Në vend të përkujtimit për rapsodin e njohur Sali Sadiku

Nuk vdes kurrë as Baca Sali , as kënga për Kadri Bistricën

Në varrezat te kodra afër Banjës së Pejës qindra e qindra njerëz po ndanin dhembjen dhe krenarinë me familjen Sadiku nga Baica e Istogut. Po ndaheshin me lot në sy artistët, këngëtarët e veprimtarët e shumtë nga njeriu i fjalës, angazhimeve atdhetare dhe nga rapsodi i njohur Sali Sadiku. Folësit kujtonin fragmente nga një jetë e pasur prej artistit popullor dhe shfletonin fletë krenarie për veprat e bukura të këtij njeriu , që si thotë populli lindi për çiftelinë dhe këngën e bukur shqipe.

Duke i thënë lamtumirën këtij burri të urtë e këtij këngëtari të madhe, njeriu kujton data e ngjarje të shumta, që kanë kryepersonazh Bacën Sali. Ai kishte pasur një rini të vuajtur e plot mundime, por punëve të mbara dhe këngës për trimat nuk iu ishte ndarë kurrë. Kudo përmendet ky emër i respektuar njerëzit kujtonin edhe këngën epike kushtuar trimit Kadri Bistrica, të cilën ai e këndonte me aq forcë, bukuri e art. Baca Salih është njeriu që me dekada e mbajti gjallë kujtimin për trimin Kadri Bistrica.

“E dua shuam këtë kangë. Nuk ka pasur dasmë që isha e që nuk lupshin prej meje që ta këndoj atë. Kjo kangë i kushtohet Kadri Bistricës dhe dy vëllezërve të tij, Rexhepit e Rifatit. Ata, kur kishte mësyer çetniku nga Shumadia, kishin marrë armët e tyre dhe ashtu vetëm këta të tre i kishin dalë përballë në Sllatinë një ushtrie aq të madhe, që në Kosovë po vinte për me vra e për me pre”, tregonte mes burrash në festa e dasma Baca Sali.

Ky njeri i besës e këngës kishte provuar që në rini edhe torturat dhe tmerret që i bëheshin djemve të zgjedhur të këtij populli në burgjet e rënda të pushtuesit serb. Ai ishte dëshmitarë i gjallë i masakrës që u bë edhe në 11 gushtin e vitit 1946 gjatë skenarit të improvizuar të thyerjes së burgut në Kullën e Sheremetit.

“ Vëllain Selmonin ma vrarë në pritën që e kishin pas përgatit. Ne pasi kishim dalë nga burgu ia mësyem Karragaçit po u teshëm në batare. U vranë shumë aty. Unë u fsheha në një kaçube dhe masandej u nisa e mbërrita në Qyshk. Dojsha me ra rrugëve të katunit e arave e me mrri të shpija e masandej me dalë në bjeshkë. Po, në Qyshk me zunë rojet, që pushteti i kishte vënë në vende të fshehta. Më hetuen fill se i kishim ato teshat e burgut. Më morën dhe më derguan në stacionin e milicisë në Kliçinë. Aty më munuan boll e masandej me quan në burg të Pejës. Pej asaj dite e derisa nuk na kanë lirue s’na e kanë da dhunën”, u rrëfente shpesh nipave e mbesave Baca Sali këtë masakër të parë e të përjetuar në vitin 1946.

Bacën Sali nuk e kishin thyer as burgjet e as dhuna e torturat. Ai i bashkohet lumit të të rinjve në aksionin e madh e të shenjtë të pajtimit të gjaqeve. Shkonte bashkë me ta në oda burrash dhe me fjalë te matura ndihmonte aksionin e shërimit të hasmërive. Në tubimin e madh te Verrat e Llukës Baca Sali ndjehej i qetë dhe krenar. “Po shërohen plagët e hasmërisë mes njerëzve tanë dhe kjo është mirë. Anmiku po na burgos e po na vret, por më gjak e vrasje mes shqiptarëve nuk do të ketë. E kur jemi të bashkuar andrra jonë ka mu ba realitet për kësmet të Zotit”, kishte deklaruar nga zemra atë ditë të madhe në Llukë ky njeri e rapsod i madh shqiptar. Vitet kanë ikur dhe ngjarjet e mëdha kanë zënë vend në faqet e historisë sonë , në vargjet e poetit e në këngën e këngëtarit. Një këngëtar i madh u nda fizikisht nga ne, por nuk vdes kurrë as Baca Sali , as kënga për Kadri Bistricën /Rrahman Jasharaj/

KOMENTOJE