Janë bërë bashkë 23 Organizata nga shoqëria civile për të ftuar popullin e Kosovës në një protestë gjithë popullore të hënën kundër protokollit të nënshkruar EULEX- Serbi. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, bashkë me udhëheqës të Organizatave tjera Joqeveritare në takime me mediat dhe qytetarët e shumë qyteteve të Kosovës i kanë drejtuar institucioneve të Kosovës një varg kritikash, kurse popullit i kanë drejtuar apelin që këtë të hënë të bashkohen te ambientet para Bibliotekës Kombëtare dhe nga aty të nisin demonstratën paqësore për të shprehur kështu kundërshtimin dhe mos pajtimin lidhur me nënshkrimin e këtij protokolli, i cili kishte zgjuar shqetësime e debate nga më të ashprat. Kurti në vargun e takimeve e vizitave nëpër komunat e Kosovës të dielën ishte mes mediave e qytetarëve të Pejës për të shpalosur edhe një herë argumente e fakte lidhur me dëmet që sjell për Kosovën dhe shqiptarët ky Protokoll. “Ata thoshin se nënshkrimi i këtij protokolli është shumë i keq dhe i papranueshëm për institucionet e vendit, ndërsa tash përpiqen që ta minimizojnë, duke thënë se Kosova nuk është pjesë e këtij protokolli”, ka deklaruar Kurti në Pejë pas një varg kritikash drejtuar liderëve institucional të Kosovës. Ai gjatë kësaj vizite dhe takimeve po shoqërohej nga drejtor i OJQ-së “Syri i Vizionit”, Veton Mujaj dhe veprimtarë të tjerë nga shoqëria civile. Duke folur për gjendjen e re të krijuar pas nënshkrimit të Protokollit, Albin Kurti është shprehur se “Në Kosovë të premten ka ndodhur diçka e jashtëzakonshme dhe shumë e keqe, prandaj e hëna nuk bën të fillojë si ditë e zakonshme”. Ai u është drejtuar edhe liderëve institucional duke u thënë se të hënën nuk do ta kenë komoditetin e zakonshëm që nisin javën e punës, sikur të mos kishte ndodhur asgjë në fundjavë.
Edhe në vazhdim të paraqitjes së tij para mediave e qytetarëve në Pejë Kurti nuk ka kursyer kritikat ndaj krerëve institucional të Kosovës . Ai ka kujtuar se ata thoshin se nënshkrimi i këtij protokolli është shumë i keq dhe i papranueshëm për institucionet e vendit, ndërsa tash përpiqen që ta minimizojnë, duke thënë se Kosova nuk është pjesë e këtij protokolli. “Këto i ngjajnë fushatave zgjedhore sepse ata në njërën anë e refuzojnë Protokollin, për të mbetur para qytetarit si liderë që nuk lëshojnë pe para presioneve, ndërsa në anën tjetër thonë se Kosova nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje”, ka thënë ai. Kurti pas kësaj ka treguar se me nënshkrimin e këtij Protokolli Serbia ka shënuar tri fitore dhe se ka hapur rrugë për nënshkrimin edhe të Protokolleve tjera në dëm të pavarësisë së Kosovës.
“Nëse vazhdohet kështu, do të vdesë pavarësia e Kosovës. Kësaj pavarësie ja kanë parë hairin krerët e institucioneve, e jo populli”, vlerësoi Kurti për të bërë edhe një herë apel qytetarëve në Pejë e Dukagjin për të qenë pjesë e demonstratës së qetë në ditën e hënë.
Rrahman Jasharaj