Kanga e Smajl Martinit

Në flamur shqipja merr turrat
Del mbi male, kërkon burrat,
Fluturon n’Malësi krenare
Bjen mbi kullat legjendare,
Në ato votra, prush lirie,
Gjoksin mbushe me kangë trimnie.

Vallzojnë shqipet, qeshë lahuta
Në kanget e sajë madhnisht vjen Gruda,
Plot shkëlqim në histori,
Vjen me pushkë e me urti,
Neper shekuj drite e shprese
Djepi i Grudës pushkë e besë.

Don lirinë si dritën e Diellit
Pushka e saj si rrfeja e qiellit
Në fole shqipet rritë Gruda,
S’dine ç’asht vdekja, s’dinë ç’asht tuta
Ball-bajraku, ball-kushtrimi,
Kryetrimi Smajl Martini.

Përjetsisht lidhun me trollin
Nuk duron, nuk dron Stambollin
Zëmrën mal gjoksin si shkam
Me Cetinën dham për dham
Për liri, për trojet të parit
Kala kulla e bajraktarit..!

Smajl Martini djal prej fisi
Asht filiz i fortë prej lisi
Lis i madh me rranj të thella
Trungu i tij asht Vuksan Gela
Brez pas brezit me lavdi
Prec Vuksani vjen pas ti.

Drite fal kulla e Prec Vuksanit
Ruan flamurin e vatanit,
Me flamur i prin malësoret
Kuq e zi verbon taborret
Shkon deri në Shkodër në kala
Për flamur si trim ka ra..!

E ka pasë traditë Malësia
Trimi le ku rrinë trimnia,
Besa e ndera rritë kreshnikun
Bujaria rrite fisnikun
Emni ruhet djalë pas djali
Në voter trime rritet Smajli.!

Shqip në djep kanget ja knon nana
Për trimni, për djem vigana
Shqip ja mson votra e Malësisë
Fjalët e shenjta të Shqiptarisë
Me thanë vdekjes kapak arit
Në mejdan si zog Shqiptarit.

Tue i pa malet si qendronin
Tue pa burrat si luftonin
Ballë për ballë me turk-lugatin
Smajl Martini rriti shtatin
Pa marr msim në banga shkollore
Mëson urtinë në odë malësore..!

Kerset pushka në Dinoshë,
Smajl Martini i ri në moshë
Në zall t’Dinoshes në ballë t’mejdanit
Me djem të Grudës kundër Sulltanit
Turku lau zallin me gjak,
Djemt e Grudës pak e sak..!

Recitim;

Eh.. malësor o shqipja e malit
Brez pas brezit, djalë pas djalit
Kundër mbretit kundër kralit

– të shkoj jeta në mejdan,
Herë me kral herë me sulltan
Në luftë me djall e me shejtan
Me topuz e jatagan,
Në votren tane, në trollin tan..!

Pse kaq shekuj inatçore
Të përballën me mizore
Jeta jote o burrë malësor,
Jetë me shpatë.. e pushkë në dorë..!

Ballë për ballë me turkoshakun
Fyta-fyt me karadakun.
Pushkë e top anadollak
Derdhin mllefin shtazarak,
Tue të djegë, tue të la në gjak.

Tinëzisht ngulet pas shpinës
Pa besisht, thika e Cetinës.
Sa herë turkun e ke thye,
Fillon shkjau e çon me krye
Shkon nji dreq e vjen nji tjeter,
Zgjohen andrrat e shtrigës vjetër,
Kur shikon se n’gjak u lave,
U turret maleve me i kthye sllave

Mbyllet turku në kala
Gjak e varre ala s’janë tha
Prape mbi male del nji za;
– Çou malsi ne luftë me shkja..!

Kangë;

Nuk po kanë kushtrimet të sosun
Lëshon gjamë toka e gjakosun
Plagët në shtat i lidhe Grudiani
Pushkën kape, e thrret mejdan
Smajl Martini në Rashoviq
Prin ma i pari mbi anmiq.
Bini burra, bini trima,
Ta marrë vesh, ta dinë Cetina
Nuk vëmë çallmën e turqisë
As kapicën e shkjenisë,
Nanë Malësisë borxh mos ti mbesim
I herë kem le, nji herë do vdesim..!

Gjak malësorit në kam çon burrin,
Pushka e shkjaut nuk ja nalë turrin
Dridhet Spuzha pa ja nda
Rrkajt e gjakut bahen va
Qëndron Smajli mbi kala
Njanin djalë ja paskan vra
Nuk din trimi me u ligshtua
Gjoni vra, Pjetri varrua
Shkjau u thye, u largua
Dhjet fish gjakun tue pagua
Smajl Martini për liri
Fali sot dy djemtë e ti..!

Zemër madh burri Grudianë
Me dy fjalë gjithçka ka thanë,
Kjo Malësi kurrë s’asht koritë
Me falë djem e ka traditë,
Malet dridhen prej ksaj fjale
Smajl Martini, babë pa djalë..!

Recitim:

O voter.. o kullë malësore..!
Me vujtej shekullore,
Pse duen me të ba fajtore..?

O troje të shenjta, të shtrenjta stërgjyshore,
Kulçedra e fantazma mizore,
Barbare, fundrina mesjetare,
Pse duen me të qitun fare..?

– Apo.. se je Malësi krenare
Me besë e me nderë Shqiptare
Qendrestare legjendare..!

Pse duen me të vra, me të pre,
Me mujtë gjallë të fusin në dhe
Me ti perdhosë liri edhe fe
Mos me u njoftë se cila je..!

Prandaj turren kta lugëtën
Me të vra shpirtin, me të vra jetën
Me t’verbua synin plot rreze
Shtriga turke e malazeze
Me ti nxjerrë dy sytë e ballit
E.. me t’lanë vdekun për s’gjallit
Çkanë kulçedrat kështu me ty
Me gjak tand s’po dinë me u fry
Ku ka kullë, ku ka vigan
Topi turk e ka në nishan
Ma t’mirët burra, ma t’mirët trima
Në shenj të pushkës i ka Cetina

Pse të turren mbreti e krali
Apo.. se je si shqipe mali,
Mal i naltë shpirti, morali
Se dhuratë Zoti ti fali
Vlera të kthjellta si kristali

Plot shkëlqim në histori
Me ti pasë gjithkush lakmi
Ke qendrue si majë kreshte
Kurrë anmikun nuk e deshte
Nuk e deshte as nuk e dreshte
Malësor trim.. gjithë ky qëndrim..

Shumë i shtrenjte ka kenë në çmim
Shumë i shtrenjtë për ty Malësi,
Çmimi i gjakut të djemve të ri.
Bujarisht e falën jetën
Në mejdan burrash burrnisht mbeten
E shumë të tjerë pa shenj ti treten..!

Kangë:

Trimi i pushkës, burri kuvendit
Shkon në lidhje të Prizrenit
Me za t’naltë flet Smajl Martini
Ti mbrojmë trojet prej coptimi
Mos me u nda Shqiptaret në fe
Turk e shkja anmiq për ne.
Ti mbrojmë trojet e vatanit,
S’janë ograjat e sulltanit
Mos ti lame tokat Shqiptare
Me i shitë turku në pazare,
Me Rusi ka ra n’ujdi
Me i dhanë trojet Malit të Zi..!

Muslimanë edhe t’Krishtënë
Me bashkua, së bashkë jem kënë
Me lidh besë si vllau me vlla
Me luftua me turk e shkja
Për kto troje vllazen t’vdesim
Mos ti falim, mos ti shesim..!

Fjala e Smajlit, fjalë kreshnikut
S’pritet mirë prej fanatikut,
Fanatiket duen vilajetin
Zot Shqipnie me njoftë mretin,
Mbas kuvendit nuk vonojnë,
Në kala t’Shkodrës e kerkojnë
Shkojnë me Smajlin 7 Grudianë
Vetëm trimin mos me lanë,
Në kala ja u knojnë vendimin
Në internim me vuojtë denimin
Ushtarak, vula e fermanit,
Smajli asht çua kundër sulltanit..!

Me i trete larg e mos me u kthye
Kta malësorë që kanë ngritë krye
Kështu ka ardhë fermani i mretit
Kundërshtarët e dovletit
Kam e duer me i lidh n’zinxhir
Me i tretë larg në Diar Bakir..!

Smajl Martini ka lanë kullën
Plot dëshprim e ka marr udhën
Lamtumirë kullë e Malësi
Tokë e shtrejte e t’parve mi
Po marr rrugat si fajtor
Se qindrova si malësor..!

Pa Zot kulla në kohët ma të liga
Nuk asht vetëm vajza Tringa
Vllazën ka krejt kushrininë
Ka tanë Grudën e Malësinë
Ka me i prite tallaze e turra
Si burrneshë përkrah me burra.

Recitim:

Në rrugë pa kthim, prapë prin i pari
Smajl kreshniku, bajraktari
U thotë kushrijve e shokve të ti
– Gjithmonë nder gjithmonë burrni
Paçi ju, vllaznit e mi..!

Me ju në fronte jam kenë trim
U kam pas afër ne çdo kushtrim,
Edhe sot në rrugë pa kthim
Prapë tek ju po gjej guxim.

Lidhun bashkë si vllau me vlla
Me krye nalt ksaj rruge me i ra
Mos ti knaqim turk e shkja,
Me krye ulë, duen me na pa
Ti kalxojmë turkut mizor
Edhe lidhun kam e dor
Jem krenar se jem malësor
Se malësor na ka le nana,
Çorba e nytë neper sahana
Që gatuejnë krala e sulltana
Kurrë prej nesh nuk do lupihet
Prej Shqiptarit kjo pune dihet
Deri në asht prangat me i durue
Çorbën e huej pa e shijue
E ta bajmë pra zemrën gur,
Vuejtjet tona për flamur
Kanë me dalë në dritë dikur..!

Në ferman të turkut firma e vula,
Prej Lulgjurash asht Ded Ula
Në Kalaj zgjedhë kënka Ujk Dushi
Me Shab Smakun, djalë si prushi
Djalë prej fisit i Berishe,
Te tan djem të zgjedhun synin pishë
Katër trima afër trimit
Janë kushrinjt e Smajl Martinit
Janë Gic Gila e Lulash Deda
Asht Prek Gjetja e Luc Preka
Kane lanë trojet në pushtim
Kanë lanë votrat në mjerim
Si malësor qindrojnë me besë
Me kthye gjallë nuk po kanë shpresë.

Në qafë randon turku qafiri
Të gjallë po i kalbë Diar Bekiri
Coptojnë shpirtin halli e malli
Gjallë e t’vdekun për së gjalli.
N’Malësi Gruda ulë me krye
Veç Ujk Dushi gjallë asht kthye
Në rrugën e vshtir Zoti e ka ruejt
Me kallxua se çka kanë vuejtë

Kangë:

Smajl Martini burrë malësor
Nji mal dhimbje mbi krahnor
Prej larg të zotin thrret konaku
Bajraktarin pret bajraku,
Në qiell t’Malësisë shuhet nji yll
Trimi tretun, sytë ka mbyllë..!

Smajl Martini jo nuk treti
Prej Malësisë s’mund e ndaj mbreti
S’ka çme i ba dritës dovleti,
Dritë asht emni e amaneti
Ja rritë kullën ku ka le,
Shndrite Malësi e shndrite atdhe.!

Nji flamur kërkon valvitje
Çon Malësinë në kryengritje
Malet shkunden bjen turqia
Kuq e zi veshet Malësia,
Përkrah trimash bija e trimit
Tringë burnesha e Smajl Mrtinit.

Fluturon shqipja me fletë
Asht malësorja me xhublete
Bjen nji dritë në ballë t’llogorit
Nuk tretë kurrë emni i malsorit,
Shpirti i Smajlit jep bekime
Hallal t’kjoft o bija ime..!

Në gazetë shkruan gazetari
Për liri nuk t’fal Shqiptari
Kjo Malësi asht ba kala
Pushkën në dorë burra e gra
Le ta njohe Europa mbar
Ktë legjendë me legjendar..!

Amaneti prush n’oxhak
Asht në voter asht në gjak
E ruajnë malet që nuk tunden
E ruajnë djepat që përkundën
Kanga e madhe e Smajl kreshnikut
Bahet pushke përball anmikut..!

Amaneti i gjallë nder ne
Nuk e kalbe i shtrenjti dhe
Bjen si diell, shpirtin na nxe
Bahet shpresë në kohë të re
Me Shqiponjat vjen në valle
Bjen si diell në Malësi t’Madhe..!

Bjeshka e naltë përcjell murlanin
Tana malet bashkojnë zanin
Me kushtrimin trim pas trimit
Na vjen zani i Smajl Martinit
Nji vigan nji heroinë
Smajl Martini me te binë..!

Dritën e sajë lype historia
Gjallë me i majtë burrat Malësia
Sot ky diell kërkon ndritshimin
Malet drite thrrasin bashkimin
Me lidhë besën sikur motit,
Gjaku i pastër i Kastriotit..!

Bjen lahuta e nuk ndalet asht
Kanga e madhe lidhë me malet,
Çiftelia dritën në tela
Qysh te trimi Vuksan Gela,
Breza burrash mbajnë bajrakun
Në flamur emnin e gjakun.

Smajl Martini ka lanë djalë,
Djali i tijë asht pushkë e fjalë,
Ka lanë trimi trashgimtare,
Nderë burrni e besë Shqiptare,
Në Malësi Shqipja merr turrat
S’dinë me vdekë malet e burrat.

Autori GJOVALIN LUMAJ