Shkup: Shqiptarët e Maqedonisë protestuan për drejtësi

Shkup, 10 maj- Mijëra shqiptarë të hënën protestuan para institucioneve shtetërore, gjykatave, Parlamentit dhe Qeverisë së Maqedonisë. Ky ishte trekëndëshi ku protestuesit e zhvilluan marshin e tyre. Nën moton “Për drejtësi” dhe parulla “Liri për sopotasit”, Stop politikës diskriminuese”, qytetarët shqiptarë shprehën revoltën e tyre kundër politikës qeveritare dhe kërkuan që t’i jepet fund kësaj politike antishqiptare.
Derisa masa e tubuar po i afrohej fillimisht gjykatave filluan brohoritjet “UÇK-UÇK”. Protestuesit me vete kishin marrë vetëm flamujt kombëtarë dhe këtu nuk vërehej ndonjë simbol tjetër. Forcat speciale të policisë ishin vendosur në të gjitha pikat, si para gjykatës ashtu edhe para institucioneve tjera shtetërore. Protesta e cila gjeti mbështetje nga shumë OJQ dhe unione të studentëve, por jo edhe nga Lëvizja qytetare “Zgjohu” e cila mbeti e vetmuar në këtë rast. Protesta ka gjetur mbështetjen e Demokracisë së Re, PDSH-së, BDK-së e BDSH-së, ndërsa është kundërshtuar vetëm nga BDI. Këtë më së miri e dëshmoi edhe prezenca në protesta e deputetëve Sulejman Rushiti, Flora Kadriu dhe Abedin Zymberi. Disa protestues duke shprehur revoltën e madhe ndaj proceseve të montuara gjyqësore kundër shqiptarëve kërkuan liri për Harun Aliu, lider i Alternativës Kombëtare i cili kohë më parë nga Gjykata Themelore Shkupi 1 është dënuar me burg të përjetshëm. Ai akuzohet se kanë qenë organizatori për vrasjen e policit të njësitit “Tigrat” në lagjen “Autokomandë” të Shkupit para dy vjetësh. Zëdhënësi i qeverisë Shefik Duraku ka thënë se pjesëmarrja e BDI-së në Qeveri është argument i mjaftueshëm se numri më i madh i shqiptarëve mbështesin zgjidhjen institucionale të protestave.
“Numri i vogël i protestuesve është një porosi e fuqishme deri te të gjithë faktorët se shqiptarët në Maqedoni janë të vendosur që kërkesat dhe problemet e tyre t’i zgjidhin përmes institucioneve të sistemit”, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Shefik Duraku. Pasi protestuesit qëndruan para gjykatave ata vazhduan marshin te Parlamenti, ndërsa më pas protestuan para Qeverisë, ndërsa sërish u kthyen para Pallatit të gjykatave ku edhe u lexua deklarata e protestës. Faton Memedi, nga Këshilli organizativ i OJQ-ve për organizimin e protestave, tha se me anë të kësaj proteste kanë dashur të shprehin pakënaqësinë dhe revoltën ndaj diskriminit të thellë që u bëhet shqiptarëve në Maqedoni në të gjitha sfërat e jetës. “Vetë marshi protestues nga gjykatat, më pas te Parlamenti dhe në fund para Qeverisë, simbolizon trinomin diskriminues institucional kundër shqiptarëve në Maqedoni. Gjykata e korruptuar dhe monoetnike që dënon pa asnjë argument shqiptarët e pafajshëm, Parlamenti i dominuar nga maqedonasë etnikë që miraton ligje antishqiptare dhe një Qeveri e dominuar nga maqedonas etnikë që ekzekuton aktet antishqiptare të miratuara nga Parlementi’’, u shpreh Memedi.
Këshilli i organizatave shqiptare të Maqedonisë, me anë të kësaj proteste kërkoi lirimin urgjent të rastit të Sopotit, Brodecit. Ata kërkuan të ndërpritet procesuimi i rasteve të Hagës, ndërprerjen e politikës diskriminuese në arsim, ekonomi, kulturë, projekti “Shkupi 2014”. Përndryshe, protestat zgjatën rreth dy orë dhe për fat të mirë, kaluan qetë dhe pa incidente. Protestat gjatë tërë kohës kanë qenë nën vëzhgimin e një numri të madh të policëve. /Koha Ditore/