Promovohet në Tuz libri “Vajtimet në Malësi” i autorit Nik Gjeti Arapaj

Me 11 prill, në lokalet e Qendrës për kulturë në Tuz, u mbajt promovimi i librit me titull “Vajtimet në Malësi” i autorit Nikë Gjetit Arapaj.

Është ky libri i dytë i këtij brimëtari me zë, nga Malësia i cili disa vite më parë na kishte dhuruar edhe librin “Në hijen e heshtjes”, kurse librin e dytë e botoi familja në njëvjetorin e vdekjes së tij. Libri u botua me përkrahjen financiare të Fondit për pakica, kurse nën redaktuarën e publicistit dhe shkrimtarit Fran Camaj.
Botuesi i këtij libri është Shoqata “Illyricumi” nga Tuzi, që e organizoi edhe përurimin në bashkëpunim me familjen e autorit.

Për librin folën Nikollë Berishaj kryetar i Shoqatës “Illyricumi” nga Tuzi, Pjetër Lucaj dhe Fran Camaj, kurse kumtesën e vet e kishte dërguar edhe recensenti i librit, profesor Tefë Topalli nga Shkodra, të cilën e lexoi ish-studenti i tij Sehad Lulanaj, përndryshe profesor në Gjimnazin e Tuzit.

Libri përmban disa dhjetëra vajtime të autorit e të të birit të tij Gjekës, po ashtu brimtar, si edhe brimë të disa brimtarëve tjerë të njohur në Malësi, si Dodë Smajli, Rrok Pjetër Zeku, Tom Bishi, Kolë Zef Dasha, Mark Gjetit, Gjergj Pali, Prelë Kolë Bardhi, Nikollë Prëka Dushaj, etj; pastaj edhe vajtime nga dy vajtore, Mace Gegaj e lindur Gjonaj si dhe Tereze Ucja Gjokaj e lindur Gjelaj.
Në emër të familjës të pranishmit i përshëndeti djali i Nikës, Gjetja.

Libri ka edhe një parathënie të shkruar nge vetë autori.

Albert Camaj

FOTOGRAFITË KOMENTOJE