Kuvendi i Malit të Zi po i lë shqiptarët edhe pa 5 deputetë

Podgoricë, 22 prill – Deputetët shqiptarë, Mehmet Bardhi, Amir Hollaj dhe Genci Nimanbegu, kritikuan mazhorancën se po manipulon me shtyrjen e miratimit të aktit të harmonizimit të legjislacionit zgjedhor me Kushtetutën, gjë që ndodhi për të tretën herë në Kuvendin e Malit të Zi dhe kështu po i lë shqiptarët autokton edhe pa 5 deputetë, njofton sot KosovaLive.
Kushtetuta e Malit të Zi është miratuar në vitin 2007 dhe harmonizimi i legjislacionit zgjedhor me Kushtetutën, sipas përfaqësuesve shqiptarë, është dashur të kryhet brenda disa muajve ashtu siç e ka definuar edhe akti më i lartë juridik shtetëror.

Deputetët shqiptarë mendojnë se mazhoranca nuk e ka qëllimin, siç pohon ajo, që të heq dyshimet e legjitimitetit të zgjedhjeve të ardhme lokale, por nuk e bën harmonizimin e legjislaturës me qëllim për të anashkaluar përfaqësimin e shqiptarëve autokton me pesë deputet.
Kryetari dhe deputeti i Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi tha se e keqja e madhe është se Unioni Demokratik i Shqiptarëve e përkrah mazhorancën. Bardhi vërejti se shqiptarëve në këtë mënyrë po u shpërfillen të drejtat që u takojnë dhe kontributi që kanë dhënë për shpalljen e Malit të Zi shtet të pavarur.

“Me këso veprimesh, shihet qartë se koalicioni qeverisës, i ndihmuar edhe nga një parti shqiptare, po na mohon të drejtën e përfaqësimit tonë autokton në Kuvendin e Malit të Zi”, tha Bardhi.
Po në këtë frymë reaguan edhe dy ligjvënësit tjerë shqiptarë, Genci Nimanbegu dhe Amir Hollaj. Ky i fundit, sikurse edhe Bardhi, paralajmëroi se nuk do ta votojë propozimin e shumicës për të shtyrë harmonizimin e legjislacionit zgjedhor me Kushtetutën.

Koha Ditore

KOMENTOJE