Një dekadë punë të MALESIA.ORG

Malesia.Org sot me 14 shtator 2010 mbushë plotë 10 vite punë

Dhjetë vite më parë Malesia.Org, portal i pavarur në gjuhën shqipe me seli në Tuz të Malësisë, filloj misionin e sajë me synim që në rajonin e Malësisë të jenë një dritare informative, kulturore e kombëtare në internet. Një dritare ku do të publikohet informacioni i pa anshëm, ku ngjarja të përshkruhet ashtu siç ngjau, ku e vërteta dhe fjala e lirë nxënë vendin e vet.
Ishte një rrugë aspak e lehtë e cila kërkoi kohë, vullnet, guxim dhe përkushtim të përditshëm në kushte minimale.
Malesia.Org me përkushtim të veçantë, me punën që bën, kujdeset për ruajtjen e traditës, kulturës dhe gjuhës shqipe në trevat shqiptare në Mal të Zi e posaçërisht në Malësi. Gjatë krejt kohës përkrahëm dhe promovuam aktivitetet kulturore-kombëtare, artin, këngën, sportin, aksionet humanitare dhe aktivitetet rinore në Malësi.
Mundësuam që diaspora jonë të jenë sa më pranë Malësisë dhe anasjelltas, që Shqipëria, Kosova dhe trevat tjera shqiptare të informohen dhe njoftohen më shumë me realitetin në Malësi.
Gjatë këtyre viteve nuk munguan lëvdatat, përkrahjet, po ashtu u ballafaquam edhe me kritika si dhe sulme, e të cilat i kuptuam si pjesë përcjellëse e punës që kryejmë. Megjithatë puna e stafit tonë vullnetarë u vlerësua dhe u shpërblye, në rënd të parë nga vizitorët e portalit tonë, që në ditë arrin nga 3000 deri në 5000 vizita.
Punën tonë e vlerësuan edhe shoqëri e organizata të shumta nga Malësia dhe diaspora, e veçojnë Shoqata “Malësia e Madhe” nga Michigani, Shoqata “Dedë Gjo’ Luli” nga New Yorku dhe Shoqata e Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj” nga Peja etj.
Malesia.Org mirëmbahet dhe financohet nga anëtarët e stafit por kohën e fundit ndihmohet edhe nga organizatat në diasporë dhe nga individ.
Themelues i portalit Malesia.Org është Robert Ivezaj kurse për portalin kujdesën edhe anëtarët tjerë të stafit: Lindon Camaj, Gjon Gjelaj, Albert Camaj dhe Pjetër Gjonaj e për disa vite me radhë edhe ish anëtari Françesko Junçaj. Gjithashtu duhet cekur edhe përkrahjen e madhe që na e ofrojnë bashkëpunëtorët tonë, gazetarët Rrahman Jasharaj nga Peja, Beqir Sina nga New Yorku si dhe gazetarët nga gazeta e vetme në gjuhën shqipe në Mal të Zi, e përjavshmja Koha Javore me kryeredaktorin Ali Salaj.
Malesia.Org rrugëton me misionin e vet, moto i së cilit është “sot më të mirë se dje dhe nesër më të mirë se sot…”

Ju ftojmë që së bashku të gjallërojmë frymën e të vërtetës mbi Malësinë.

Stafi MALESIA.ORG

KOMENTOJE