Lumi Cem së bashku me kanionin e vet, me bukuritë e rralla fantastike dhe me ujin e pastër i takon grupit të lumenjve shumë atraktiv dhe më të bukur të Europës, lum ky që gjatë tërë vitit e posaçërisht gjatë verës është shumë i vizituar nga dashamirët vendas të natyrës por edhe të huaj.
Cemi (lumi i vetëm në Malësi) në këto vise paraqet një potencial të rëndësishëm natyror dhe turistik.
Lumi buron në pjesën perëndimore të Bjeshkëve të Nemuna, në Shqipëri, në kuotën 1650m.
Gjatësia e lumit është 62km.
Lumi formohet prej dy degëve kryesore Cemit të Selcës (22.5km) dhe Cemit të Vuklit (17.9km), të cilat mbasi përshkojnë disa kilometra bashkohen te Tamara dhe formojnë lumin e Cemit.
Cemi derdhet në lumin Moraça, të cilët së bashku furnizojnë me ujë Liqenin e Shkodrës.
Gjatë verës Cemi shndërrohet në një mjedis atraktiv e tërheqës për pushues të ndryshëm që i preferojnë mrekullitë e këtij lumi, ku duhet veçuar pikën e Tërgajës, e cila është bërë vend për larje (plazh), pushim e rekreacion për banorët e Malësisë.