Shqiptarët e Michigan-it, mbi 30 mijë dollarë për fushatën e DioGuard-it

Belleville, Michigan- Shqiptarë nga të gjitha rojet etnike me banim në Michigan u mblodhën këto ditë në Belleville, Michigan për të mbështetur financiarisht fushatën për zgjedhjen e Joseph DioGuard-it anëtar i Senatit Amerikan.
Organizator i kësaj mbrëmje ishte anëtari i Kryesisë së Ligës Qyetetare Shqiptaro – Amerikane, Marash Nucullaj (bashkë me vëllaun Dedën) i cili për pjesëmarrësit shtroi një darkë të pasur me ushqime e pije në restorantin e tij “Johnny’s” në Belleville.
Drejtuesi i mbrëmjes, Fran Gjoka, pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit, në mesin e të cilëve edhe konsullin e nderit të Shqipërisë në Michigan, Ekrem Bardhën, botuesin e gazetës “Illyria” në New York, Vehbi Bajramin e të tjerë, tha se shqiptarët e Amerikës duhet të mbështesin fuqishëm kandidatin për Senatin Amerikan, DioGuardi sepse ai është dëshmuar si një mbrojtës aktiv i çështjes sonë kombëtare, veçanërisht i çështjes së Kosovës për më shumë se dy dekada. Me zgjedhjen e tij nuk përfitojnë vetëm shqiptarët por në rend të parë populli amerikan i cili ka nevojë të ketë në Senat një njeri të tillë që ofron atë që ai kërkon.
“DioGuardi është një nga gurët themelues të pavarësisë së Kosovës”, tha Gjoka.
Ai theksoi se në debatin e fundit televiziv DioGuardi ofroi një program më të pranueshëm se kundërkandidatja e tij dhe kjo është edhe një dëshmi se ai do të fitojë zgjedhjet në nëntor.
Konsulli i nderit të Shqipërisë në Michigan, aktivisti i njohur, ish botues i gazetës “Illyria”, Ekrem Bardha, i cili dha 4 mijë e 800 dollarë, maksimumin që mund të jepet në fushata të tilla, tha se si njëri nga themeluesit e Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan me z. DioGuardi nuk ka pasur ndonjë bashkëpunim, por siç tha ai, është momenti që ai të ndihmohet që të dalë fitues në zgjedhjet e nëntorit. Ky është një rast historik dhe ne duhet të bëjmë punën tonë, tha ai. Një pjesë të fjalimit ai ia kushtoi siç tha, përçarjeve në komunitetin shqiptar të Michigan-it, ku disa indidvidë, sipas tij, nëpër faqe interneti po merren me insinuata, shpifje, sharje e fyerje që shkojnë në ujin e armiqve.
Bardha planifikon që gjatë ditëve të ardhshme të organizojë edhe dy fushata për të mbështetur kongresistët Gary Peters dhe Elliot Engel.
Marash Nucullaj tha se vetëm të bashkuar mund të bëjmë punë të mëdha si për çështjen kombëtare ashtu edhe për të ndihmuar DioGuard-in, i cili ka bërë punë të mëdha për çështjen tonë kombëtare.
“Zgjedhja e tij në Senat është një fitore e të gjithë shqiptarëve”, tha Nucullaj dhe shtoi se me pavarësinë e Kosovës çështja shqiptare nuk është zgjidhur në Ballkan.
“Është fat i keq kur i ke fqinjtë e këqinj që punojnë kundër teje”, tha Nucullaj. Ai theksoi se shqiptarët në Mal të Zi, Maqedoni, Preshevë me rrethinë akoma nuk i gëzojnë të drejtat e tyre.
Duke folur posaçërisht për shqiptarët në Mal të Zi, Nucullaj tha se ky shtet pavarësinë e fitoi me ndihmën e shqiptarëve por ai nuk po punon në përmirësimin e të drejtave të tyre.
Botuesi i gazetës “Illyria” Vehbi Bajrami i dha mbështetje fushatës duke shtuar se komuniteti shqiptar I Miuchigan-it ka bërë punë të mëdha për çështjen kombëtare.
“Goditjen e parë Jugosllavisë i dha pikërisht ky komunitet kur në krye me Ekrem Bardhën, më 1986 ndikoi tek Kongresi Amerikan që të lirohej nga burgu Pjetër Ivezaj i cili ishte dënuar me shtatë vjet burg nga gjyqi i Podgoricës”, tha Bajrami.
Edhe folësit e radhës: Kujtim Qafa, Zef Përgega, Gjergj Ivezaj, John Goci, Anton Lajçi, Bejko Dorezi, Tomë Duhani, i cili dha 2 mijë dollarë për fushatën elektorale të DioGuard-it, Gani Vila, Gjovalin Kaçorri, Arben Dervishi, Enver Jusufi, Gjon Gjokaj, Pëllumb Kulla, Lekë Gjonaj, Albert Arapi e të tjerë, folën me respekt për figurën e DioGuard-it dhe bënë thirrje që ai të përkrahet vazhdimisht deri në ditën kur zhvillohen zgjedhjet në fillim të nëntorit.
Bashkatdhetarët tanë bashkërisht mblodhën mbi 30 mijë dollarë për fushatën e Joseph DioGuard-it për t’u zgjedhur anëtar i Senatit Amerikan. /Illyria/

KOMENTOJE