Mesha e parë në katedralen “Nëna Terezë” në Prishtinë

Prishtinë, 5 shtator – Pikërisht në ditën e 13-vjetorit të vdekjes së humanistes së madhe shqiptare dhe nobelistes sonë Nëna Tereze, në katedralen e përuruar dje në Prishtinë, që mban emrin e saj, sot është mbajtur mesha solemne kushtuar 100-vjetorit të lindjes së Gonxhe Bojaxhiut.

Mesha përshpirtërore për Nënën Terezë është udhëhequr nga i dërguari i veçantë i Papa Benediktit XVI, arqipeshkvi i Tivarit, Zef Gashi.

Një fjalë rasti para të pranishmëve e ka mbajtur Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, kurse në emrë të institucioneve të Kosovës, ka folur kretari i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Kam kënaqësinë që si përfaqësues i Legjislativit të vendit, të jem i pranishëm në 100-vjetorin e lindjes së Nënës Terezë, përkujtimi i veprës të së secilës na bashkoi sot në Katedralen që e mban më të drejt emrin e kësaj humanisteje unike të përmasave botërore. Kjo Katedrale, që qëndron madhështore në zemër të kryeqytetit të Kosovës është simbol i fesë katolike, i bashkëjetesës, i humanizimit dhe i tolerancës fetare që e karakterizon kombin tonë që nga lindja e tij. Ky tempull i besimit do të shërbejë si shtëpi e paqes dhe e dashurisë për njëri-tjetrin, si shtëpi e tolerancës ndaj diversitetit, e përkujdesjes për të pambrojturin dhe të vobektin, e paqes dhe e respektit ndaj jetës – reflektim i veprës se Nënë Terezës”, tha kryeparlamentari Krasniqi.

Ai pastaj foli për misionin e Nënës Terezë, rrugëtimin e saj për përhapjen e mirësisë, të dashurisë, të paqes, të tolerancës dhe të urtësisë në të gjithë botën, zërin e shpresës dhe të besimit për një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme për të gjithë. “E shenjtë është Nëna Terezë, po aq i shenjtë është edhe dinjiteti njerëzor që me përkushtim e besim mbrojti ajo”, tha Krasniqi.

Në vijim Krasniqi ua përkujtoi të pranishmëve se toleranca fetare, mirësia dhe dashuria ndërmjet njerëzve të komuniteteve të ndryshme fetare, kanë qenë dhe mbeten vlerë e çmuar e kombit shqiptar edhe nga të huajt, pra nga të gjithë ata që tolerancën e kanë vlerë komunikimi e veprimi.

Në solemnitetin e organizuar me rastin e meshës së parë në katedralen “Nëna Terezë, ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, krerët fetarë të religjioneve të ndryshme, si dhe ambasadorë e përfaqësues të organizatve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Me një fjalë rasti të pranishmit në meshë i përshëndeti edhe kryetari i bashkësisë së Fesë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava. /Koha Net/

KOMENTOJE