Me rastin e dyvjetorit të pavarësisë, Kuvendi i Kosovës, në orën 11:00, do të mbajë sot një seancë solemne, ku me një fjalë rasti para deputetëve të vendit dhe mysafirëve të ftuar do të mbajnë: kryeparlametari Jakup Krasniqi, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.
Po ashtu edhe Komuna e Prishtinës me rastin e dyvjetorit të pavarësisë së Kosovës ka përgatitur një varg aktivitetesh.
Fillimisht në orën 10:00 mbahet mbledhja solemne e Asamblesë Komunale të fëmijëve të Prishtinës, për të vazhduar më pas në orën 12:00 në Teatrin Dodona me një program artistik, të përgatitur nga “Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës.
Në orën 13: 30 në Bulevardin “Nëna Terezë” do të mbahet një program artistik për fëmijë, ku do të marrin pjesë grupet artistike të fëmijëve dhe të rinjve të qytetit.
Në orën 14:00 ndërkaq, në Stadiumin e qytetit, do të luhet ndeshja miqësore e futbollit Kosovë – Shqipëri.
Programi qëndron festiv fillon në orën 20:00, në skenën e vendosur para Hotel “Iliria”, ku do të defilojnë solistë dhe grupet të ndryshme të muzikës popullore dhe argëtuese.
Programe të ngjashme kulturore, artistike e sportive janë paraparë të mbahen edhe në qytete të tjera të Kosovës. /Telegrafi-BalkanWeb/