Bosnjë-Hercegovina ka ekip më të mirë se Shqipëria dhe për këtë arsye në Tiranë do të udhëtojë për të marrë tri pikë. Kështu ka thënë përzgjedhësi i Bosnjë- Hercegovinës, Safet Sushiq, të premten në një intervistë për “Kohën Ditore”. Sushiq ka thënë se skuadra e tij kundër Shqipërisë synon t’u kthehet fitoreve pas humbjes së pësuar nga Franca në ndeshjen e kaluar.
Shqipëria pret Bosnjën më 8 tetor në “Qemal Stafa”, në ndeshjen e tretë eliminatore për “Euro 2012”. Shqipëria bën pjesë në grupin D.
Sipas Sushiqit, Bosnja kundër Shqipërisë do të mundohet t’i kompensojë pikët e humbura në shtëpi kundër Francës. Boshnjakët më shtatë shtator u mposhtën 2:0 nga Franca në Sarajevë. Sushiq ka thënë se përparësia e vetme e “kuqezinjve” është terreni vendas. Megjithatë, përzgjedhësi i Bosnjës ka thënë se Shqipëria mund të fitojë pikë kundër skuadrës së tij.
“Përparësi e Shqipërisë është se luan në shtëpi, ndërsa përparësia jonë është se kemi ekip më të mirë dhe të ndërtuar nga futbollistë cilësorë. Kur merret kjo parasysh, gjasat i kemi të barabarta, por ne kërkojmë t’i kompensojmë pikët e humbura me Francën”, ka deklaruar Sushiq. “Pra, në Shqipëri shkojmë me qëllim të qartë për të shënuar fitore”.
Pas dy ndeshjeve, Shqipëria është lidere e grupit D me katër pikë. Në ndeshjen e parë Shqipëria barazoi 1:1 me Rumaninë, ndërsa në takimin e dytë fitoi 1:0 kundër Luksemburgut. Katër pikë ka edhe Bjellorusia, ndërsa Bosnja është e katërta me tri pikë. Bosnja në ndeshjen e parë kishte mposhtur Luksemburgun me rezultat 3:0.
Sipas Sushiqit, nuk ka sekrete mes Shqipërisë dhe ekipit boshnjak. Ai insiston se njeh Shqipërinë shumë mirë, ndërsa vlerëson se edhe Josip Kuzhe ka njohuri të bollshme për ekipin e tij.
“I kam shikuar ndeshjet e Shqipërisë sikur që trajneri i tyre i ka shikuar ndeshjet tona. Njihemi shumë mirë mes vete dhe nuk ka sekrete në ditët e sotme”, tha Sushiq.
Sushiq ka uruar Shqipërinë për start të mirë të eliminatoreve. Ai nuk është i kënaqur me startin e përfaqësueses që drejton. Bosnja në vitet e fundit ka bërë përparim të madh. Ajo u paraqit në barazh për kualifikim në botërorin “Afrika e Jugut 2010”.
Ish-futbollisti i Paris Saint Germainit pret që në Tiranë të zhvillohet lojë e fortë.
“Pres një lojë shumë të fortë si për ne ashtu edhe për Shqipërinë. Ata kohët e fundit po luajnë shumë mirë dhe këtë falë ekipit dhe trajnerit të mirë që kanë. Kanë bërë një start fantastik. Por, në anën tjetër edhe ne kemi një ekip shumë të mirë. Kështu që kemi gjasa reale të marrim një rezultat pozitiv dhe për këtë arsye nisemi për fitore në rend të parë”, ka shtuar Sushiq.
Trajneri boshnjak para fillimit të eliminatoreve ka qenë i bindur se ekipi i tij dhe Rumania do të luftojnë për vendin e dytë në grupin D. Ai thotë se vendi i parë ka qenë dhe është i rezervuar për Francën. Por pas dy ndeshjeve parashikimet e tij në masë të madhe i kanë prishur Shqipëria dhe Bjellorusia.
“Isha i bindur se vetëm ne dhe Rumania do të luftonim për vendin e dytë. Por tash dolën në skenë edhe Shqipëria e Bjellorusia. Nuk jemi më dy, por katër ekipe që kemi gjasa të përfundojmë në vendin e dytë. Do të jetë luftë e hapur dhe e fortë deri në fund të eliminatoreve”, ka thënë Sushiq.
Ai drejtimin e Bosnjës e mori në dhjetor të vitit të kaluar. Më herët ka drejtuar disa klube në Turqi, Al Hilalin në Arabi Saudite dhe Cannesin në Francë. Si futbollist kishte 54 paraqitje në Përfaqësuesen e Jugosllavisë. Nëntë vjet ka luajtur për skuadrën e Sarajevës, nëntë të tjera për PSG-në, ndërsa karrierën në vitin 1992 e përfundoi në klubin francez Red Star Saint-Ouen.
Safet Sushiq ka thënë se do të ishte i nderuar nëse Bosnjë-Hercegovina do të ishte kundërshtarja e parë e Kosovës pas pranimit në FIFA e UEFA. Ai nuk ka asgjë kundër zhvillimit të një ndeshjeje me Kosovën, nëse këtë e lejojnë asociacionet ndërkombëtare të futbollit.
“Ne nuk kemi arsye që të mos zhvillojmë ndeshje me Kosovën. Nuk kam asgjë kundër një ideje të tillë. Problemi i vetëm është që FIFA e UEFA nuk e lejojnë një gjë të tillë për momentin. Pas pranimit në FIFA me kënaqësi do të pranojmë ftesën eventuale për të luajtur kundër Kosovës. Madje, do të jemi të nderuar me ftesë”, ka thënë Sushiq. /Koha Net/