Vritet ambasadori i SHBA-ve në Libi

Ambasadori Christopher Stevens ishte në mesin e katër qytetarë amerikanë që u vranë në shenjë proteste kundër filmit amerikan që thuhet se ka fyer Profetin Muhamed, raporton BBC. Paralajmërojmë lexuesit se më poshtë janë dy fotografi të ambasadorit të vrarë, të cilat nuk rekomandohen për të mitur dhe persona të ndjeshëm.

Vrasja e ambasadorit dhe e tre diplomatëve tjerë është konfirmuar nga Shtëpia e Bardhë, shkruan “Washington Post”.

“Chris ishte njeri i guximshëm dhe një përfaqësues i denjë i Shteteve të Bashkuara. Gjatë tërë revolucionit libian, me vetëmohim i ka shërbyer vendin tonë dhe popullin libian gjatë misionit tonë në Bengazi. Edhe si ambasador në Tripoli, ai ka mbështetur tranzicionin e Libisë në demokraci”, tha presidenti Barack Obama.

Sulmuesit kanë mësyrë konsullatën amerikane në Bengazi, kanë shtënë dhe kanë hedhur bomba të punuara me dorë. Forcat e sigurisë kanë kthyer zjarrin, por zyrtarët amerikanë kanë thënë se ishin shumë të paktë në numër. Zyrtarët libian deklarojnë se ambasadori Stevens ka vdekur nga ngufatja e shkaktuar nga sulmi, ndërsa burimet tjera thonë se Stevens dhe diplomatë të tjerë u përpoqën të ikin nga konsullata, kur një predhë goditi makinën e tyre. Trupat e vdekur ishin transferuar në aeroportin e Bengazit.

Stevens ishte i dërguari amerikan tek forcat kryengritëse të Libisë, të cilat vitin e kaluar e kanë përmbysur diktatorin shumëvjeçar, Muammar al-Gaddafi.

Hera e fundit që është vrarë një ambasador amerikan ka qenë viti 1979. Atëherë forcat terroriste në Afganistan kanë rrëmbyer ambasadorin Adolph Dubs, i cili është vrarë gjatë tentimit të shpëtimit të tij. Ndërsa, në vitin 2008 është vrarë në Sudanin Jugor diplomati John Granville.

Si shkas për sulmin e djeshëm, merret promoja e filmit “Pafajësia e myslimanëve” (Innocence of Muslims), që është shikuar në internet e që ka nxitur sulme edhe në Ambasadën amerikane në Egjipt, ku protestuesit janë ngjitur në mur dhe kanë grisur e djegur flamujt amerikan.

Si autor i filmit që shfaq Profetin Muhamed (ndërsa sipas islamit është e ndaluar të tregohet karakteri, pra figura e Profetit), thuhet të jetë Sam Bacile, i cili cilësohet të jetë hebre i Izraelit. Ai jeton në Los Angeles dhe merret me patundshmëri.

Ditorja “Haaretz” njofton se Bacile pas këtyre sulmeve fshihet nga publiku. “Lenta” e Rusisë transmeton pendesën e tij për gjakderdhjen që ka shkaktuar provokimi i tij. Por, ai nuk ndjehet fajtor meqë fajësinë e bartë tek ata që kanë qenë përgjegjës për sigurinë e ambasadës amerikane. /Telegrafi/