Kur dëshira mungon, por ligji të detyron!

Para pak ditësh filluan levizjet e para politike të partive shqiptare në Mal të Zi dhe për çudinë e të gjithëve vullneti për bashkëpunim, apo edhe për bashkim po shihet si një alternativë më shumë se çdo herë tjetër. Gjatë periudhës së tranzicionit, e sidomos dekadën e fundit një fenomen i tillë ka munguar mes partive politike shqiptare. Për këtë fenomen të mosbashkëpunimit kanë qenë në dijeni edhe Tirana dhe Pishtina zyrtare, të cilat jo pak herë kanë marrë iniciativën që kjo gjëndje të pëmirësohet. Një lëvizje të tillë e kemi parë javën e fundit edhe nga Lëvizja “Vetëvendosja” e cila në Ulqin përveç diskutimeve të tjera i dha një rëndësi të madhe bashkëpunimit mes partive shqiptare që në këtë mënyrë të arrihen rezultate më të mira. Por, nuk është vetëm rasti i “Vetëvendosjes” kemi edhe raste të tjera, kur përfaqësues politik nga Shqipëria kanë dhënë kontributin e tyre në përmirësimin e marrëdhënieve mes partive shqiptare në Mal të Zi, ku mes tyre kanë qenë edhe zyrtarë të lartë të Qeverisë së Shqipërisë, por edhe zyrtarë lokal, që para zgjedhjeve parlamentare, lokale, apo referendumit u angazhuan publikisht ose privatisht për unifikimin e faktorit shqiptar në Mal të Zi. Shumë herë përpjekjet e tyre kanë dështuar, por edhe në rastet kur para zgjedhjeve kanë funksionuar, dështimi nuk ka munguar mbas zgjedhjeve.

E kaluara si gjithmonë në vendin tonë mundohet të harrohet sa më shpejt, e sidomos ajo politike, dhe për fat të mirë të partive politike, populli shqiptar në Mal të Zi memorien politike e ka shumë të shkurtët. Një fakt të tillë e tregon edhe rëndësia që sot merr lajmi se partitë shqiptare në Mal të Zi po zhvillojnë bisedime për bashkim, një fenomen që para zgjedhjeve të tjera nuk ka ekzistuar. Sot, gati pesë muaj para zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen në shtatorë të këtij viti filluan koalicionet e para, kur të gjithë i kujtojmë serialet e mëparshme të njëpasnjëshme të takimeve mes lidërve të partive dy ditë para dorëzimit të listave të kandidatëve, për të arritur një marrëveshje, që zgjasnin me orë të tëra, ku angazhoheshin edhe negociator nga jashtë për të krijuar një listë të përbashkët.

Sot, mbas gjithë kësaj periudhe të gjatë mungese bashkëpunimi, nuk kemi nevojë për negociator, vullneti vjen nga brënda partive, një arritje e madhe për partitë politike shqiptare në Mal të Zi, apo jo? Por lindin disa pyetje: Nga erdhi i gjithë ky vullnet për bashkëpunim, dhe pse mungoj gjatë gjithë këtyre viteve të vështira për shqiptarët në Mal të Zi? Kë duhet të falendërojmë për këtë?

Mungesa e bashkëpunimit ka qenë evidente, këtë e dinin të gjithë, madje edhe një profesor i nderuar i imi, mbas një vizite që bëri në Tuz, në një sallë të madhë, mbas një pyetje që i bëri një student për bashkimin e dy shteteve me shumë nervozizën ai ju përgjigjë: “Në Mal të Zi ekziston një numër i vogël Shqiptarësh, një grusht njerëzish, me shumë parti, dhe nuk arrinin dot të bashkëpunonin, të bashkoheshin, por shanin njëri-tjetrin, ky është ashtu e ky është kështu, kur një numër aq i vogël njerëzish nuk mund të bashkohen, ç’farë mund t’ju them për dy shtete të ndryshëm me popuj të ndryshëm!”, në atë moment e ula kokën dhe nuk reagova, se realiteti në përgjithësi ai ishte.

Nuk mund të flasim se a do kishte qenë më mirë sikur partitë politike shqiptare të kishin qenë të unifikuara, por me siguri se situata nuk do të ishte më keq. Në interes të qytetarëve me siguri se ka qenë bashkëpunimi në mes partive edhe para aprovimit të fundit të ligjit zgjedhor, këtë e dinin edhe vetë liderat e partive, por dëshira për të qenë i pari në list ishte më e madhe sesa dëshira për bashkëpunim, dhe kjo do të thotë se interesat partiake dhe personale kanë qenë më të rëndësishme sesa interesat kombëtare. Sot jemi në një situatë ku po të njëjtët ata, që për fat të mirë apo të keq( këtë do e tregojë historia) janë të njëjtit persona që udhëheqin gjatë gjithë kësaj periudhe njëzet vjeçare, përveç se disa nga ata kanë krijuar parti të reja, për arsye se në një parti të gjithë nuk mund të ishin të parët, e sot bëjnë sikur po i bëjnë nderë popullit dhe po bashkëpunojnë. Por, e vërteta është ndryshe, ata nuk po bashkohen për interesë të komunitetit të tyre, nuk po bashkohen sepse vërtetë ekziston brënda tyre vullneti për bashkëpunim, ata po bashkohen sepse kalkulimet politike në rast të mosbashkimit i lënë jashtë Parlamentin, e kjo ka një kosto materiale mjaft të lartë. Kur vëndet bashkë me përfitimet, si përsonale ashtu edhe partiake ishin të siguruara, mungonte një vullnet i tillë për bashkëpunim. Një servirje e tillë është e pamoralshme dhe e pandershme, që bashkëpunimi paraqitet si sakrificë idividuale dhe partiake në interes kombëtarë dhe jo si interes vetiak dhe partiak. Por ky është rasti më i mirë për të ilustruar se rregullat e lojës në një fushë të tillë nuk ekzistojnë, që morali si një ndër shtyllat kryesore të funskionimit të shoqërisë sonë po vjen duke u tkurrur dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për të ardhmen e shoqërisë sonë. Nuk e di se ku qëndron morali që sot mbas gjithë këtyre viteve përpjekje të pasukseshmë për unifikim, vjen momenti që për bashkëpunimin të flitet kaq shumë, jo se ky është një akt negativ, por negativiteti qëndron te ajo se ku ishin deri tani që nuk morën një iniciativë të tillë.

Ishte shumë normale dhe u bë rutinë vitet e fundit që para zgjedhjeve parlamentare dhe lokale nga Shqipëria të na vizitonin disa persona të ndëruar që si detyrë kishin të luanin rolin e negociatorit, në mënyrë që përfaqësuesit e partive shqiptare në Mal të Zi të bashkëpunonin duke dalë të unifikuar në zgjedhje. Jo në të gjitha rastet përpjekjet e tyre ishin të sukseshme, por një gjë është e sigurt se për të luajtur rolin e negociatorit mes palëve ishte e vështirë. Gjithsesi në fund të çdo arritjeje pozitive nuk mungonin falenderimet, kështu që gjatë gjithë fushatës falendëroheshin negociatorët, që bënë një punë të madhe për “bashkimin e vëllezërve!”. Por sot, kujt duhet ti falenderohemi, kur negociatorët nuk ekzistojnë. Na mbetet ti falenderohemi partive politike malazeze dhe serbe të cilat votuan ligjin e ri zgjedhor, që në vetëvete ishte diskriminues për shqiptarët, edhe pse nuk hasi në ndonjë rezistencë të madhe nga ana e politikanëve shqiptarë, dua ta besoj që memoria politike e tyre është fajtore. Gjithsesi “falenderimet” kryesore shkojnë për ata që e përpiluan këtë ligj zgjedhor kaq diskriminues, për ata që e votuan, për ata që nuk bënë rezistencë, për të gjithë që mundësuan që kundër dëshirës bashkë me diskriminimin të vij edhe bashkëpunimi. Por, mos të harrojmë se duhet të falenderojmë edhe ne veten tonë, që edhe përkundrejtë përplasjeve të shumta, akoma edhe sot mbas njëzet vitësh e shohim si sukses të madh bashkëpunimin mes partive politike shqiptare, pa ndonjë paragjykim apo skepticizëm. Është shumë i mirë bashkëpunimi në të gjitha rrethanat kur mbrohen interesat kombëtare, e sidomos në situatën në të cilën ndodhen sot shqiptarët në Mal të Zi. Problemi është se pse bashkëpunimi mungoj gjatë gjithë kësaj periudhe dhe dikush duhet ti jap përgjigje kësaj pyetje. Por një gjë është e sigurtë se gjatë gjithë kësaj periudhe ka munguar vullneti për tu bashkuar, sot falë ligjit diskriminues malazez dhe kalkulimeve politike, partitë politike shqiptare mund të bashkohen dhe të ndryshojn kursin e tye mosbashkëpunues. Gjithsesi edhe këtë rrallë si rrallët tjera, do të vihemi në pozicion që nga dy të këqijat, duhet të zgjedhim atë pak më të keqen, për të shpresuar se një ditë do jetë më mirë.

Driton Sinishtaj