Të drejtat e fituara të mos vihen në pikëpyetje

Deputetët Shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, Genci Nimanbergu dhe Amir Hollaj i dërguan propozimin e tyre për përfaqsim autentik

Podgoricë – Tre deputetët shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi, Mehmet Bardhi, Genci Nimanbegu dhe Amir Hollaj i kanë dërguar propozimin e tyre për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi zgjedhjen e këshilltarëve dhe deputetëve, që ka të bëjë me përfaqësimin autentik dhe përpjesëtimor të shqiptarëve, Grupit të Punës për hartimin e legjislacionit zgjedhor të Kuvendit të Malit të Zi.
Në propozimin e tyre, Bardhi, Nimanbegu dhe Hollaj kërkojnë që të drejtat e fituara të shqiptarëve të mos vihen në pikëpyetje.
Ata konsiderojnë se legjislacioni i (deri)tashëm, me disa ndryshime dhe plotësime të propozuara prej tyre, është zgjidhje e pranueshme për ta.
Tre deputetët shqiptarë kërkojnë që të mbetet në fuqi përcaktimi i pranuar unanimisht që Mali i Zi të jetë një njësi elektorale, nga njëra anë, dhe të realizohet propozimi i tyre – sigurimi i përfaqësimit autentik (përpjestimor politik të shqiptarëve) nga ana tjetër.

“Për popullin shqiptar pakicë, për bashkësinë nacionale të shqiptarëve, për shqiptarët në Mal të Zi, është e pranueshme zgjidhja e deritashme që në kuadër të Malit të Zi si një njësi elektorale, komunat respektivisht qendrat e votimit, ku shqiptarët janë popull autokton (me shekuj): Komuna e Ulqinit, Komuna e Tuzit, përkatësisht qendrat e caktuara të votimit në kryeqytetin e Podgoricës, pastaj qendrat e caktuara të votimit në komunat Tivar, Plavë dhe Rozhajë, të zgjedhet një numër i caktuar i deputetëve, përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve në numrin e përgjithshëm të banorëve të Malit të Zi, konkretisht 5 vende-mandate deputeti. Me zbatimin e parimit të derdhjes së votave, duke shtuar votat e marra nga listat zgjedhore me paradigmë nacionale shqiptare nga qendrat e tjera të votimit në Mal të Zi dhe anasjelltas – duke ua shtuar listave të tjera zgjedhore votat që merren në qendrat e veçanta shqiptare të votimit”, thuhet në propozimin e tyre.
Sipas propozimit të tre deputetëve shqiptarë, “të drejtën e shpërndarjes së posteve, mandateve të fituara të deputetëve në këtë njësi nënzgjedhore, respektivisht në këto qendra të veçanta të votimit e kanë vetëm listat zgjedhore me paradigmë nacionale shqiptare të cilat plotësojnë censusin e parashikuar, i cili nuk mund të jetë më i vogël se 3% e numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme në këto qendra të veçanta votimi, të përcaktuar me vendimin e posaçëm të Kuvendit të Malit të Zi, apo me këtë ligj (me të cilin do të saktësohen edhe qendrat e veçanta të votimit)”.
Deputetët Bardhi, Nimanbegu dhe Hollaj kërkojnë që i njëjti parim të vlejë edhe për përfaqësimin autentik të shqiptarëve në kuvendin e komunave, tradicionalisht me popullsi autoktone shqiptare.

“Të caktohet numri i mandateve shqiptare përpjesëtimisht me pjesëmarrjen e shqiptarëve, me numrin e përgjithshëm të banorëve për secilën komunë ku shqiptarët janë autoktonë (komunat e sipërpërmendura) dhe këto mandate t’u ndahen listave zgjedhore me paradigmë nacionale shqiptare. Në komunat ku ky minimum i votave nuk mund të arrihet në mënyrë të natyrshme, censusi i nevojshëm arrihet duke caktuar 1 (një) mandat dhe t’i ndahet listës zgjedhore me paradigmë nacionale shqiptare, e cila ka fituar më së shumti vota në zgjedhje”, thuhet në propozim.
Ata propozojnë ruajtjen e formulës së Dont-it për llogaritjen, respektivisht shpërndarjen e posteve, mandateve të deputetëve, respektivisht të këshilltarëve në Kuvendin e Malit të Zi dhe në kuvendet e vetëqeverisjes lokale, apo ndonjë formulë tjetër matematikore e cila më konkrete do të japë rezultatet gjatë llogaritjes proporcionale të numrit të posteve – mandateve të deputetëve, respektivisht të këshilltarëve.
Tre deputetët shqiptarë kërkojnë po ashtu që të ruhen censuset e deritashme për të drejtën e pjesëmarrjes në shpërndarjen e deputetëve si dhe niveli i deritashëm i numrit të nënshkrimeve për mbështetjen e listave zgjedhore.
Bardhi, Nimanbegu dhe Hollaj rikujtojnë kryetarin e Grupit të Punës për hartimin e legjislacionit zgjedhor, Miodrag Vukoviq, dhe anëtarët e tjerë të këtij grupi se ata kanë dërguar në fillim të punës së këtij grupi propozimin e tyre në tre variante.
“Pasi që nuk pati gatishmëri që të miratohet asnjë variant i propozimit tonë, tani kur kemi në tryezë disa propozime të reja, sidomos pas propozimit të PDS-së, të cilin e mbështetën edhe përfaqësuesit e Partisë Boshnjake, të Iniciativës Qytetare Kroate dhe të Unionit Demokratik të Shqiptarëve, i cili për ne është i papranueshëm për arsye të njohura dhe të arsyetuara, ne deputetët e poshtëshënuar të partive shqiptare, respektivisht të listave zgjedhore po ua dërgojmë propozimin tonë, që në realitet është varianti i dytë i konkretizuar i propozimit tonë të datës 1 tetor 2009”, thuhet në propozim./kohapress/

KOMENTOJE