Driton Camaj, shqiptari i vetëm në formacionin e Malit të Zi

” Të jeshë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi është privilegj, sepse po luaj pranë futbollistëve më të dalluar të kësaj kategorie. Kam plotësuar një objektiv dhe do të vazhdoj që ta shfrytëzoj këtë mundësi, si ngritje në karrierën time të porsanisur”, shprehet Camaj.

nga Gjekë Gjonaj

Malësia është trevë nga e cila kanë dalë shumë talentë të futbollit, si Refik Shabanaxhoviq, Albin e Valentin Camaj, Ardian Gjokaj, Adnan Orahovac e disa të tjerë të cilët kanë mbrojtur ngjyrat jo vetëm të skuadrave malazeze, të ish Jugosllavisë, por edhe më gjerë, në ekipe të njohura europiane. Ditëve të fundit flitet shumë për një të ri nga fshati Vuksanlekaj, afër Tuzit i cili hapat e parë i kaloi në KF “ Malësia” por shumë shpejt, sivjet u bë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi në kategorinë e pionierëve. Është fjala për 15-vjeçarin Driton Camaj, i cili tash dy vite luan me sukses në skuadrën e Buduqnostit të Podgoricës, në pozitën e sulmuesit.

Fillimet e karrierës

Shumë heret babi Gjergji e kishte vërejtur talentin e djalit të tij. Dritoni i vogël si gjashtëvjeçar, do të veshte fanellën me numër 11-të të skuadrës “ Malësia”. Ndonëse njomëcak Dritoni ndër moshatarët e vet u veçua me talentin e tij të madh, bëri që trajnerët e tij të parë Pal Dreshaj dhe David Camaj të mahniten me talentin e këtij futbollisti shqiptar ( malësor) që para vetes ka një të ardhme të ndritur. Dritoni i ka të freskëta momentet e goditjeve të para të topit dhe fjalën që ia dha vetes: “Po unë do të bëhem futbollist”.

“ Kam qenë njomëcak kur kam filluar goditjet e para të topit në oborrin e shtëpisë dhe vetëm 6 vjeç kur fillova të aktivizohem në një ekip. Ishte skuadra “ Malësia”. Aty me përkujdesjen e trajnerëve Dreshaj dhe Camaj e kam filluar karrierën në grupmposhat e reja të Malësisë, me të cilat kemi marrë pjesë në Ligën malazeze për fëmijë në futboll të vogël “ T-Com”, ku kanë garuar 16 ekipe nga Mali i Zi”, thotë Dritoni, duke i falënderuar ata për punën e tyre të palodhshme dhe të madhe në rritjen e cilësisë së tij .

Paraqitjet e mira të Dritonit në vitin 2008 i kanë vërejtur edhe drejtuesit e KF “ Deçiq”, respektivisht trajneri Jasmin Deçeviq. Në këtë klub ka luajtur me sukses një sezon, prej ku pas një viti transferohet në KF “ Buduqnost” të Podgoricës, me të cilin sivjet në drejtimin e trajnerit Sllavko Vllahoviq është shpallur ekipi kampion në Ligën e Mesme Regjionale të Malit të Zi. Në këtë stinor Dritoni për Buduqnost 24 herë e dërgoi topin ne rrjetën e kundërshtarëve.

Trofetë e fituara

Dritoni, edhe pse i ri, përvoja e deritashme e ka mësuar se sa e vështirë është të jeshë i suksesshëm në një sport. “ Ka qenë një periudhë provash shumë e vështirë. Është dashur të stërvitem orë të tëra shumë herë në fusha aspak të mira, të cilën për fat, e kam kaluar me sukses. Duhet të pranoj se nuk e kisha të lehtë, pasi po provohesha në një grup lojtarësh cilësor dhe më është dashur të djersitem shumë, për të bindur stafin tim teknik me lojëra të mira në fushën e futbollit, madje edhe para kamerave të Televizionit “ Atlas”, i cili ka transmetuar drejtpërdrejt ndeshjet me të mira të ligës në mini futboll. Mendoj se më shërbeu fati. Këtë besim që më dhanë trajnerët e mi ua shpërbleva me gola. Tri herë jam shpallur lojtari më i mirë në Mal të Zi në grupmoshën time, në vitin 2007, 2008 dhe 2010. Po në këto vite arrita të jem edhe golashënuesi më i mirë. Në vitin 2007 shënova 20 gola, në vitin 2008, 24 gola, kurse në vitin 2010, 22 gola.”, thotë me modesti Camaj.

Kënaqësia – mërzia

Në pyetjen tonë se si ndjehet Dritoni kur dërgon topin në rrejtën e kundërshtarit dhe ç’ndjesi i jep goli, përgjigjet me mençuri: “ Kur shënoj gol vetja më duket si në parajsë. Vetëm ata që luajnë futboll më kuptojnë se ç’dua të them. Është një ndjesi që nuk përshkruhet me fjalë. Goli për mua është si oksigjeni, i domosdoshëm për të jetuar.”

-Ndërkaq kur humbet ndeshjen ç’të vjen në mendje ? – e pyes.

“ Mërzitem sa s’ka më. Mendoj se ku kam gabuar dhe çfarë duhet të kisha bërë më mirë që të fitonim. Sidomos nëse humb ndonjë rast në ndeshje më mbetet mendja aty gjithë ditën dhe ka ndodhur që edhe gjumi natën s’më ka zënë,” thotë Camaj.

Dëshira e plotësuar

I etur për arritje të sukseseve edhe më të mëdha dhe për ta sfiduar veten me moshatarët e tij në klubin më të madh dhe më të suksesshëm futbollistik në Mal të Zi – Buduqnostit Dritoni kishte ëndërruar që herët të bëhet pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi. Dhe ashtu ndodhi. Tash tre muaj po stërvitet me bashkëlojtarët e tij moshatarë më të mirë nga të gjitha klubet e futbollit në këtë republikë. Sipas fjalëve të Dritonit , si i vetmi shqiptar, është mirëpritur nga ana e shokëve të tij dhe trajnerit Boris Llutica, sikurse edhe ne ekipin e Buduqnostit.

” Të jeshë pjesë e përfaqësueses së Malit të Zi është privilegj, sepse po luaj pranë futbollistëve më të dalluar të kësaj kategorie. Kam plotësuar një objektiv dhe do të vazhdoj që ta shfrytëzoj këtë mundësi, si ngritje në karrierën time të porsanisur”, shprehet Camaj.

Puna, çelësi i suksesit

I prirur nga përvoja e deritashme se vetëm me punë dhe me angazhim të madh arrihet suksesi që e dëshiron, Dritoni thotë: “Vetëm talenti nuk mjafton të bëhesh futbollist. Por, në qoftë se dëshiron të bëhesh i suksesesshëm, duhet të punosh vazhdimisht me një ritëm të lartë, ashtu siç ma thotë trajneri im dhe shumë veteranë të futbollit. Në jetë, po ashtu edhe në futboll, asgjë nuk është e pamundur, andaj të punojmë dhe, pastaj, sukseset do të vijnë”.

Prindërit Gjergji dhe Kristina presin që djali i tyre Dritoni, i cili me sukses shumë të mirë sapo ka përfunduar vitin e parë të gjimnazit në Tuz, të vazhdojë të mësojë, të stërvitet shumë, që të ketë një të ardhme ashtu siç e dëshirojnë ata.