Niveli i ujit të lumit Buna mbrëmë dhe sot është rritur 20 cm, çka ka shkaktuar izolimin e plotë të disa familjeve në fshatrat e përmbytura në Anë të Malit.
Edhe në Malësi rritja e nivelit të ujit rrezikon disa amvisëri, sidomos në fshatrat për rreth liqenit të Shkodrës. Sipas njoftimeve nga kjo komunë urbane, është formuar shtabi i krizës i cili do ta përcjellë situatën dhe do të kontrollojë përmbytjet eventuale, të cilët apelojnë që të mos e përdorin ujin nga puset private. Situata është mjaft kritike në fshatrat Nënhelm, Dreshaj, Sukruq, Kodër Budan dhe Vrane.
Në këto fshatra dhe përreth ka përmbytje të tokave bujqësore, shtëpi me bodrume dhe stalla të përmbytura të cilat po shkaktojnë dëme materiale.
Mjaft situatë e vështirë është paraqitur edhe në brigjet e lumit Cem sepse përsëri për herë të dytë këtë vit është përmbytur rruga e cila lidh fshatrat Dinoshë dhe Milesh.
Niveli i Liqenit për shkak të reshjeve të dendura të shiut është ngritur rreth 15 cm. /Malesia.Org/
