Telegram ngushëllimi i KNSH-së për tragjedinë në Himarë

Vdekja tragjike e 13 të studentëve dhe dhjetëra të tjerëve të plagosur rëndë, në aksidentin automobilistik në Himarë, pasditen e 21 Majit u përjetua me shqetësim dhe dhimbje të thellë edhe në mesin e shqiptareve në Mal të Zi.

“Kjo tragjedi e rëndë, e cila tronditi thellë jo vetëm familjarët e viktimave dhe të të lënduarve, por edhe çdo zemër dhe vatër shqiptare, na pikëlloi edhe ne shqiptarëve në Malin e Zi.

Në këto çaste të vështira bashkohemi me pikëllimin dhe dhimbjen e familjeve që kanë humbur fëmijët e tyre dhe lutemi për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve në këtë tragjedi.

Prandaj, në emër të Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Mal të Zi, ju shprehim ngushëllimet më të sinqerta e vëllazërore, Ju z. President , Qeverisë së Shqipërisë, familjeve të cilat pësuan nga kjo tragjedi e rëndë, si dhe gjithë kombit shqiptar”, përfundon telegramin e tij, kryetari i KNSH-së, z Tahir Tahiri.