Bartësi i listës të Unionit Demokratik të Shqiptarëve dhe Partisë së Prosperitetit Demokratik, Mehmet Zenka ftoi votuesit shqiptarë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të votojnë listat shqiptare, njofton agjensioni MINA.
Zenka ftoi votuesit shqiptarë të cilët nuk do të votojnë UDSH-PPD që votën e tyre t’ja japin koalicioneve tjera shqiptare dhe në këtë mënyrë shqiptarët të fitojnë 3 deputet në parlament. Ai po ashtu tha se lista “Aleanca Rinore Shqiptare” nuk ka gjasa reale të fitojnë mandatin e deputetit, prandaj siç e vlerëson ai, votimi i këtij subjekti është thjeshtë djegie e votës. Megjithatë, tha ai, dëshiron çdo të mirë të gjithëve.
Sinishtaj: Së pakut një mandat
Bartësi i listës së koalicionit “Për Bashkim” (Forca, Iniciativa Qytetare dhe Lëvizja Perspektiva) Vasel Sinishtaj tha se pret së pakut një mandat por do të bëjnë gjithçka është në mundësinë e tyre për ta fituar mandatin e dytë, njofton po i njëjti burim MINA.
Sipas fjalëve të Sinishtaj, sikur punët të kishin shkuar në mënyre të duhur dhe reale, do të ishte krijuar një listë e përbashkët për të gjitha subjektet shqiptare. Do të ishte e dobishme por edhe detyre morale, pasi këtë vit festohet 100 vjetori i pavarësisë së shtetit amë, por për fat të keq kjo nuk u arrit, sqaroi Sinishtaj për MINA.
Ai më tej sqaroi se pikat kryesore të përbashkëta të koalicionit “Për Bashkim” janë: statusi i komunës së pavarur për Malësi, çështja e simboleve kombëtare, mandatet e garantuara për shqiptarët, të mirat detare etj.
Do të punojnë në përmirësimin e statusit politik të shqiptarët por edhe çështjet ekonomike pasi është në pyetje jeta dhe jo politika, tha Sinishtaj dhe shtoi se qëllimi i tyre mbetet puna në bashkimin e subjekteve shqiptare, sa më parë aq më mirë. /Malesia.Org/