Librat e Martin Kolës Dedvukaj dhe disa libra të tjerë të ngjashëm të autorëve nga Malësia, do të mund të formonin një bibliotekë të bukur me rëndësi sidomos lokale, e cila do të mund të quhej letërsi e vendlindjes.
Anton Gojçaj
1. KATUNI IM
Libri “Katuni im” ka një strukturë të përzier llojesh letrare: tregime anekdotike, fabula, besime të ndryshme popullore në Malësi, fjalë të urta dhe disa poezi. Karakteristikë e pjesës më të madhe të këtyre krijimeve është një ironi e mençur, që tallet me veset e njerëzve dhe promovon virtytet. Duke qenë pothuaj “autodidakt” në dushën e metodologjisë së shkrimit dhe stilistikës, autori nuk i ka dalluar qartë krijimet e veta origjinale nga ato të marrurat (të huazuarat). Për ato njësi të tekstit që nuk i ka krijuar vetë, ai nuk ka dhënë shënime se kur, ku dhe prej kujt i ka dëgjuar dhe shënuar, apo nga cili libër i ka marrë ato, gjë që do të ishte me interes të veçantë, sepse do të mundësonte përcjelljen e procesit të bartjes, kalimit të motiveve të caktuara nga vendi në vend, nga njëri tregimtar te tregimtari tjetër, nga njëra kohë në tjetrën. Martini vepron kështu ndoshta duke pasur parasysh se krijimet popullore (përrallat e përrallëzat, këngët epike e lirike, anekdotat dhe fjalët e urta popullore) kaherë e kanë humbur emrin e krijuesit të vet dhe jetojnë të pavarura prej tij, mirëpo për gjërat e tilla është i nevojshëm zbatimi i një metodologjie të përpiktë shkencore. Duke shfletuar këtë libër lecuesi mund të vërejë edhe njëfarë ndikimi nga Mark Milani, por mund të jetë edhe që Martini s’bëri tjetër por mori e dha nga e njëjta gurrë si edhe shkrimtari i Kuçit. Këto tregime, anekdota, fjalë të urta, besime popullore etj. janë kryesisht (por jo gjithmonë) ekstrakte të nxjerra nga arka e thesarit të vlerave shpirtërore të popullit të Malësisë dhe shumë më gjerë. Kjo nuk e ul vlerën e porosive të thella e të dobishme të librit
.
Nëse numri i krijimeve origjinale te anekdotat dhe fabulat është i kufizuar, libri sjell edhe disa poezi origjinale, mjaft interesante, sidomos për vlerat e tyre satirike. Martin Kolë Pjetrushi shkruan poezi satirike, me një ngjyrim të theksuar kritik ndaj disa zhvillimeve të kohëve të fundit në fushën e moralit, përmbysjes së sistemit të vlerave që ai njeh dhe çmon. Është interesante se në dy krijime të tilla, të dy herët objekt i trajtimit është femra. Te vjersha satirike “Në Amerikë bijë si e kalon?” përshkruan gjendjen faktike dhe psikologjike të femrës që është martuar në Amerikë pa e njohur bashkëshortin e ardhshëm, kurse në vjershën humoristiko-satirike “Tue mësua nusen më shkoi dita” përshkruan përplasjen e dy botëkuptimeve, të resë dhe të vjetrës, ku e reja ose një tip i saj – personifikuar me nusen dembele dhe pa manire të mirësjelljes tradicionale, thumbohet deri në sarkazmë.
Njësia poetike, “Katuni im”, që mund të quhet edhe poemë, është tërësi më vete në këtë libër. Si të gjitha krijimet e Martinit edhe kjo është shkruar me idiomin (gjuhën) e fshatit të lindjes, gjë që librit i jep një dimension të ri, të vlefshëm për shkencën e gjuhësisë. Aty autori befason për të mirë, duke dhënë një tërësi mjaft të realizuar, e cila dominohet nga figura poetike e anaforës, domethënë gati të gjitha vargjet e poemës nisin me fjalën KUR. Gjuha e thjeshtë e joshëse, të këqijat dhe të mirat e katundit të vëna njëra pranë tjetrës si paralelizma antitetikë, që përshkohen nga një frymë ngrohtësie si shenjë e dashurisë së autorit për katundin e vet, disa shfryrje aq të sinqerta e spontane, e bëjnë për vete edhe lexuesin më të pandjeshëm.
“Ti ije prapëseprapë ma i bukuri katund ndër të gjitha katunde
Se unë tjetër katund s kam,
As s mundi me pasë.” (KATUNI IM)
2. DËSHMI KOHE…
Libri “Dëshmi kohe…” është strukturuar ndryshe në krahasim me librin “Katuni im…” por edhe me të gjithë librat e tjerë të Martinit.
Është kjo saga e një familjeje me origjinë nga Bardhajt e Hotit, me histori shumë interesante që ndodhin pas largimit të tyre nga vendlindja, që të kujton rrëfimet biblike. Kështu, pikërisht njëri nga pasardhësit e kësaj familjeje, në fillim të shekullit XX, kthehet në vendlindjen e të parëve, i veshur me uniformën e perandorisë austro-hungareze, por me dashurinë e ruajtur në gjene për vendlindjen e stërgjyshërve dhe popullin e saj.
Boshti rreth të cilit sillet ngjarja është kampi apo llogori të cilin austro-hungarezët në kohën e Luftës I Botërore e ngritën në Vuksanlekaj. Fat në fatkeqësi për malazezët e robëruar aty është se kampi është ngritur në një fshat të malësorëve. Personazhi i Kol Pjetrushit është portreti i një malësori atëherë të ri por mendjemprehtë dhe të vendosur për të jetuar sipas modelit të mëshirës dhe dashurisë. Ai rrezikon vetë për t’u ndihmuar miqve fatkëqinj pjesëtarë të popullatës malazeze.
Njëri nga mesazhet e kësaj vepre është – të mos harrohet e kaluara. Të shpëtohet nga terri i harresës veprimi aq kristian e njëkohësisht në përputhje me kodin moral të zakoneve të maleve shqiptare për t’i ndihmuar të dobëtit në rrezik. Kolë Pjetrushi me shokë, me guximin dhe mendjemprehtësinë karakteristike malësore, kërkuan me vetëmohim dhe gjetën rrugë dhe mënyra si të shpëtojnë jetët e fqinjëve, “probatinave” dhe miqve të vet shekullorë, malazezëve të cilët i kishin hedhur në kamp austro-hungarezët. Por libri është shumë më i pasur se kaq, me materialin që ofron dhe porositë që lëshon.
Leximi aktiv, krahas zbulimit dhe shijimit të porosive të tekstit, nënkupton edhe përpjekjen për të klasifikuar, sistemuar tekstin në grupin e literaturës së ngjashme, e pastaj edhe marrjen e qëndrimit lidhur me vlerat eventuale të tij.
Mbështetur në diskursin (gjuhën) e tekstit me titullin “Dëshmi kohe…”, i përket llojit të teksteve narrative. Më saktësisht, një lloj proze me elemente të diskursit historik e po ashtu edhe me elemente të letërsisë fiksionale. Me historinë e lidhin faktet e njohura historike, siç është për shembull fakti se në periudhën e Luftës I Botërore në fshatin Vuksanlekaj ka ekzistuar vërtet kampi për të cilin flitet në libër, pastaj në tekst përmenden edhe disa persona (-zhe) që autori i ka njohur personalisht në jetën reale etj. Libri është histori rrëfimtare, sepse nuk mbështetet në studime dokumentesh e as në materiale arkivore të shkruara, të cilat mund të verifikohen në hollësi nga të interesuarit, por është gjithsesi më tepër se një gojëdhanë, një libër kujtimesh i narratorit kryesor, i cili mund të konsiderohet edhe një alterego i autorit.
Në qoftë se libri në fjalë merret si letërsi, atëherë mund të vendoset në kuadrin e letërsisë së kujtimeve, megjithëse autori nuk rrëfen kujtimet nga jeta e vet, por kryesisht ato që kanë të bëjnë me jetën, fjalët dhe veprimet e babait të tij dhe njerëzve të tjerë akoma më larg në kohë. Për nga zhanri, ky tekst është një gërshetim i lëndës historike dhe brumit letrar. E quaj letërsi edhe për arsye se në tekst nuk flet vetëm një rrëfimtar, por ka disa të tillë, varësisht nga koha për të cilën flitet. Përveç rrëfimtarit kryesor, në rolin e rrëfimtarit paraqiten edhe Nrekë Luli, ipeshkvi i Tivarit, nëna e fëmijëve në kampin austro-hungarez, oficeri austriak Frani etj., të cilët nuk dalin vetëm si personazhe që këmbejnë mendime në biseda të ndryshme me njëri-tjetrin, por janë edhe rrëfimtarë të vërtetë të ngjarjeve të caktuara me rëndësi për lëndën që shtjellon libri. Mënyra se si e lidh rrjetin e dendur të tregimtarëve në këtë libër Martin Kolë Pjetrushi, pa e humbur fillin dhe pa lejuar kurrfarë konfuzioni, është për çdo lëvdatë. Vështruar në këtë dimension, pasi që në tekst personazhet janë ata që rrëfejnë kurse narracion e përshkrime ka fare pak, vepra del si një dramë e llojit të vet. Një tjetër argument i fuqishëm në favor të tezës se bëhet fjalë për një tekst me pretendime letrare-artistike është mbarështrimi i fabulës, apo syzheu, që aty nuk jepen si në një tekst të historisë, ku përmbajtja shpaloset në mënyrë lineare duke ardhur nga e kaluara e largët kah koha jonë, por paraqitet e përmbysur, kështu që libri hapet me një ngjarje të 16 marsit të vitit 1941, pastaj ndodh një kthim mbrapa në vitin 1916, për të kaluar pastaj edhe një shekull më heret…. Ky tip i syzheut është tipar i teksteve letrare e kurrsesi i teksteve historike.
Për të mos patur një keqkuptim, kjo nuk ka të bëjë aspak me atë se sa të vërteta apo të pavërteta janë ato që aty thuhen. E vërteta letrare dhe e vërteta historike nuk janë e njëjta gjë, mirëpo ato nuk e kundërshtojnë dhe as nuk e përjashtojnë, por e plotësojnë njëra tjetrën.
Librat e Martin Kolës Dedvukaj dhe disa libra të tjerë të ngjashëm të autorëve nga Malësia, do të mund të formonin një bibliotekë të bukur me rëndësi sidomos lokale, e cila do të mund të quhej letërsi e vendlindjes.
Për ta përmbyllë këtë fjalë timen më se modeste për Martin Kolë Pjetrushin Dedvukaj dhe librat e tij dua të parafrazoj një pyetje që ia shtron vetes At Anton Harapi kur flet mbi Kolë Zefin e Grudës – a thua çka do të ishte bërë ky njeri (këtu Martin Kolë Pjetrushi, A.G.) sikur të kishte pasur fatin të ndiqte ndonjërin nga universitet e Evropës? /kohapress/