Rritje drastike e azilkërkuesve nga Maqedonia e Serbia në BE

Bruksel, 25 shkurt – Prej kur janë hequr vizat për të udhëtuar në BE për shtetasit e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, numri i azilkërkuesve nga këto vende që po vijnë në vendet e BE-së është rritur dukshëm. Ndonëse në disa vende është e vështirë për t’i marrë shifrat, pasi që janë vende më të mëdha dhe kanë sisteme të decentralizuara, dukuria është e ngjashme në disa shtete. Vetëm në Belgjikë numri i azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia në dy muajt e parë prej kur janë hequr vizat ka qenë shumëfishi i tërë vitit të shkuar. Në Belgjikë nga Maqedonia vetëm gjatë këtij viti azil kanë kërkuar 400 qytetarë, ndërsa rritje ka shënuar edhe numri i të ardhurve nga Serbia, kryesisht nga Lugina e Preshevës. Në Belgjikë të ardhur të tillë mund të vërehen edhe në afërsi të stacioneve të trenit.
Ndonëse autoritetet thonë se secilën kërkesë do ta shqyrtojnë sipas procedurës, ata rikujtojnë se shtetet për të cilat janë hequr vizat janë vlerësuar si shtete demokratike, i kanë përmbushur edhe kushtet për integrimin e pakicave dhe kanë nënshkruar marrëveshjet e riatdhesimit.
Prandaj nga autoritetet e vendeve të BE-së pohojnë se me procedurë të
shpejtuar shumica e azilkërkuesve do të riatdhesohen.
“Ne nuk ndërhyjmë në procedurat e azilit që kanë vendet anëtare, por pranimi prapa i azilkërkuesve ka qenë kusht për shtetet që u kemi hequr vizat. Prandaj, presim që pa problem të gjithë ata që kanë ardhur pa viza dhe nuk kanë arsye qëndrimi, apo nuk kanë mjete për të qëndruar në vendet përkatëse, do të kthehen”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Në të njëjtën kohë zyrtarët nga disa vende të BE-së pohojnë se qytetarët e vendeve, për të cilat janë hequr vizat, janë të mirëseardhur për të vizituar apo qëndruar deri në tre muaj pa viza në këto shtete. Rikujtojnë se e drejta për të ardhur pa viza nuk u jep këtyre njerëzve të drejtën e punës e as të drejta për ndonjë asistencë materiale.
Vetë numri i azilkërkuesve nuk duket në këtë moment alarmues për autoritetet e vendeve të Bashkimit Evropian. Por dukuria si e tillë shqetëson ata, të cilët angazhohen për heqjen e vizave edhe për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës.
“Kundërshtarët e heqjes së vizave mund të keqpërdorin këtë dukuri për të rritur frikën se kur të hiqen vizat mund të ketë largim masiv nga Shqipëria dhe Kosova, pasi që shumica që po vinë janë shqiptarë nga Maqedonia dhe Serbia. Dhe duhet pasur parasysh se në disa ministri të brendshme të disa vendeve anëtare të BE-së nuk kanë shumë simpati për mundësinë e heqjes së vizave”, ka thënë për “Kohën Ditore” një diplomat i BE-së, i cili merret me çështjet e drejtësisë dhe të punëve të brendshme.
Edhe pse rritja e numrit të azilkërkuesve nga Maqedonia dhe Serbia nuk është e lidhur në mënyrë direkte me Kosovën, bashkëbiseduesit e gazetës rikujtojnë se për Kosovën “testi i parë nëse do të ketë çfarëdo mundësie për përfshirjen eventuale në liberalizimin eventual të vizave do të jetë mënyra se si Kosova pranon të riatdhesuarit dhe si i zbaton marrëveshjet për riatdhesim që po lidh me vendet e ndryshme të Bashkimit Evropian”.
Autoritetet e vendeve të BE-së pohojnë se e kuptojnë situatën e rëndë ekonomike në Ballkan por po ashtu thonë se kjo nuk do të merret parasysh në shqyrtimin e kërkesave për azil, sepse për azil kriter është përndjekja politike.
Në BE megjithatë parashikojnë se nuk do të ketë probleme serioze për vendet anëtare të saj pikërisht për shkak të mundësimit të riatdhesimit, gjë që nuk ka qenë e mundur në periudhën e luftërave në ish-Jugosllavi kur qindra mija refugjatë gjetën strehim në vendet e BE-së.
“Tash rrethanat kanë ndryshuar dhe të kthyerve nuk u paraqitet rrezik për sigurinë e tyre në vendet nga kanë ardhur”, thonë disa zyrtarë të vendeve të BE-së. /Koha Ditore/