Ipeshkvi i Kosovës nderoi heroin kombëtar në Prekaz

Prekaz, 7 mars – Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, në përcjellje të bashkëpunëtorëve dhe të disa besimtarëve katolikë, bëri një vizitë në Prekaz, ku u nderuan të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës, në krye me heroin tonë kombëtar Adem Jasharin. Më pas ipeshkvit dhe bashkëpunëtorëve të tij iu rezervua një pritje e ngrohtë në Odën e Jasharajve.
Me këtë rast, ipeshkvi vlerësoi lartë sakrificën e këtyre familjeve për lirinë dhe pavarësinë e vendit, duke u premtuar lutjet e Kishës për të gjithë ata që dhanë jetë.
Në fund të vizitës, Imzot Dodë Gjergji i dhuroi familjes Jashari një portret të Nënës Tereze, njoftoi sonte Zyra e Ipeshkvit. /Koha Ditore/