Tuzi ende komunë urbane

Tuz, 13 korrik – Garnitura e re e koalicionit qeverisës në Komunën Urbane të Tuzit (KUT), vendimin e udhëheqjes së mëparshme të organizimit të referendumit në muajin gusht për komunën e plotë, e quan “truk parazgjedhor”, raporton KosovaLive.

“Nuk kanë ekzistuar mundësitë juridike, vullnet dhe dëshirë dhe atë vendim kanë mundur ta marrin në katër vitet e mëparshme”, thotë kryetari i ri i Kuvendit të KUT, Fadil Kajoshaj.

Ai thotë se në seancën e ardhshme të parlamentit lokal, e cila do të mbahet deri në fund të këtij muaji, me siguri do të debatohet edhe mbi anulimin e Vendimit mbi shpalljen ne referendumit në gusht, të cilin e ka miratuar shumica e mëparshme.

“Ne jemi për komunë të pavarur, por ende nuk janë pjekur kushtet për këtë, gradualisht do të shkojmë drejt këtij qëllimi,” thotë Kaloshaj.

Ai rikujton se tashmë ekziston marrëveshja politike midis Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Partisë Demokratike të Socialistëve që referendumi të organizohet në vitin 2014.

“Me siguri referendumi do të ndodh, në fund të vitit të tretë, apo në fund të mandatit, ende nuk jemi të sigurt”, thotë Kajoshaj.

Sipas tij, qytetarët e Malësisë edhe gjatë katër viteve të ardhshme do të jenë të interesuar për referendumin, sepse shumicën e banorëve e përbëjnë shqiptarët. Por, sipas kryetarit të Parlamentit lokal të Tuzit, çështja është se sa është kjo reale shikuar nga aspekti ekonomik dhe financiar”.

Megjithatë,ai premton se vullneti i qytetarëve sigurisht se do të respektohet.

“Ne më së miri e dimë se cilat janë përparësitë dhe çfarë më së shumti u duhet qytetarëve të Malësisë. Kur bëhet fjalë për projektet të cilët nuk i takojnë vetëm Malësisë, atëherë aty do të kyçet edhe kryeqyteti, edhe vetë shteti”, mendon Kajoshaj.

Kryetari i ri i Kuvendit të KUT paralajmëron edhe sistematizimin e ri të vendeve të punës në administratën vendore, si dhe formimin edhe të klubeve të këshilltarëve. /Koha Net/

KOMENTOJE