Një film në Hollywood kushtuar UÇK-së

Craig Jurisheviç është kirurg i specializuar për zemrën dhe lektor në universitet. Me prindër sllovenë, por i lindur dhe rritur në Australi, ai njihet për guximin e tij për të punuar në zonat më të rrezikshme të luftës.Në vitin 1999, ai udhëtoi për në Shqipëri dhe filloi punën si mjek në Spitalin e Kukësit, që u bë qendra kryesore e mjekimit dhe rehabilitimit fizik të luftëtarëve të plagosur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Puna në këtë spital shpejt bëri që Craig të përfshihej emocionalisht në kauzën shqiptare dhe një ditë të bukur la pas spitalin dhe iu bashkua Batalionit Atlantiku që hynte në Kosovë. Craig mori pjesë në luftime në kuadrin e këtij formacioni të përbërë nga shqiptaro-amerikanët që shkuan të luftojnë për lirinë e atdheut përtej oqeanit dhe të batalionit të 123-të të Malit të Pashtrikut.
Gjatë periudhës së luftës, Craig bëri dhjetëra operacione duke shpëtuar luftëtarë dhe civilë shqiptarë. Ai mori pjesë edhe në patrulla të UÇK-së që depërtonin përtej vijës serbe dhe u bë dëshmitar i masakrave të kryera nga ushtarakët dhe paraushtarakët serbë.
Sot, më shumë se dhjetë vite mbas kësaj aventure (Craig Juriseviç ka pasur edhe shumë të tjera në Afganistan, Timorin Lindor etj), kirurgu proshqiptar ka botuar një libër me titull “Blood in My Hands” (Gjak në duart e mia) të botuar në Australi. Libri është shkruar në bashkëpunim me Robert Hillman, një autor i njohur biografish që në vitin 2005 fitoi Çmimin Kombëtar Australian për Biografitë. Libri i tij “My Life as a Traitor” (Jeta imë si tradhëtar) i shkruar bashkë me Zarah Ghahramani-n është botuar në shumë vende të botës dhe u shpall Libri i Vitit nga gazeta e njohur “San Francisco Chronicle”.
Libri “Blood in My Hands” që përshkruan rrethanat tragjike të luftës në Kosovë dhe përvojat personale të mjekut që vendosi t’i bashkohej UÇK-së ka pasur sukses ndërkombëtar dhe po botohet në disa vende të botës. Faqja në internet e botimit të këtij libri është: http://www.wilddingopress.com.au/
Historia e përshkruar në libër është përdorur për një skenar filmi në Hollywood që do të flasë për luftën në Kosovë. Filmi, siç bëri të ditur Craig, gjatë një telefonate nga Australia me gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York do të dalë në kinema vitin e ardhshëm. Kirurgu i njohur tha për gazetën “Illyria” se rolin kryesor në film do ta luajë aktori i njohur Sam Worthington (i cili është bërë i famshëm me rolet e tij në filmat “Avatar”, “Clash of the Titans”, “Terminator Salvation”).
Craig thotë se njoftimi për Sam Worthington nuk është bërë ende publik. Ai thotë se pret që njoftimi të jepet javën e ardhshme. Ndërkohë, sipas tij, Sam e ka lexuar librin dhe “e mbështet kauzën”. Kirurgu australian që sot kryen operacionet e tij në një spital të njohur të Adelajdes tha për gazetën “Illyria” se burime serbe dhe ruse po përgatisin një fushatë propagandistike kundër filmit për ta penguar realizimin e tij. Për fat të mirë, producentja që ka marrë përsipër financimin e filmit është Eva Orner, fituese e çmimve Oscar dhe Emmy. Craig thotë se filmi do të jetë i pari prodhim i kësaj përmase në Hollywood që do të përshkruajë tmerret e luftës në Kosovë. “Me emra të till të mëdhej aktorësh dhe producentësh”, thotë ai, “filmi do të ndihmojë në ndërgjegjësimin e botës në një nivel më të lartë për masakrat sebe.” (“Illyria” – New York)