Shqiptarët e Malit të Zi faktorë të rëndësishëm të harmonisë

“Shqipëtarët në Mal të Zi janë një urë lidhëse e interesave që kanë dy popujt tanë” -tha Presidenti i Shqiprisë, Bamir Topi

TIRANE: Siç shkruan faqja e internetit e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Shqipërisë Bamir Topi në përgjigje të interesimit të medias, ka deklaruar se nëse “mendon se Shqipëria po bën mjaft për përparimin e të drejtave të shqiptarëve në Malin e Zi” ai ka deklaruar se “Shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi, janë një faktor shumë i rëndësishëm i harmonisë që ekziston mes dy vendeve fqinje”
“Shqipëtarët në Mal të Zi janë një urë lidhëse e interesave që kanë dy popujt tanë”, vijoi deklaratën e tij z. Topi në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij malazez Filip Vujanoviç, në kuadër të vizitës zyrtare që nisi dje në shtetin fqinj.

Z. Topi informoi se në këtë vizitë të parë zyrtare si President, në Mal të Zi, ka në axhendën e tij dhe takime me përfaqësues të partive politike shqiptare.
Ai vlerësoi si shumë të rëndësishëm pozicionimin e Presidentit Vujanoviç në këtë drejtim, i pranishëm edhe në Ulqin, në panairin e librit shqip në fund të korrikut, ku të dy homologët ishin ftuar nga Gëzim Hajdinaga, kryetari i kësaj komune malazeze, ku banojnë shumica e shqiptarëve.
Mali i Zi është një hap përpara Shqipërisë përsa u përket etapave të integrimit evropian, por vijoi Presidenti Topi, Shqipëria gëzon një element tjetër shumë të rëndësishëm që është anëtare e NATO-s, ndërsa ka paraqitur kërkesën për të qenë vend kandidat i Bashkimit Evropian.

“Ju e dini fare mirë që Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës ka kërkesa dhe standarde shumë ligjore për secilin vend kandidat, kështu që unë jam i bindur të them që dy vendet tona, sikurse edhe vendet e tjera që janë në rrugën e anëtarësimit e kanë vullnetin dhe janë të detyruar të zbatojnë të gjitha standardet e respektimit të të drejtave të njeriut”, tha Topi.
Sipas tij, do të vijë dita shumë shpejt që edhe këto dy vende të jenë anëtare të Bashkimit Evropian dhe do të jetojnë në një bashkësi evropiane jashtë çdo lloj kompleksiteti që e ka sjellë e kaluara.

BEQIR SINA, New York

KOMENTOJE