Tuz – Të martën u mbajt seanca e katërt e radhës e Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit me një pikë të rendit të ditës – Propozimin e mendimeve mbi raportet e punës për vitin 2009 të sipërmarrjeve publike të Kryeqytetit. Para këshillëtarëve të KU të Tuzit ishin raportet e punës së sipërmarjeve: “Vodovod i Kanalizacija”, ”Çistoqa“, “Zelenilo”, “Pogrebne Usluge”, “Komunalne Usluge”, ”Deponija”, “Trzhnice i Pijace“, “Putevi”, “Parking servis”, si dhe raporti i sipërmarrjes “Agencija za stanovanje”.
Që nga fillimi i punës së Komunës Urbane të Tuzit, administrata dhe Kuvendi i saj për katër vite me radhë jep mendim pozitiv në këto raporte edhe pse kanë ngelur pa u realizuar po të njëjtat investime kapitale në infrastrukturën lokale, siç janë: investimet në Ujësjellësin e Tuzit në vlerë prej një milion euro, investimet për aksin rrugor Tuz-Mataguzh me vlerë prej 700 mijë euro, investimet në ndërtimin dhe rikonstruktimin e rrjetit rrugor Dinoshë-Pikalë – Triesh dhe atij Fundna – Kojë, në vlerë prej 300 mijë euro, investimet në ndërtimin e tregut në vlerë prej 200 mijë euro, investimet në rregullimin e lumit Urrela, investimet në ndërtimin e poligoneve sportive, investimet në rregullimin e burimit të Radeqit dhe Vulaj – Kshevë, investimet në hartimin e dokumentacionit planifikues, investimet në ndërtimin e trotuareve në Tuz, investimet për ndërtimin e varrezave në hapësirën e KU të Tuzit, si dhe investimet në dy projekte kapitale ndërtimore siç janë objektet kulturore të Vranës dhe Mileshit dhe punimet në stadiumin e qytetit.
Pas një debati ku u paraqitën mangësitë të këtyre raporteve nga ana e disa këshilltarëve të opozitës, konkretisht të këshilltarit të LD në MZ, Nikollë Camaj, këshilltarit të Iniciativës Qytetare, Maliq Çunmulaj, dhe këshilltarit të Listës për Tuzin, Muhamed Gjokaj, Kuvendi i Komunës Urbane të Tuzit duke votuar veç e veç për çdo raport të sipërrmarrjeve publike, dha mendim pozitiv në të gjitha raportet e parashtruara nga këto sipërmarrje. /Muhamed Gjokaj – Koha Javore/