Garuesit e Klubit të Taekwondo-së “Besa” kanë kontribuar ndjeshëm në suksesin e Përfaqësueses së Malit të Zi në Kampionatin Ballkanik në Taekwondo që u mbajt në Bursa të Turqisë, më 26 dhe 27 shtator.
Dy garuesit e këtij klubi, Sonja Pllumaj dhe Rrok Ivezaj, të vetmit garues të KT “Besa” në radhët e Përfaqësueses së Malit të Zi, kanë fituar një medalje të artë dhe një medalje të bronztë në këtë kampionat.
Pllumaj u shpall kampione e Ballkanit në kategorinë e kadetëve, në peshën deri 41 kg, ndërsa Ivezaj zuri vendin e tretë në konkurrencën e kadetëve, në peshën deri 45 kg.
Përfaqësuesja e Malit të Zi, e përbërë nga nëntë garues, ka fituar gjithsej pesë medalje në këtë kampionat: një medalje të artë dhe katër medalje të bronzta, si dhe një kupë për vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm për kadetë.
Sipas Nikollë Gegajt, udhëheqës i Përfaqësueses së Malit të Zi, medalja e artë e fituar nga Pllumaj ka ndikuar që Mali i Zi të renditet në vendin e tretë në klasifikimin e përgjithshëm për kadetë.
Ai thotë se konkurrenca ka qenë tepër e fortë pasi që përveç vendeve të Ballkanit në Kampionat kanë marrë pjesë edhe përfaqësueset e Rusisë, Azarbajxhanit dhe Ukrainës.
Përveç dy garuesve të KT “Besa”, në Kampionatin Ballkanik ka marrë pjesë edhe referi nga Malësia, Nikollë Kalaj.
(Kohapress)