Lorik Cana: Luajtëm me mish e me shpirt për kombin shqiptar

Një nga futbollistët kryesorë të kombëtares shqiptare, mbrojtësi Lorik Cana, pas fitores kundër Bjellorusisë, ka thënë se nuk e mban mend një ndeshje më të mirë se kjo kundër bjellorusëve.
Shqipëria mbrëmë në “Qemal Stafa”, ka mundur prej 1:0, Bjellorusinë në ndeshjen e vlefshme për kualifikimet e evropianit 2012. Cana edhe në këtë takim sikurse në çdo ndeshje, ishte një nga pikat kryesore të ekipit shqiptar.
“Kemi zhvilluar ndoshta një nga dy tri ndeshjet më të bukura qysh kur kam ardhur në kombëtare. Për këtë lojë të bukur kanë ndikuar disa faktorë dhe për fitoren kundër Bjellorusisë, megjithatë nuk mund të themi se kemi arritur gjithçka. Çunat kanë kohë që luajnë bashkë dhe kur futën në fushë japin gjithçka. Kemi vendosur bashkërisht për taktikën para ndeshjes, duke i ditur pikat tona të forta dhe të dobëta”, ka thënë Cana.
Ai tha se e gjithë skuadra shqiptar ka dhënë gjithçka nga vetja dhe se ekipi po përparon.
“Kemi luajtur me mish e me shpirt për kombin tonë. Atmosfera ka qenë e mrekullueshme. Mund ta kemi pasur edhe herë të tjera këtë atmosferë, por kemi mbetur të zhgënjyer: kemi barazuar ose humbur. Kjo fitore ka qenë e domosdoshme dhe ne e kemi marrë me inat dhe me forcë. Kemi fituar me vetëm një gol, por duhet të shënonim më shumë”, ka thënë ai.
Cana ka folur edhe për goditjen e tij që qëlloi shtyllën transversale.
“Më vjen keq që goditja ime nuk hyri në portë. Isha pa fat në atë rast. Fitorja do të na japë besim për ndeshjet e ardhshme, në ambientin dhe lojën tonë. Do të mundohemi të japim maksimumin”, ka theksuar Cana.

Salihi: Një komb, një Shqipëri

Sulmuesi i kombëtares shqitpare, Hamdi Salihi, i cili shënoi golin e fitores në fitoren e të shtunës mbrëma ndaj Bjellorusisë, ka deklaruar se ai është ndier si çdo shqiptar tjetër.

“Ndihem as më shumë e as më pak se çdo shqiptar që ka qenë i pranishëm në stadium dhe të gjithë ata që na kanë ndjekur. Jam thjesht i mrekulluar dhe i falënderoj që të gjithë, kjo tregon se jemi një komb, jemi një Shqipëri dhe jemi gjithmonë të gjithë bashkë”.

“A ka qenë ky goli më i bukur? Është goli më i rëndësishëm mund ta them. Unë falënderoj Zotin dhe të gjithë këta tifozë që ishin në stadium për të na mbështetur”, deklaroi pas ndeshjes Salihi.

Stadiumi ishte edhe kësaj herë përplot me tifozë të kombëtares shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare. Edhe në këtë ndeshje për të përkrahur kombëtaren ishte grupi i Tifozëve nga Tuzi – Malësia.

VIDEO