Podgoricë, 14 shkurt – Në kuadër të aksionit të filluar tash e sa muaj, policia malazeze në Podgoricë dhe Tivar ka arrestuar 15 persona, nga të cilët tra janë zyrtarë policorë, për shkak të dyshimit të bazuar se kanë bërë vepër penale të krimit të organizuar, tregtisë me njerëz dhe ndërmjetësim në prostitucion të organizuar. Viktima të këtyre veprave ishin kryesisht vajza nga Serbia. Pos 15 të arrestuarve, edhe tre persona tjerë janë në kërkim.
Pos dy klubeve të natës në Podgoricë, policia ka bastisur edhe lokalin “Popaj” në Ulqin, ka njoftuar sonte Drejtoria e policisë malaziase.
Sipas njohurive të policisë, fitimi vetëm nga prostitucioni për një klub të tillë nate sillej rreth 120 000 euro në vit.
Tre zyrtarët policorë, si dyshohet, kanë bërë mbrojtje fizike të këtyre tri klubeve, sikundër që kanë qenë edhe shoqërues të vajzave nga klubet e natës deri te myshterinjtë nëpër hotele e vende të tjera. Ata do të akuzohen edhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare, pasi janë përpjekur të bindin edhe kolegë të tjerë policë për tu marrë me këtë punë të paligjshme, si dhe të marrin informata për atë se sa di policia për veprimtarinë e këtyre klubeve të natës.
Gjatë aksionit të emërtuar “Afrodita” është kuptuar se me forimin e shërbimeve seksuale në këto tri klube të natës janë marrë mbi 30 vajza, shumica nga Serbia, derisa dy të tjera ishin nga Kosova dhe Kroacia. /Koha Ditore/