Kryetari i LSI-së, Ilir Meta ka njoftuar para pak çastesh dorëheqjen nga postet e tij si zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, bën të ditu Top Channel.
Në një komunikim me gazetarët, Meta ka deklaruar se vendimi i tij është personal dhe ka si qëllim lehtësimin e hetimit të prokurorisë ndaj tij.
“Jap dorëheqjen e parevokueshme si ministër i Ekonomisë dhe si zëvendëskryteministër. Dorëheqjen ia kam komunikuar kryeministrit Berisha dhe pas këtij momenti jam në dispozicion të prokurorisë për hetim”, ka deklaruar Meta.
Ai ka theksuar se është i gatshëm të përballet me drejtësinë, gjë që nuk mund ta bënte për sa kohë kishte poste qeveritare që i garantonin atij imunitet.
“Ky ka qenë dhe mbetet vendimi im personal dhe mbetet gjithashtu i parevokueshëm. Nuk mund të paraqitem si zëvendëskryeministër dhe ministër në prokurori”, ka pohuar Meta.
Më tej kryetari i LSI-së ka hedhur akuza ndaj ish-vartësit të tij, Dritan Prifti, për përfshirje në afera dhe për një të kaluar me precedentë kriminalë.
“Shqipëria nuk mund të merret peng nga krimi i organizuar dhe monstra si Dritan Prifti, i cili ka një të kaluar kriminale”, ka shtuar Meta.
Kryeministri Sali Berisha, ka pranuar dorëheqjen e zëvendësit të tij dhe ministrit të Ekonomisë, Ilir Meta, duke e vlerësuar këtë vendim, teksa hodhi sërish akuza në drejtim të kreut të PS-së, Edi Rama, njofton “Start”.
“Unë duke pranuar dorëheqjen e tij, shpreh vlerësim për gatishmërinë e zotit Meta pëe tu paraqitur para drejtësisë pa imunitet parlamentardhe së fundi pa asnjë lloj pushteti ekzekutiv”, tha Berisha.
Gjatë konferencës për shtyp, kryeministri vlerësoi punën e bërë me z.Meta për reformat në vend, teksa nënvizoi se koalicioni me këtë parti do të vazhdojë për të përmbushur objektivat e tij të pa lëkundura.
Sipas Berishës, postet e lëna bosh do të drejtohen sërish nga përfaqësuesit e Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Meta ka qenë promotor i reformave brenda vendit dhe paraqitjes së tyre jashtë”, tha Berisha.
Emisioni hulumtues “Fiks Fare” i televizionit “Top Channel” në Tiranë, ka transmetuar në emisionin e së martës mbrëma, pjesë të regjistrimit të një videokasete, ku pretendohej se dy ministrat e LSI-së, Ilir Meta, zëvendëskryeministër dhe ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Dritan Prifti(ish-ministër i Energjetikës), diskutonin midis tyre për disa afera korruptive. Videokaseta që mendohet të jetë regjistruar më 1 mars të vitit 2010, përmbante rreth 11-12 minuta bisedë mes zëvendëskryeministrit Ilir Meta, në kohën që mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm dhe Dritan Priftit, në kohën që mbante postin e ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Sipas pjesëve të bisedës së transmetuar nga TV “Top Channel”, e cila besohet se është regjistruar në një zyrë shteti, fillimisht dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për diçka që nga kaseta nuk dilte shumë e qartë, ndërsa dukej se ishte vazhdim i një bisede të mëparshme, ku përmendej edhe një emër person me emrin Turi. Më pas, Ilir Meta i ka kërkuar Dritan Priftit të mundësojë punësimin e disa personave, anëtarë të LSI-së(Lëvizja Socialiste për Integrim). Ndërsa këto tema bisedash dukeshin pa interes, pjesa më me interes e bisedës ishte diskutimi mes dy protagonistëve për koncesionin e një hidrocentrali, për të cilin Ilir Meta i kërkonte Dritan Priftit të mundësonte t’ia jepte një personi me emrin Gimi, i cili, sipas bisedës, mësohej se kishte fituar këtë të drejtë edhe me një vendim të Gjykatës së Apelit. Në këtë pjesë të bisedës, janë përmendur edhe shifra 7 për qind, apo 700, që me sa kuptohej, besohet se u ishte premtuar dy bashkëbiseduesve, si shpërblim, në këmbim të dhënies së koncesionit për hidrocentralin personit me emrin Gimi. Në bisedën mes dy ministrave, bëhet edhe një telefonatë me Gimin, nëpërmjet së cilës ministri Dritan Prifti i rekomandonte (Gimit) rrugën ligjore, nëpërmjet paraqitjes së një ankese zyrtare e numër protokolli pranë ministrisë së tij, për të filluar më pas procedurat e përfitimit të koncesionit të hidrocentralit. Ndërsa ende nuk dihet origjina e këtij regjistrimi, ajo që dihet është krisja e madhe mes dy protagonistëve të kësaj bisede, e cila me sa duket ka kulmuar me publikimin e një bisede private midis tyre. Disa muaj më parë, për arsye ende të paqarta, ish-ministri Dritan Prifti, u largua nga posti i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, ndërsa u zëvendësua në këtë post prej vetë Ilir Metës, i cili ndërsa mbajti edhe postin e zëvendëskryeministrit, postin e ministrit të Jashtëm ia la Edmond Haxhinastos. Kjo rokadë, ngjalli pakënaqësi dhe akuza të ndërsjella, mes Dritan Priftit dhe Ilir Metës. Më se një herë në këta muajt e pas ndryshimeve, dy drejtuesit e lartë të LSI-së, kanë këmbyer reciprokisht akuza publike midis tyre.
Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi pas publikimit të bisedës të përgjuar mes Ilir Metës dhe Dritan Priftit dhe të bërë publike në emisionin “Fiks Fare” të TV “Top Channel”. Në deklaratën e saj, LSI-ja shpreh neveri për atë që e konsideron “montazhi i Edi Ramës”. Më tej LSI-ja thekson se gjithçka që është bërë publike, është një montazh, ndërsa thekson se një vepër e tillë është pjellë e korrupsionit. “Pavarësisht montazheve të tilla të Edi Ramës, LSI-ja është e vendosur të mos bëjë asnjë kompromis me krimin e organizuar”, thuhet në deklaratën e LSI-së.