Nëntë subjekte në garë për Ulqinin

Ulqin, 15 tetor – Në mesnatën e së premtes nis heshtja për zgjedhjet e përsëritura lokale në Ulqin, të cilat do të mbahen ditën e diel, më 17 tetor 2010, e në të cilat garojnë pesë parti, dy koalicione dhe dy iniciativa qytetare, njofton KosovaLive.

Tri partitë pretenduese të shumicës parlamentare, Forca e Re Demokratike, Unioni Demokratik i Shqiptarëve në bashkërenditje me Partinë e Prosperitetit Demokratik dhe Partinë Demokratike të Socialistëve kanë zhvilluar fushatë të ashpër, me një retorikë tejet agresive kundër njëra-tjetrës.

Në këtë kontekst është shquar sidomos Forca, e cila ka akuzuar koalicionin “Për Ulqinin evropian”, i cili, sipas Forcës, në mandatin e kaluar katërvjeçar e ka varfëruar e plaçkitur buxhetin e kësaj komune.

Karakteristikë tjetër është se në periudhën e fushatës parazgjedhore, në Ulqin kanë ardhur të gjithë liderët e partive kryesore në skenën politike në Mal të Zi “për të marrë mandate në Kuvendin e Ulqinit”. Një “interesim” kaq i madh ndodh për herë të parë në historinë e pluralizmit 20-vjeçar.

Në zgjedhjet e dështuara të 23 majit të këtij viti në Ulqin, Koalicioni “Për Ulqinin evropian”, të cilin atëherë e përbënin Partia Demokratike e Socialistëve e Milo Djukanovic-it dhe Unioni Demokratik i Shqiptarëve i Ferhat Dinoshës, siguruan 14 mandate, por “fajtor” quhen socialdemokratët, të cilët “kërkuan” më shumë pushtet se sa ishte rezultati i tyre me dy këshilltarë, thotë për KosovaLive kryesocialisti i Ulqinit, Luigj Shkreli. Sipas tij, ky rast edhe prodhoi zgjedhjet e reja lokale në Ulqin. /Koha Ditore/

KOMENTOJE