Të nderuarit vëllezër, veprimtar të kulturës dhe të çështjeve në shërbim të kombit !
Me vite u mundova të bëj diçka në shërbim të bashkimit të kombit përmes aktiviteteve në shoqata e kudo tjetër. Angazhimet mbi mundësitë e mija u mundova t’i bëj përmes Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Trokita të çdo shok e mik për ndihmë. Trokita në dyert e komunave bashkë me kryesinë e Shoqatës. Shkrova në cilën do adresë që gjeta drejtuar institucioneve të dy shteteve dhe individëve që mendoja se kanë ndikim e duke kërkuar që bashkë të bëhemi zë i Malësisë e për Malësinë. Me shkrimet e mija kam lodhur redaktorë të mediave, miq, veprimtarë dhe institucione. Kam lodhur edhe lexuesit në Kosovë e kudo ka shqiptarë. As edhe një herë nuk kam shkruar për të arritur ndonjë qëllim timin personal e për të përfituar diçka. U gjeta edhe në detyrën e folësit e moderatorit në këto 13 vite të Manifestimit “Zëri i Vëllazërisë” dhe jo pse më duhej kjo, por duke qenë në shërbim të rrjedhës së Manifestimit. Shoqata jonë ka arritur të kryej misionin e saj dhe shpesh nuk ka gjetur sa meriton hapësirë për këto angazhime sublime. Po, ani , nuk mund të ankohemi se ishin mediat në Kosovë, në Shqipëri, portali malësia.org dhe gazeta “Dukagjini” e Shkodrës, që kanën publikuar dhjetëra shkrime e pamje filmime të Manifestimit Tradicional, aktiviteteve tematike dhe të qëndrimeve të Shoqatës për rrjedhat e ngjarjeve të kohës e që lidheshin me Malësinë dhe me momentin aktual për kombin tonë.
Shkrova edhe letrën e fundit drejtuar Malësisë dhe malësorëve kudo janë. E shkrova duke pritur se do të hapen debate pozitive dhe se Shoqata jonë do të gjejë përkrahje të merituar, e jo ndihmë të momentit, në mënyrë që të vazhdohet me aktivitetet dhe me dëshirën që veprimtaritë tona të jenë edhe më madhështore. Shkrova për t’i bërë shërbim Shoqatës në mënyrë që ajo të ketë mundësi të ec në këmbët e saj dhe që krahas ndihmës madhore që i kanë dhënë qytetet e Istogut, Deçanit, Prizrenit e Klinës dhe kryetarët e institucionet komunale të këtyre qyteteve, të krijohet një përkrahje e mundshme edhe nga Shoqata e individë që munden dhe kanë. Unë kam pritur se letra ime do të ketë jehonë pozitive mes malësorëve në ShBA e edhe mes anëtarëve të kryesisë së Shoqatës sonë, por nga veprimet dhe komentet , kam parë e vërejtur se është arritur e kundërta. Letra ime është lexuar keq dhe gabimisht edhe mes malësorëve dhe Shoqatave të tyre kudo janë, por edhe mes anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë-Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”. Duke u ndier si i vetmuar dhe prandaj edhe fajtor për paraqitjet e mija dhe për letrën e fundit u ula qetazi dhe solla vendim të dhembshëm , por definitiv. Nuk jam më në as edhe njërin funksion në Shoqatën “Martin Dreshaj”. Uroj të vazhdojnë të gjithë aktivitetet që duhen bërë. Unë ndjehem fajtor për letrën e fundit dhe për shumë paraqitje të tjera publike dhe po tërhiqem për të mos e dëmtuar Shoqatën “Martin Dreshaj”. Nuk dua që për arsye të mendimeve të mija dhe paraqitjeve publike që të krijojë atmosferë ftohjeje mes Shoqatës “Martin Dreshaj” dhe Shoqatave tjera e individëve.
Rrahman Jasharaj, ish zëdhënësi dhe ish koordinatori për trojet etnike i Shoqatës së Vëllazërisë Kosovë- Malësi e Madhe “Martin Dreshaj”