtetin shtetëror. E shprehur në përqindje kjo pjesë pushteti i bie të jetë reth 20% e posteve të administratës publike. Përveç kësaj marrëveshjeje, PD pritet të nënshkruajë edhe disa të tjera me aleatët e saj më të vegjël në të djathtë, pjesë të “Alencës për ndryshim”, ku bëjnë pjesë edhe 10 parti tjera të djathta. Këtu parasëgjithash i kemi parasysh partinë Republikane të Fatmir Mediut dhe Partinë për Drejtësi dhe Integrim e cila fitoi realisht dy mandate deputeti por më vonë u dëmtua nga procesi i rinumërimit të votave duke mbetur me vetëm një të tillë. Gjithashtu si rezultat i makinacioneve të përhershme greke dhe “fytyrës së domosdoshme europiane” të qeverisë, pjesë e saj me shumë gjasa do jetë edhe i a.q ”minoriteti grek”, me PBDNJ ose pa të. Këtë e shprehën haptas në disa shkrime përgjëruese e pështirosëse bashkë të para ca kohëve disa eksponentë të kësaj partie dhe të këtij pseudo-minoriteti, duke filluar me Kosta Barkën e “djathtë” e duke mbaruar me Leonard Solisin e “majtë”.

Në shikim të parë duket sikur ndarja e këtillë e pushtetit e penalizon PD-në fituese të zgjedhjeve me 70 deputetë në Kuvendin Popullor të Republikës së Shqipërisë. Kjo pasi në qeverinë me 14 ministri, dhënia e kaq shumë posteve ministrore dhe administrative që arijnë deri në 20% të gjithë bartësve të funksioneve të tilla partive që gjithë bashkë kanë vetëm 6 deputetë në një Kuvend me 140 vende, nuk duket normale për një demokraci funksionale parlamentare. Po kjo e ka shpjegimin e vet të mundshëm.
Së pari, vetë kreu i LSI Meta si dhe kreu i PD Berisha e kanë deklaruar haptas se ky nuk është koalicion i numrave apo interesave klanore por i ideve dhe i programeve konkrete që duhen implementuar sa më parë për të mirën e Shqipërisë dhe gjithë qytetarëve shqiptarë. Është fakt se gati gjysma e shqiptarëve në zgjedhjet e fundit votuan majtas. Këta votues do e gjejnë veten e tyre në atë pjesë të programit të Lëvizjes socialiste për integrim i cili do fitojë dritën jeshile të jetë pjesë përbërëse e projekteve të ardhshme qeverisëse.
Përtej moraliteteve të tilla, duhet pranuar se dy programet e vetme konkrete që u panë gjatë fushatës zgjedhore të këtij viti ishin ato të Partisë demokratike dhe Lëvizjes socialiste për integrim. Mungesën e programit konkret qeverisës të socialistëve opozitarë e pranoi publikisht në Kongresin e PS edhe një nga eksponentët e lartë të kësaj partie, Ben Blushi. PS hyri në zgjedhje pa program të qartë dhe nuk paraqiti para shqiptarëve asnjë ofertë konkrete, të dukshme e të kapshme e cila do ti kishte bindur zgjedhësit që të votonin këtë parti.

Së dyti, vetë formula matematikore e formimit të qeverisë e detyron kryeministrin Berisha në kompromise të tilla. Koalicioni i djathtë fitoi vetëm 70 deputetë që me autromatizëm i shndërronte zgjedhjet në një garë të vdekur mes dy kampeve politike. Po tu shtonim 66 deputetëve të koalicionit të majtë me në krye Partinë socialiste dhe 4 deputetët e majtë të LSI, rezultati vinte deri te një barazim mes dy kampeve të mëdha ideologjike, të majtës dhe të djathtës, 70 me 70. Kjo në praktikë përkthehej si krizë institucionale ose si zgjedhje të reja. Për ti ikur këtij opcioni humbës, Kryeministri e bëri kompromisin në fjalë në një mënyrë shumë xhentëlmene dhe transparente. Në këtë rast, xhentilesë dhe largpamësi të nivelit të njëjtë tregoi edhe zoti Meta i LSI.

Së treti, ylli polar i qeverisë Berisha është integrimi europian i Shqipërisë. Duke parë sukseset e mëdha të aritura nga Shqipëria në qeverisjen e parë të demokratëve do të ishte absurde dhe shumë e rezikshme që të eksperimentohej me qeveri të reja pikërisht tani kur vendi ndodhet në fazën më të rëndësishme të historisë së re të tij, anëtarësimin e plotë në BE. Edhe vizita e z. Meta pak kohë pas zgjedhjeve parlamentare në Alsdorf të Gjermanisë dhe takimi i tij me kreun e grupit parlamentar të socialistëve europianë Martin Shulc atje, duhet parë në kontekst më të gjerë europian. Siç duket, Z. Meta ka marrë pëlqimin dhe shtysën e duhur nga e majta europiane për këtë koalicion qeverisës me të djathtën me gjithë humbjen shkatëruese që pësuan të majtët në zgjedhjet e fundit europiane. Shprehja e vetë zotit Shulc për “ bashkepunimin tonë me Qeverinë e re ku, jemi të bindur se LSI do të japë një kontribut të veçantë në realizimin e reformave dhe në integrimin europian të Shqipërisë”, e vërteton më së miri këtë supozim tonin. Integrimi europian është një nga ato pika të cilat në marrëveshjen e nënshkruar me shumë të drejtë evidentohen si “prioritete kombëtare të parashtruara në programet e dy partive”. Integrimi europian i vendit është çështje mbipartike për të cilën duhet koncenzus i përgjithshëm politik.

Së katërti vjen interesi i Metës për të ndryshuar kodin zgjedhor i cili e penalizoi jo pak edhe në këto zgjedhje. Të mos flasim për zgjedhjet e vitit 2005, ku sipas disa të dhënave shumë të besueshme të KQZ, LSI ka humbur reth 20 deputetë si pasojë e aplikimit të skemave të “Dushkut” nga ana e Partisë Socialiste nën udhëheqjen e Nanos në atë kohë. Parimisht, edhe pse në dy kampe të ndryshme ideologjike, Meta e ka Berishën aleatin më të afërt politik për këtë ndryshim legjislacioni, pasi Rama e ka shprehur qartë intencën e tij për eliminim e faktorit LSi nga skena partiake e Shqipërisë. Ky siç duket është një qëndrim konstant i Partisë Socialistë për të eliminuar një konkurent të rrezikshëm politik nga rradhët e vetë të majtës shqiptare. Është si të thuash, një luftë brenda llojit. Shansi i vetëm i Metës për mbijetesë politike është aleanca taktike me të djathtët dhe ndryshimi i kodit zgjedhor i cili ose do të ulë pragun zgjedhor ose do të evoluojë tërësisht në proporcional kombëtar nga proporcionali i tanishëm rajonal. U pa qartë se edhe ky kod proporcional rajonal me këtë prag zgjedhor e dëmtoi LSI në një numër të madh të qendrave të votimit në shkallë vendi. Kjo lidhet edhe me çështjen e organizimit të ri administrativ të zgjedhjeve sipas modelit spanjoll ku zonat zgjedhore u ndanë sipas 12 qarqeve me një prag të caktuar zgjedhor. Edhe Kryeministri Berisha e ka deklaruar tashmë qëndrimin e vet afirmativ për një ndryshim të tillë. Mbetet të shihet se çdo të ndodhë në të ardhmen me këtë çështje.

Nga ana tjetër marrëveshja e publikuar PD-LSI, e cila përmban 14 pika, është shumë interesante dhe shpreh qartë synimet madhore të qeverisë së ardhshme shqiptare.
Duket se në përgjithësi programet konkrete të shkruara dhe evidentuara gjatë fushatës elektorale si të PD-së ashtu edhe të LSI-së shkrihen plotësisht në këtë marëveshje qeverisëse mes të djathtëve dhe të majtëve të qendrës.
Mbetet të shihet si do të funksionojë ky koalicion në Kuvend dhe sa do të realizohen premtimet e dhëna në fushatën zgjedhore. Gjatë mandatit të parë qeverisës, kryeministri Berisha i realizoi përgjithësisht disa nga premtimet madhore të dhëna gjatë fushatës së vitit 2005. Shkatërrimi i bandave të rezikshme kriminale, ulja sa të jetë e mundur e shkallës së korrupcionit, ndërtimet e rrugëve dhe shkollave në të katër e vendit, furnizimi i rregullt me energji, ritja 100% e pagave për kategori të gjera shoqërore si pensionistët apo punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë etj, janë premtime që u mbajtën në përgjithësi.

Skemi pse të kemi dyshime se edhe premtimet e tanishme e sidomos ai për liberalizim të vizave, vazhdimësi dhe shtim të investimeve publike dhe hapje të 160.000 mijë vendeve të reja të punës për shqiptarët të mos realizohen. Kjo për më tepër pasi integrimi europian, hapja e vendeve të reja të punës dhe ritja e pensioneve janë edhe objektiva të qarta të LSI-së. Me këtë, faktori bllokues i cili do të mund të vinte nga një e majtë mospajtuese dhe destruktive eliminohet plotësisht.
Partia Socialiste në opozitë gjendet para sfidave të mëdha. PS e Shqipërisë është realisht një parti serioze, me traditë dhe e madhe e cila i duhet pluralizimit shqiptar po aq sa Partia Demokratike. Ajo me politikat e saja origjinale sociale dhe zhvillimore i duhet më saktë qytetarit shqiptar. Shpresojmë që në kuadrin e politikave reformuese të brendshme Partia socialiste shqiptare të konsolidohet sa më shpejt pasi për momentin i mungon skenës politike. Opozita e ardhshme moderne socialiste duhet të jetë në mbrojtje të qytetarëve nga shkeljet e mundshme dhe nga ndonjë keqqeverisje eventuale e qeverisë së re. Mungesa e saj në Parlament do të sillte trauma të reja që nuk u duhen shqiptarëve dhe Shqipërisë. Me 70 deputetët e saj ajo do të jetë një opozitë më shumë se e fortë dhe do të ketë hapësirë të mjaftueshme për të manovruar politkisht dhe për të implementuar idetë e saj në përpilimin e legjslacionit kombëtar, sidomos në ato ligje të përbëra për të cilat nevojitet nje census më i lartë votash se shumica e thjeshtë.

Nga Valon Kurtishi

KOMENTOJE