Një komando shqiptar ka humbur jetën, ndërsa një tjetër ka hyrë në gjendje kome, pasi u ndodhën në mes të një konflikti të armatosur ditën e hënë në provincën e Kandaharit, në Afganistan.
Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Mbrojtjes, sipas të cilës dy ushtarakët janë Feti Vogli, komandant i grupit të parë special, dhe Aleksandër Peçi, specialist i armatimeve.
Sipas një komunikate për shtyp, komandot shqiptarë janë sulmuar në orën 15:05 me orën lokale nga një grup personash të veshur me uniforma të policisë afgane, teksa shoqëronin personelin e një misioni të USAID në një takim në fshatin Robot në Kandahar.
Në njoftim saktësohet se ndaj tyre është qëlluar me armë automatike të tipit “Kallashnikov” dhe me një mitraloz të lehtë dhe se nga të shtënat ka mbetur i plagosur edhe një ushtar nga vendet aleate.
Dy ushtarët kanë marrë plagë të rënda dhe njëri prej tyre ka ndërruar jetë pak më vonë në një spital të Kandaharit, ndërsa tjetri ndodhet në rrezik për jetën. Ndërkohë, grupi në detyrë ka arrestuar 11 atentatorët të maskuar si agjentë.
Përmes njoftimit mësohet se personeli i USAID po shkonte në disa takime, ku do të përuroheshin dy shkolla dhe një qendër shëndetësore në fshatin Robot.
MM: Masa për riatdhesimin e viktimave
Një zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes ka mbajtur në mbrëmje një konferencë për shtyp, ku ka konfirmuar vdekjen e një prej komandove në Afganistan dhe gjëndjen e rëndë të tjetrit.
Gjatë konferencës, oficeri ka konfirmuar identitetet e ushtarakëve, Feti Vogli dhe Aleksandër Peçi, si dhe i ka shprehur ngushëllimet familjarëve të tyre.
“Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm dhe gjithë personeli i Forcave të Armatosura marrin pjesë në hidhërimin e thellë dhe i shprehin ngushëllimet më të sinqerta familjarëve. Njoftojmë se janë marrë të gjitha masat për kthimin në atdhe të trupit të të ndjerëit”, ka deklaruar gjeneral brigade Viktor Berdo.
Hetim ngjarjes në Afganistan
Ministria e Mbrojtjes ka raportuar gjithashtu se do të kryhen hetime në lidhje me misionin në Afganistan dhe shkakun përse u hap zjarr ndaj forcave shqiptare.
Priten shpjegimet nga 11 të arrestuarit, pesë prej të cilëve hapen zjarr, që do të japin të dhëna më të hollësishme në lidhje me zbardhjen e plotë të incidentit.
Misionet paqeruajtëse të forcave shqiptare në Afganistan kanë nisur në vitin 2002, por që nga viti 2011, Shqipëria ka ndërmarrë edhe misione luftarake. Misioni aktual që mban emrin “Shqiponja”, është i katërti që u nis nga Shqipëria muajin e kaluar.
Topi, mesazh ngushëllimi familjeve
Para se të vinin informacionet e fundit, kur ende thuhej se nëntetër Aleksandër Peçi ishte i vdekur, presidenti i Republikës, Bamir Topi nuk vonoi të shprehte keqardhjen e tij për humbjen e jetëve të dy komandove shqiptarë.
Përmes një mesazhi, Topi, njëkohësisht komandant i përgjithshëm i Forcave të Armatosura, shprehu “pikëllimin” për këtë humbje të rëndë, si dhe u bëri ngushëllimet e tij familjarëve të viktimave.
“Me keqardhje të madhe dhe pikëllim të thellë, mësova lajmin e hidhur të rënies heroikisht në krye të detyrës të kapitenit Vogli dhe nëntetarit Peçi, që të dy ushtarakë shqiptarë të kontigjentit ‘’Eagle 4’’ në kuadër të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kandahar, në Afganistan. Në këto momente të rënda e tragjike, më lejoni t’ju shpreh në emër të mbarë shtetit shqiptar ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të njerëzve tuaj të shtrenjtë e të pazëvendësueshëm!”, u shprehu Topi.
“Më lejoni që si president i Republikës si dhe komandant i përgjithshëm, të jem pranë jush për të ndarë këtë dhimbje të madhe dhe për t’ju shprehur konsideratën më të lartë personale e institucionale për jetën dhe sakrificën sublime të këtyre dy heronjve të Forcave tona të Armatosura!”, vijoi ai. /TCH/