Komuna e Malësisë, lojë politike e Podgoricës

Nga: Xheladin Zeneli

Çështja e Komunës së Tuzit (Malësisë) është pjesë e programit,pothuajse e të  gjithë subjekteve politike shqiptare dhe të disa organizatave joqeveritare  dhe njëkohësisht është një ndër kërkesat e tyre kryesore.Gjithashtu,kjo çështje ka qenë temë e diskutimeve të niveleve të ndryshme,temë e disa elaborateve e projekteve, si dhe shkak i  protestave paqësore.

Kurse, që nga viti 1997 e deri më sot,së paku pesë herë është premtuar jetësimi i Komunës së Tuzit me të drejta të plota nga ana e qeveritarëve malazez  ,por deri më sot asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur.Poashtu,kërkesa e Komunës së Tuzit shpeshëherë ka qenë objekt negocimi në mes partisë në pushtet dhe faktorit politik shqiptar. Gjatë fushatave të ndryshme parazgjedhore ,në të kaluarën,zyrtarët e partisë në pushtet,duke përfshirë edhe kryetarin Millo Gjukanoviq, kanë vizituar trevën e Malësisë vetëm me një qëllim : që duke premtuar realizimin e komunës,të mbledhin vota  për Partinë Demokratike Socialiste (DPS).Dhe për fat të keq, deri më tani,kjo politikë ka pirë ujë.

Gjatë gjithë kësaj kohe,jo vetëm ndaj çështjes së Komunës së Tuzit,por në përgjithësi ndaj Malësisë,është udhëhequr një politikë neglizhente,inferiore dhe diskriminuese nga ana e Podgoricës zyrtare e cila është qasur çështjes së Komunës së Tuzit vetëm atëherë kur ky pushtet ka  parë mundësinë e përfitimit të vet politik.Pra, partia në pushtet e Millo Gjukanoviqit (PDS), e ka shfrytëzuar dhe gjithnjë vazhdon që t’a shfrytëzojë  deri në  maksimum kërkesën e drejtë të banorëve të Malësisë për  interesat,nevojat dhe qëllimet e veta politike . Sepse nuk shpjegohet ndryshe zvarritja me paramendim ,tashmë më shumë se dy dekada ,e realizimit të Komunës së plotë duke kushtëzuar jetësimin  e saj me arsyetime të pakuptimta dhe absurde.

Edhe sot ,çështja e Komunës së Tuzit është bërë temë e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, të cilat janë të  parashikuara që të mbahen me 7 Prill të këtij viti. Siç njoftojnë mediat, subjekteve politike shqiptare të cilat janë pjesë e koalicionit qeveritar,fillimisht iu është kërkuar për të mbështetur kandidatin e PDS-së, Filip Vujanoviq për president në zgjedhjet e muajit Prill.Si këmbim, partia në pushtet e Gjukanoviqit (PDS)) do të zhvillojë më vonë referendumin “konsulltativ” për statusin e plotë të komunës Tuzit.Përsëri, qeveria malazeze ,në mënyrë perfide dhe të kalkuluar,tenton që të përdorë çështjen e Komunës së Tuzit, si  mjet  për të arritur qëllimet e saja politike.Tani shtrohet pyetja se deri kur çështja e Komunës së Tuzit do të jetë objekt i marrëveshjeve apo çështje  kushtëzimi i njërës palë (pra, qeverisë  malazeze) ndaj palës tjetër(përfaqësuesve të subjekteve nacionale shqiptare) !?

Një pjesë e konsiderueshme e përgjegjësisë lidhur me mosrealizimin e Komunës së plotë të Tuzit ,mban edhe  faktori politik shqiptar i cili nuk ka qenë sa duhet i vendosur apo këmbëngulës,unik dhe konsistent lidhur me  çështjen në fjalë,që nga fillimi.Gjithashtu,faktori politik shqiptar ka lejuar që shpeshëherë të manipulohet,nga ana e partisë në pushtet,në mes tjerash edhe me çështjen e Komunës, e cila ka përfituar nga ndasitë dhe nga mosuniteti i subjekteve politike shqiptare. Edhe në zgjedhjet presidenciale të këtij viti, partitë politike apo kualicionet shqiptare që janë pjesë e qeverisë,deri më sot, nuk kanë arritur qendrim të njëjtë dhe kanë dallime sa i përket asaj  se a duhet apo nuk duhet përkrahur kandidati i PSD-së(DPS-it) për president të Malit të Zi.

Tendencat e shkëputjes së një komune dhe paradokset politike në rajon

Kur  janë në pyetje pozita e popujve pakicë në hapësirën e shteteve që u krijuan nga shpërbërja e Jugosllavisë,paradoksi më i madh është aplikimi i standardeve të ndryshëm (të dyfishtë,nganjëherë edhe të trefishtë)  në zgjidhjen e statusit të tyre brenda shtetit të tanishëm ku ata jetojnë. Të marrim për shembull serbët në veri të  Kosovës të cilët me përkrahjen e heshtur të komunitetit europian, po angazhohen për autonomi politiko-territoriale apo status special i cili, si i tillë  paraqet sfidë serioze për integritetin dhe tërësinë shtetërore të Kosovës.

Rasti tjetër i kërkesave ekstremiste serbe në rajon,paraqet iniciativa e Komunës Lubinje,territor  brenda Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës,me popullsi  shumicë të nacionalitetit serb.Komuna e Lubinjës gjindet në pjesën jug-lindore të Hercegovinës afër kufirit shtetëror me Malin e Zi dhe nëTetor të vitit të kaluar siç njofton portali  informativ në gjuhën malazeze (http://www.vijesti.me/ e datës 26/10/2012),zyrtarët e kësaj komune planifikojnë që të ftojnë banorët e vet  në referendum me qëllim që të votojnë për shkëputje nga republika e Bosnjës dhe Hercegovinës dhe t’i bashkangjiten Malit të Zi !? Këte vendim ata e mbështesin  në Ligjin për referendum dhe në iniciativën qytetare të Republikës Serbe( RS) e cila është në fuqi që nga viti 2010. Nëse vjen deri te realizimi i një referendumi të tillë,ky do të ishte rasti i parë në këtë hapësirë të Ballkanit ku një komunë e një shteti fqinj shkëpuet dhe i bashkangjitet një shteti tjetër. Lidhur me këtë lajm, për befasi,nuk pati asnjë reagim nga instancat ndërkombëtare.

Derisa në njërën anë,një komune (komuniteti) të një shteti fqinj, i ofrohet mundësia e shkëputjes nga shteti të cilit ato i takojnë,në anën tjetër një pjese të shqiptarëve në Mal të Zi,respektivisht Malësisë,vazhdimisht iu mohohet një ndër drejtat e tyre fundamentale,e drejta e vetëqeverisjes së plotë lokale,si kërkesë minimale e shumicës autoktone shqiptare  në këtë trevë.Atyre, pra banorëve të Malësisë ,tash disa vite me rradhë iu është imponuar e ashtuquajtura Komunë urbane dhe sot  iu ofrohet njëfarë referendumi “konsulltativ”,i cili sipas disa ekspertëve të fushës përkatëse ,një gjë e tillë nuk ka bazë ligjore dhe do të duhej të ishte i papranueshëm.

Banorët e Malësisë kërkojnë që të trajtohen në mënyrë të barabartë,ashtu si edhe bashkësitë e tjera etnike në Mal të Zi dhe kërkesa e tyre nuk kërcnon integritetin e shtetit të Malit të Zi dhe është  në përputhje me të gjitha ligjet,kartat dhe konventat ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale dhe decentralizimin e pushtetit ,prandaj edhe mos realizimi i drejtës së formimit të Komunës së plotë të tyre, është i pabazë dhe i pajustifikueshëm.

Është imperative që shqiptarët dhe përfaqësuesit e tyre politik të ngrisin zërin e tyre tani dhe  në mënyrë të unifikuar e me këmbëngulsi të kërkojnë  realizimin e Komunës së plotë të Tuzit,pa asnjë llojë referendumi dhe pa kurrfarë kushti apo ultimatumi nga ana e qeverisë së Malit të Zi,përndryshe çështja e realizimit ,të një ndër kërkesave më jetike të shqiptarëve në këtë shtet,do të vazhdojë që edhe më tutje të jetë lojë poltike e Podgoricës.